Home / Lajme / Maqedoni / Nuk jemi bashkësi, por komb

Nuk jemi bashkësi, por komb

24 maj-“PPD-ja edhe sot e kësaj dite ka platformën e saj politike, ka zgjidhjen e çështjes nacionale shqiptare, që shqiptarët në Maqedoni të jenë pjesë konstituive-kushtetuese. Ne nuk jemi bashkësi etnike, nuk jemi pakicë nacionale, ne nuk jemi një grup apo etni që nuk dinë edhe pala maqedonase si ta quaj. Ne jemi komb, edhe luftojmë që të jemi popull në Maqedoni. Maqedonia pa këtë, si shtet binacional as që do të mundej të ekzistonte”, thotë kryetari i PPD-së

Urim HASIPI/KOHA

Kryetari i partisë më të vjetër shqiptare në Maqedoni flet për pozicionin politik të PPD-së në prag të zgjedhjeve të 5 qershorit. Ai është mbështetës i idesë për zgjidhjen e statusit juridik të shqiptarëve qoftë edhe përmes një marrëveshje të re, ndonëse thekson se referendumi për autonomi kulturore i viteve ’90-ta ende është gjallë. Sefedin Haruni shpjegon edhe arsyet që e detyruan PPD-në të dalë me kandidatë në Amerikë.

KOHA: Partitë Politike shqiptare edhe në këto zgjedhje garojnë të ndara dhe nuk pati marrëveshje parazgjedhore, madje as edhe mes partive më të vogla. Pse ndodhi kjo, a nuk qe e mundur që PPD të koaliciononte me ndonjërën prej partive?
Sefedin Haruni: Partia për Prosperitet Demokratik pati kontakte edhe me partitë tjera, si me Partinë Demokratike Shqiptare tri herë, ashtu edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, por ne vendosëm që kësaj radhe të shkojmë në zgjedhjet e parakohshme me mbështetje të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Ky komunitet para një muaji ishte në Maqedoni dhe të gjithë kontaktet që i pati me partitë shqiptare, me të gjithë liderët, mbështetën fuqishëm koalicionin eventual të partive shqiptare para zgjedhjeve. Mirëpo, për fatin tonë të keq, ky opsion i KSHA-së nuk gjeti mbështetje nga të gjithë partitë e mëdha dhe partitë kushtimisht të themi më të vogla shqiptare këtu. Kjo është një pjesë e hendikepit tonë, kjo është një pjesë e apetiteve të sëmura dhe të mëdha, qofshin këto të mia apo edhe kryetarëve të partive tjera politike shqiptare, se me daljen vet në zgjedhje do të jenë më të fuqishëm, duke harruar copëtimin dhe shpërndarjen e votës apo disperzimin e saj, që do të ndodh më 5 qershor edhe me partitë tjera që do të garojnë dhe me mundësi që numri i deputetëve që reflekton mund të jetë më i vogël.

KOHA: Mendoni se ka nevojë për një marrëveshje të re politike në mes shqiptarëve dhe maqedonasve apo se Marrëveshja e Ohrit është fundi i kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni?
Sefedin Haruni: Në kohë të fundit ishte një mesazh nga vetë Unioni Evropian, nga përfaqësues të tyre dhe kërkonin që partitë politike shqiptare të mbështesin fuqishëm Marrëveshjen e Ohrit. Por ato zotërinj njëherë nuk u kujtuan pas nëntë viteve të kërkojnë së paku implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që kishte afat realizimi deri në vitin 2004. Tash çka është përgjegjësia? Urdhri i përfaqësive të fuqishme vendosëse që ne të mbështesim edhe më tutje Marrëveshjen e Ohrit nëpërmjet së cilës edhe pse u nënshkrua nga vetë ne shqiptarët, është një mashtrim i radhës që shqiptarët nuk i konsideron për komb, por si bashkësi etnike në Maqedoni. Unë mendoj se kjo është e konsumuar dhe për sot së paku e devalvuar. Marrëveshjet tjera të cilët duhet të ndodhin në Maqedoni, do të varet nga vetë liderët e partive politike shqiptare që një ditë të ulen dhe të bashkohen rreth një opsioni i cili premton ardhmërinë dhe interesin nacional shqiptar në Maqedoni. Ta lëmë këtë t`i takojë historisë, mbase përditë e më shumë shtrohet nevoja për një marrëveshje të re politike në Maqedoni, që shqiptarët të trajtohen si komb dhe kjo është më se e nevojshme.

KOHA: Duke marrë parasysh faktin se participimi në qeveri nënkupton koalicion me partinë që fiton zgjedhjet te blloku maqedonas, sipas Jush, cilat duhet të jenë kushtet e kolicionimit mes partive shqiptare dhe maqedonase?
Sefedin Haruni: Unë mendoj se PPD-ja ka të drejtë morale përpara elektoratit shqiptar të kërkojë votën dhe mbështetjen fuqishëm, sepse nga themelimi i saj në vitin 1990 jo që ishte vetëm lëvizje nacionale, jo që ishte zëdhënëse e të gjitha pjesëve të territoreve të shqiptarëve, por ishte e para parti parlamentare tek ne dhe fuqishëm e ngrinte zërin edhe atëherë për situatën në përgjithësi. E ngrenë zërin edhe sot, se çështja shqiptare në Maqedoni akoma ka mbetur pa u zgjidhur. Për fat të keq, biznes lobet akceptuan korrupsionet, të gjithë lanë interesin nacional pas dore. Mundet nesër VMRO-DPMNE apo LSDM, njëra nga këto të fitojnë shumicën parlamentare, për PPD është irelevante e gjithë kjo, nuk do të jetë shumë me peshë se cili nga ky bllok maqedonas do të fitojë. Trysnia jonë do të jetë në implementimin e interesit nacional në Maqedoni, të interesit edhe në rrafshin vertikal edhe horizontal. Është koha që çdo parti politike që nesër eventualisht i fiton zgjedhjet parlamentare, të ulet dhe të bisedojë e të merret vesh me partnerin për strategjinë, por edhe implementimin e interesit nacional. Duhet të kërkojë pa marrë parasysh se cila parti do jetë participiente në qeveri, qoftë PPD-ja, të ndahet edhe njëherë interesi financiar edhe i fondeve, dhe të derdhen në mënyrë reciproke në të gjithë shtrirjen e popullit në Maqedoni. Këtu akceptoj se nga të gjithë fondet që janë derdhur në vend-6 miliardë euro nga BE, për fat të keq në viset shqiptare i kemi 2 për qind, që është fatkeqësi e madhe pasi që kjo mbështet fuqishëm migrimin shqiptar. Vjet ndodhi të kemi 5 mijë të ikur nga Likova, ndërsa nga viset tjera kemi nga 5 mijë. Kjo “mortajë e bardhë” ka sjellë që fshatrat ti kemi të zbrazura dhe shtëpi të mbyllura, t`i kemi fushat lëndina të papunuara sepse nuk jepen ndihma dhe subvencione bujqve shqiptarë ngase fatkeqësisht 80 për qind merren me këtë veprimtari. Sot i kemi shkollat e zbrazura pa nxënës, pra kemi shtëpi të mbyllura, nuk kemi rini dhe nuk kemi perspektivë për pjesën më vitale që e kemi në Maqedoni.

KOHA: PPD garon me kandidat edhe në diasporë, ashtu si edhe partitë tjera shqiptare. A pritni te fitohet një deputet shqiptar nga diaspora dhe nëse eventualisht jo, pse?
Sefedin Haruni: PPD-ja të mos kishe ndodh mbështetja e fuqishme e Komunitetit shqiptaro-amerikan as që do të kishte mundësi të del dhe të garon në këto zgjedhje me Tefik Abdullahun nga Kanadaja, dhe ai është i propozuar nga KSHA si përfaqësues i PPD-së. Garat janë të lejuara për të gjithë, dhe ka mundësi çdo kush të fitojë dhe fitorja të shihet pas pesë qershorit. Ne mbështesim jo vetëm opsionin e PPD-së, por mendoj se kemi hise nga elektorati të kërkojmë votën, se PPD-ja pati një rrugë të ngritjes dhe rënies pa fajin e saj. Kërkojmë fuqishëm të përkrahet PPD-ja edhe në këto zgjedhje. Unë nuk i di këto biseda bodrumesh edhe tinëzake të cilët partitë relevante maqedonase dhe shqiptare i bisedojnë. Ma merr mendja, meqë marrëveshja ka qenë që BDI të garojë në Evropë, atëherë çka ju desh asaj të nxjerr kandidat shqiptar edhe në SHBA kur marrëveshja ka qenë që Australinë dhe SHBA-në ti kenë maqedonasit. Tash si mund të nënkuptohet, se tash është iniciuar edhe përçarja në kampin politik shqiptar edhe në diasporë. Fatkeqësia më e madhe është kjo, por do të vjen që rinia dhe fuqia progresive do të vetëdijesohen.
KOHA: Cili është apeli i Juaj për votuesit shqiptarë?
Sefedin Haruni: Unë për zgjedhjet e 5 qershorit dëshiroj që përfaqësuesit politik apo liderët të ulen ditën e votimit dhe fuqishëm të kërkojnë mbështetjen e popullit. Edhe pa asnjë ekuivokë të mos përsëriten problemet e së kaluarës, të cilët rezultuan edhe me vrasje. Liderët të jenë të ulur në një tryezë dhe të pinë kafe, por edhe të presin rezultatin, dhe kush është fitues t`ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit. Pra, porosia ime është: dita e votimit të jetë ditë feste, ditë gëzimi, edhe të thirret masa dhe opinioni shqiptar sa më shumë të dal në votime.

KOHA: Mendoni për ndonjë marrëveshje territoriale…?
Sefedin Haruni: PPD ka mbështetur fuqishëm dhe organizoi referendumin territorial politik në janar të vitit 1992, referendumin për autonomi territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë referendum u artikulua vullnetin politik i shqiptarëve dhe ky opsion i jepte atëherë, por edhe sot, një zgjidhje optimale çështjes shqiptare. Ky opsion, njëzet vite pas endjeje të lodhur të shqiptarëve nëpër programe konfuze, përsëri është një opsion që shqiptarëve u jep udhë të qartë politike, një suazë të qartë kushtetuese e cila mund të sigurojë mbrojtjen institucionale të identitetit nacional dhe kulturor si dhe zhvillimin e vetëvendosjes politike dhe kulturore në suaza të Maqedonisë. Ky opsion tani është më se aktual edhe në proceset eurointegruese evropiane përmes Evropës së regjioneve, kështu që autonomia territoriale tashmë mund të përkthehet si opsion të regjioneve të shqiptarëve në Maqedoni, që nënkupton federalizmin e saj. Ky opsion me referendumin e atëhershëm, me legjitimitetin që mori nga vota shqiptare, u mbështet nga diaspora dhe shqiptarët vendas me 98 për qind dhe manifestoi në mënyrë tejet demokratike vullnetin autentik të shqiptarëve. Ishte manifestim politik i shqiptarëve që ishte në përputhje me aspiratat sublime për identitet kombëtar dhe politik. PPD-ja edhe sot e kësaj dite ka platformën e saj politike, ka zgjidhjen e çështjes nacionale shqiptare, që shqiptarët në Maqedoni të jenë pjesë konstituive-kushtetuese. Ne nuk jemi bashkësi etnike, nuk jemi pakicë nacionale, ne nuk jemi një grup apo etni që nuk dinë edhe pala maqedonase si ta quaj. Ne jemi komb, edhe luftojmë që të jemi popull në Maqedoni. Maqedonia pa këtë, si shtet binacional as që do të mundej të ekzistonte. Nuk mundet pa opsionin bilingual në të gjitha rrafshet e sistemit të institucioneve, që shqipja të jetë e përdorshme që në kufi të Gjevgjelisë, në dalje në Bllacë apo në hyrje të Kumanovës, apo në dalje të qafë Thanës, në të gjithë poret e institucioneve dhe shtetit. Maqedonia për fatin e keq sot zhvillon një politikë centraliste, sot zhvillon një politikë egocentrike, me premisa fashizoide ndaj shqiptarëve, pa kuptuar se është shtet multientik, multikonfeksional dhe multilingual.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *