Home / Lajme / Maqedoni / Probleme në Bllacë, mohohet përgjegjësia

Probleme në Bllacë, mohohet përgjegjësia

20 maj-Qytetarët vazhdojnë të ankohen për pritje të gjata në kalimin kufitar të Bllacës. Sipas tyre, vite me radhë vazhdojnë problemet me sistemin kompjuterik, por edhe kolonat e gjata. Megjithatë, përveç shpjegimeve të procedurave dhe mohimit të përgjegjësisë nga ana e institucioneve kompetente, vite me radhë nuk është marrë ndonjë masë për të rregulluar ose stabilizuar sistemin kompjuterik në këtë kalim kufitar

Vite me radhë vazhdojnë ankesat për problemet me sistemin kompjuterik në kalimin kufitar, por edhe kolonat dhe pritjet e gjata në kalimin kufitar midis Maqedonisë dhe Kosovës. Megjithatë, përveç shpjegimeve të procedurave dhe mohimit të përgjegjësisë nga ana e institucioneve kompetente, deri tani nuk është marrë ndonjë masë konkrete për të rregulluar ose stabilizuar sistemin kompjuterik në këtë kalim kufitar, por edhe për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të shpejtë të banorëve të dy shteteve fqinje. Banorëve vendas që udhëtojnë shpesh drejt Kosovës, por edhe ata të Kosovës, ankohen për pritjet e gjata që shumë shpesh regjistrohen në pikën kufitare të Bllacës. Sipas tyre, sistemi kompjuterik në këtë pikë kufitare prishet shpesh, duke i detyruar punonjësit policorë t’i regjistrojnë me dorë lëvizjet nga njeri vend në tjetrin dhe anasjelltas. Siç shprehen disa banorë të Shkupit, hera e fundit kur ka pasur probleme sistemi kompjuterik i Bllacës, ka qenë para tre ditësh, kur është dashur të pritet më shumë se pesë orë për ta kaluar kufirin me Kosovën. “Pritjet në kalimin kufitar të Bllacës nuk janë gjë e rrallë. Unë, për shkak të raporteve afariste, por edhe familjare me Kosovën, udhëtoj shumë shpesh dhe mund të them se shumë shpesh pritjet janë shumë të gjata, ndërsa shpjegimi që zakonisht jepet nga ana e punonjësve të këtij kalimi, është se kanë probleme me sistemin kompjuterik. Sa mbaj mend unë, situata e tillë është duke vazhduar vite me radhë”, shprehet një banor i Shkupit, i cili për t’i anashkaluar problemet, ka insistuar në anonimitet. Në kohën kur qytetarët ankohen për pritjet e gjata në kufi, në Ministrinë e Brendshme mohojnë që kohëve të fundit, sistemi kompjuterik të ketë pasur probleme. Njëkohësisht, zyrtarët e Sektorit për marrëdhënie me opinionin pranë kësaj ministrie nuk kanë përjashtuar mundësinë që të ketë pritje të gjata, por nuk kanë pranuar përgjegjësi. Sipas tyre, sistemi kompjuterik policor funksionon siç duhet, por nuk përjashtohet mundësia që me probleme të ndryshme të ballafaqohet dogana ose pala kosovare. “Për sa i përket kolonave ose pritjeve të gjata në Bllacë ose në ndonjë kalim tjetër kufitar, arsyet mund të jenë të ndryshme. Në rast të ndonjë problemi me sistemin kompjuterik të Ministrisë së Brendshme, i cili mund të zgjasë mbi 15 minuta, punonjësit policor lëvizjet e banorëve vendas ose të huaj fillojnë t’i evidentojnë në mënyrë manuale. Evidenca manuale mundëson lëvizje të papenguar midis dy shteteve fqinje, por në rastet e pritjeve – nuk përjashtohet mundësia që pritjet të jenë rezultat të problemeve me sistemin e Drejtorisë Doganore, sepse doganierët nuk mund të mbajnë evidencë manuale”, ka thënë Ivo Kotevski, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Kohë më parë, përgjegjësi për pritjet në Bllacë nuk kanë dashur të pranojnë as zyrtarët e Drejtorisë Doganore, sipas të cilëve, të gjitha doganat funksionojnë me kapacitet të plotë. Sipas të dhënave të Drejtorisë Doganore, nëpërmjet Bllacës çdo ditë lëvizin rreth tetë mijë persona.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *