Home / Lajme / Maqedoni / Rezultatet, si nata me ditën

Rezultatet, si nata me ditën

3 maj-Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar nga njëra anë dhe Instituti për Hulumtime Politike dhe Ekonomike “Liberta” janë dy organizatat joqeveritare, rezultatet e së cilave nuk përputhen me njëra-tjetrën sa i përket mbështetjes së elektoratit për partitë politike shqiptare, madje dallimi është si nata me ditën

Anketa me formë të njëjtë realizimi, por me rezultate kryesisht të ndryshme. Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) nga njëra anë dhe Instituti për Hulumtime Politike dhe Ekonomike “Liberta” janë dy organizatat joqeveritare, rezultatet e së cilave nuk përputhen me njëra-tjetrën sa i përket mbështetjes së elektoratit për partitë politike shqiptare. Deri sa e para të martën ka publikuar se mbështetja për BDI-në e Ali Ahmetit, nëse nesër mbahen zgjedhjet, arrin në 5 për qind dhe për PDSH-në e Thaçit 1.9 për qind, Instituti “Liberta” të njëjtën ditë pohon se dallimi midis dy partive arrin në 1 për qind, konkretisht 13.7 për qind e të anketuarve janë përcaktuar për BDI, ndërkaq 12.8 për qind për PDSH. QMBN informon se lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër, Nikolla Gruevski është politikani në të cilin më së shumti besojnë qytetarët e Maqedonisë (20 për qind), 4.6 prej tyre i besojnë liderit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, 4.3 për qind Ali Ahmetit, rreth 2.9 për qind Radmilla Shekerinskës…. Se nuk kanë besim në asnjë politikan u deklaruan 47.4 për qind. Në anketën telefonike të kryer sipas pyetësorit të QMBN-së me gjithsej 1.112 të anketuar, qytetarët u përgjigjën edhe në pyetjen se për cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot. Pjesa më e madhe e tyre apo 22,6 për qind do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 10,7 për qind për LSDM-në, 5 për qind për BDI-në, 1.9 për qind për PDSH-në… Se nuk do të votonin u përgjigjën 28.1 për qind e të anketuarve, ndërsa nuk e dinë 16.4 për qind. Rezultatet e hulumtimit të QMBN-së tregojnë gjithashtu se qytetarët në pjesë më të madhe apo 39.1 për qind nuk do të votojnë për shkak të zhgënjimit nga partitë politike, 11.6 për shkak se nuk u intereson politika, 10.9 për shkak se nuk i kanë siguruar atij apo ndonjë të afërmi vend pune, përderisa 9.3 për qind nuk do të votonin, sepse mendojnë se nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi, pa dallim se cila parti të fitojë, ndërsa 7.4 për qind për shkak të asaj që mendojnë se vota e tyre nuk ndryshon asgjë. Ndërkohë, rezultatet e anketës së Institutit “Liberta” tregojnë se është ngushtuar dukshëm diferenca midis dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH. Sipas kësaj ankete, 13.7 për qind e të anketuarve janë përcaktuar për BDI, ndërkaq 12.8 për qind për PDSH, derisa Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit në hulumtim renditet e treta me 8.4 për qind. Në bazë të të dhënave të anketës së Institutit “Liberta”, mbetet edhe më tej numri i lartë i atyre që ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë, shprehur në përqindje ata janë 34.9 për qind e të anketuarve. Në pyetjen se “Cilin lider politik do ta kishit preferuar t’i mbrojë interesat shqiptare në qeverinë e ardhshme?”,, udhëheq lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi me 19.6 për qind, ndërkaq lideri i RDK-së Rufi Osmani është i dyti me 15.1 për qind, ndërsa Ali Ahmeti ka shënuar 8.7 për qind. Mbetet edhe më tej përqindja e lartë e qytetarëve, respektivisht 31.6 për qind, të cilët nuk kanë besim te asnjëri lider politik, ndërkaq 11 për qind nuk kanë mendim për asnjërin. Hulumtimi i “Libertas” është realizuar përmes telefonit nga 26 deri 29 prill të vitit 2011, ndërsa u parashtruan katër pyetje të shkurtra dhe konkrete në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Sipas rezultateve të përpunuar, 55.9 për qind e votuesve shqiptarë tregojnë se do të dalin në zgjedhjet e 5 qershorit. Numri i atyre që ende nuk kanë vendosur se a do të votojnë apo jo, arrin përqindje prej 24.5 për qind, ndërkaq numri i të anketuarve që në këtë moment janë të vendosur të mos dalin të votojnë – është 19.6 për qind

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *