Home / Lajme / Maqedoni / Sërish tabelat vetëm maqedonisht

Sërish tabelat vetëm maqedonisht

7 maj-Një shoqatë joqeveritare me ndihmën e Agjencionit për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë në disa lokacione ekskluzive në Strugë ka vendosur tabela njoftuese ku janë pasqyruar atraksionet më të njohura arkeologjike dhe turistike. Por anashkalimi i gjuhës shqipe ka shqetësuar banorët, të cilët e konsiderojnë provokim të radhës. Nga pushteti vendor i Strugës shprehen se nuk kanë informacion për këtë problem

Se përdorimi i gjuhës shqipe nga disa institucione dhe sektori civil shihet në rrafshin e përdorimit fakultativ, dëshirës dhe disponimit momental, kjo nuk është diçka e re dhe në këtë drejtim mund të numërohen një mori shembujsh në Komunën e Strugës. Por është shqetësues fakti që kjo tendencë vazhdon, kurse rasti më ri i injorimit të shqipes regjistrohet me tabelat njoftuese të vendosura në disa pjesë të qytetit, ku nuk figuron gjuha që e flasin mbi gjashtëdhjetë për qind e qytetarëve të Strugës. Para disa kohësh nga një shoqatë joqeveritare, me suportin edhe të Agjencionit për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në disa lokacione ekskluzive në qytet janë vendosur tabela njoftuese të konstruktuara prej druri për vendbanimet e Strugës. Në tabelat njoftuese janë pasqyruar atraksionet më të njohura arkeologjike dhe turistike në Strugë. Por anashkalimi i shqipes në to për shumë banorë të Strugës është një provokim i radhës që u bëhet banorëve të këtushëm. Në pushtetin vendor të Strugës shprehen se nuk kanë informacion për këtë problem të ngritur. Natmir Nexhipi, shef i urbanizmit komunal pohon se deri te institucioni i tij nuk është kërkuar leje për vendosjen e tyre. ”Nuk kam informacion për këtë çështje për të cilën ju pretendoni. Personalisht mund të konfirmoj se deri te zyra e urbanizmit nuk ka ardhur kërkesë për lejimin e vendosjes së këtyre tabelave. Por unë nuk mundë të them me siguri se struktura të tjera komunale nuk janë njoftuar për vendosjen e tyre”, thotë Natmir Nexhipi. Ndërkohë praktika e njëjtë e vendosjes së tabelave vetëm në gjuhën maqedonase para disa muajve irritoi qytetarët e Ladorishtit, të cilët e konsideruan provokim vendosjen e tabelës njoftuese vetëm në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik, në vendin ku ndodhen themelet e njërës nga bazilikat më të vjetra paleokristiane në këto hapësira. Tabela u largua nga banorët lokalë pas disa ditëve, ndërsa ladorishtarët vendosjen e tabelës njoftuese vetëm në gjuhën maqedonase e vlerësuan si një tentativë perfide për tjetërsimin edhe të kësaj pasurie kulturore të shqiptarëve në këto troje.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *