Home / Sport / Shkëndija ‘shkeli’ Napredokun, tani + 7

Shkëndija ‘shkeli’ Napredokun, tani + 7

‘Kuqezinjtë’ bënë një tjetër hap të madh drejt titullit të kampionit, pasi të dielën në Tetovë mundën Napredokun me rezultatin e lartë 4:1. Emini, Huhiu, Sali dhe Hasani ishin autor të golave në fitoren e 19-të sezonale të Shkëndijës. Tani ‘kuqezinjtë’ kanë 7-të pikë më shumë se skuadra e dytë në renditje Metalurgu, duke e parë veten shumë pranë historisë, fitimit të titullit të kampionit.

Shkëndija e Tetovës ka mundur Napredokun me rezultatin e lartë 4:1, duke arritur që të çojë në 7 pikë diferencën para Metalurgut në krye të renditjes. Pasi të shtunën skuadra nga Autokomanda barazoi 1:1 me Horizonitin, ‘kuqezinjtë; sikur kishin marë një injeksion psikologjik dhe thjesht ‘fluturonin në teren. Në kushte të këtilla aksionet e vendasve ishin të njëpasnjëshme, ndërsa në minutën e 13-të, pas disa kombinimeve të bukura, Izair Emini me mjeshtri të madhe dërgoi topin në rrjetë, duke çuar Shkëndijën në epërsi 1:0. Vendasit vazhduan edhe më tej me aksione të mira dhe raste për të shënuar, mirëpo rezultati mbeti i pandryshuar deri në minutën e 39-të kur Sali nuk arriti të shënojë, mirëpo topi arriti te Nuhiu i cili dërgoi topin në rrjetë për epërsi 2:0. Ky ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën Shkëndija vazhdoi të dominojë, duke shkelur dalëngadalë kundërshtarin, ndërsa pasimet e panumërta të ‘kuqezinjëve’ nga tribuna përshëndeteshin me ‘ole,ole’. Në minutën e 58-të tjetër aksion i mirë i vendasve, Allomeroviq u gjet i vetëm para portierit kundërshtar dhe u duk se e mposhti, mirëpo aty u gjet Ersen Sali për të zgjidhur çdo dilemë dhe tani rezultati ishte 3:0. Shkëndija edhe më tej vazhdoi të dominojë dhe në minutën e 80-të Hasani u ndal në zonë, ndërsa arbitri tregoi në pikën e bardhë. Ferhan Hasani ishte i saktë nga penaltia duke ngritur rezultatin në 4:0. Në vazhdim vendasit kishin të tjera raste për të shënuar, ndërsa në një kundërsulm të miqve, Nikitoviq fitoi duelin me futbollistin kundërshtar, mirëpo për befasi arbitri tregoi në pikën e bardhë. Ballazhi mori përgjegjësinë për të gjuajtur dhe zbuti rezultatin në 4:1, edhe pse pak mungoi që portieri i Shkëndijës Velii të ndalë këtë goditje. Deri në fund edhe përkundër dominimit të Shkëndijës, rezultati mbeti i pandryshuar duke sjellë fitoren e 19-të të ‘kuqezinjëve’ në kampionat, me të cilën arrijnë në kuotën e 64 pikëve, 7 më shumë se Metalurgu në vendin e dytë. ‘Fitore e merituar dhe lojë e mirë e futbollistëve të mij. Dua që t’i përgëzoj futbollistët për paraqitjen e mirë dhe për fitoren e lartë. Ne me këtë kryem detyrën tonë dhe tani rritëm diferencën në 7 pikë para Metalurgut. Që në këtë ndeshje u pa se gabimi i konkurentit për titullin do të jetë një lehtësim i madh për ne dhe shpresoj që këtë ta shfrytëzojmë edhe në katër sfidat e fundit. Pres vazhdim të serisë së fitoreve që sa më shpejtë të sigurojmë titullin e kampionit. Sot Shkëndija luajti mirë dhe bukur për sy, por unë besoj dhe jam i bindur se në sfidat e rradhës do të luajmë edhe më mirë’, deklaroi pas ndeshjes me Napredokun, trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani. Shkëndija takimin e rradhës e zhvillon të shtunën, kur në Turnovë të Strumicës do të përballen me Horizontin.

KV Shkëndija prezantoi trofeun e Kupës në stadium

Kryesia e Klubit të Futbollit Shkëndija duke vlerësuar suksesin e arritur në Kupën e Maqedonisë, ku Klubi i Volejbollit Shkëndija u shpall kampione, kishte ftuar për këtë ndeshje gjithë volejbollistët dhe stafin drejtues. Duke u uruar suksesin e madh kryetari i KF Shkëndija Nuriman Shaqiri ftoi të gjithë volejbollistët dhe stafin teknik të paraqiten në mes të terenit, duke prezantuar trofeun e Kupës para më shumë se 6 000 spektatorëve. Publiku tetovar këtë moment e përshëndeti me ovacione të mëdha dhe duartrokitje të vazhdueshme, duku uruar që KV Shkëndija të fitojë edhe kampionatin. Sigurisht që edhe volejbollistët e Shkëndijës për një kohë të shkurtë shijuan atmosferën në stadiumin e qytetit në Tetovë, madje për një kohë duke u zbavitur me publikun tetovar. Ndërkohë në këtë momente ‘Ballistët’ sollën në korr këngën ‘Kampione, kampione’, duke uruar KV Shkëndijën dhe duke dëshiruar që të njëjtën ta përsërisin edhe për KF Shkëndija në fund të kampionatit.

Në mungesë të Mustafit, Hasani kapiten

Në takimin me Napredokun për shkak të tre kartonëve të verdhë pushoi kapiteni Nebi Mustafi, ndërsa kësaj rradhe për herë të parë shiritin e kapitenit e barti Ferhan Hasani. Më parë dihej se zëvendës i Mustafit është Huseini, mirëpo në marëveshje të përbashkët, kësaj rradhe i’u dha Hasanit dhe patjetër të pranojmë se ai me plot përgjegjësi e kreu ‘detyrën e re’. Ndërkohë vlen të ceket se në fund të ndeshjes, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani bëri një zëvendësim pak sa të pazakontë, duke larguar nga loja portierin Suad Zendeli. Me këtë lëvizje, Osmani i dha mundësinë publikut që në mënyrë të veçantë të përshëndesin Zendelin, duke e duartokitur gjatë, për t’i bërë me dije se vlersojnë lartë kontributin e tij në fanellën ‘kuqezi’. Zendeli u zëvendësua nga Hadis Veli’i, i cili për pak sa nuk ndali penaltinë e miqve, kur zbutën rezultatin në 4:1.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *