Home / Sport / Sot feston Shkëndija

Sot feston Shkëndija

Të shtunën me ndeshjet e javës së 33-të mbyllet kampionati elitar i futbollit vendor, në të cilin nuk ka mbetur asjë dilemë. Nga liga largohen Pelisteri dhe Vardari, Napredoku dhe Skopje do të luajnë në balotazh, ndërsa në Europa Ligë Maqedoninë do ta përfaqësojnë Rabotniçki, Renova dhe Metalurgu. Shkëndija është kampione e vendit, ndërsa në përballjen e fundit me Metalurgun do të pranojnë trofeun e më të mirit, ndërsa pritet që Tetova të përfshihet nga festë madhështore.

Të shtunën lëshohet sipari në kampionatin elitar të futbollit të Maqedonisë, ndërsa si që u bë zakon këtë sezon, në qendër të vëmendjes do të jetë stadiumi i qytetit në Tetovë, ku Shkëndija do përballet me Metalurgun. Por për dallim nga herat tjera, kësaj rradhe pritet të organizohet festa më e madhe e parë deri më tani. Arsye për këtë është se Shkëndija do të pranojë zyrtarisht trofeun e më të mirit për këtë vit, ndërsa përballë do të jetë skuadra fituese e Kupës së Maqedonisë, Metalurgu.

‘Një përballje e cila nuk vendos asgjë për ekipin tonë, ne vetëm jemi shpallur kampion dhe shfrytëzoj rastin t’ua uroj tifozëve të Shkëndisë dhe gjithë shqiptarëve anembanë ku janë. Shpresoj të luajm një ndeshje, thjesht të bëmjë një ndeshje të mirë, një futboll të mirë për sy, të vijnë tifozët të na përkrahin si në çdo ndeshje dhe në fund ta mbyllim me një fitore dhe të festojmë, pasi që planifikojmë edhe pas ndeshjes të festojmë edhe në sheshin e qytetit në Tetovë’, deklaroi sulmuesi i krahut të Shkëndijës, Ardian Nuhiu, ndërkohë që ish-futbollisti ‘kuqezi’ Agron Memedi, i cili tani luan për Metalurgun, u shpreh. ‘Uroj së pari Shkëndijën, ‘Ballistët’ dhe gjithë tetovarët për titullin e fituar dhe mund të them se këtë e bënë me plotë meritë. Sa i përket ndeshjes nuk ka shumë çka të flitet, gjithçka është vendosur dhe pikët nuk kanë kurfarë rëndësie. Pikërisht për këtë do të luajmë të dyja palët pa ngarkesë, këshut që pres lojë të bukur, për të kënaqur shijen e futbolldashësve tetovarë’,tha Memedi. ‘Kjo ndeshje nuk ka ndonjë vlerë të veçantë për të dyja ekipet, për atë se ata kanë siguruar titullin e kampionit, ndërsa ne jemi të sigurtë në vendin e dytë. Do të jetë një spektakël, ndeshje e mirë mes fituesit të kupës dhe fituesit të kampionatit, do të jetë si një ‘Super Kupë’, para ‘Super Kupës’ e cila për herë të parë do të luhet vitin e ardhshëm’, shtoi Millan Ilievski i Metalurgut, i cili gjithashtu uroi Shkëndijën dhe tifozët tetovarë për performansën që sollën këtë vit. Të shtunën stadiumi i qytetit në Tetovë pritet të jetë i mbushur deri në vendin e fundit, ndërsa protagonistët në teren pohojnë se ky do jetë një motiv shtesë për të dhënë maksimumin. Tifozët zbukurojnë një ndeshje të futbollit thotë Ilievski i Metalurgut, qofshin ata në anën e kundërshtarit. Është interesant fakti se për Shkëndinë dhe Metalurgun ky do të jetë viti më i suksesshëm në histori, pasi të dyja skuadrat arritën të fitojnë trofetë e tyre të para. Megjithse në përbërje ekipet kanë futbollistë që më herët kanë fituar titullin, te Shkëndija suksesin e sivjetshëm e vendosin në rradhë të parë. Nebi Mustafi, Ardian Nuhiu dhe Suat Zendeli edhe më herët janë shpallur kampionë, mirëpo thonë se kësaj rradhe ndjenja është ndryshe. ‘Këtë titull do ta kisha vendosur në rend të parë. Për arsye se me Sllogën isha shumë i ri dhe nuk jam aktivizuar në të gjitha ndeshjet. Me Rabotniçkin kemi marrë dy tituj por nuk kemi patur aq tifozë, si në këtë titull këtu. D.m.th. do ta rradhisja në vend të parë’, u shpreh Nuhiu. Shkëndija dhe Metalurgu këtë vit më herët janë takuar dy herë, kur në Shkup barazuan 1:1, ndërsa ‘kuqezinjtë’ në Tetovë ishin bindës duke fituar 3:0. Tani sfida e tretë nuk ka kurfarë vlere, mirëpo nga të dyja taboret paralajmërojnë lojë të bukur për të kënaqur tifozët e pranishëm. Ndërsa ajo që është e sigurtë është se edhe tifozët do të bëjnë më të bukurën, pasi informata nga Tetova zbulojnë se ‘Ballistët’ përgatisin spektaklin më të madh të parë ndonjëherë në këto anë. Prandaj ata apelojnë te të gjithë dashamirët e futbollit dhe tifozë të Shkëndijës, të shtunën t’i bashkohen festës historike të Shkëndijës, ‘Ballistëve’, Tetovës dhe gjithë shqiptarëve ku do që janë. Ndërkohë në ndeshjet tjera Renova shkon drejt Shtipit me ambicie për fitore kundër Bregallnicës. Rabotniçki është mysafir i Sileksit, Skopje pret Horizontin, Teteksi në Bogovinë do të ndeshet me Pelisterin, ndërsa Vardari nga Liga e Parë do të përshëndetet në përballjen si vendas me Napredokun.

Dyshet e javës së 33-të:
Shkëndija-Metalurgu,
Bregallnica-Renova,
Sileksi-Rabotniçki,
Skopje-Horizonti,
Teteksi-Pelisteri dhe
Vardari-Napredoku.

Butiku ‘Emona’ vesh Shkëndijën

Me rastin e fitimit të titullit të kampionit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, në Tetovë përgatitet festë e madhe për këtë sukses historik. Dhe kryesia e klubit duke dashur që ekipi të duket në nivelin e skuadrave të mëdha Europiane, ka siguruar komplet veshje për gjithë ekipin, stafin teknik dhe kryesinë. Përgjegjësinë për të ‘veshur’ Shkëndijën e kishte butiku ‘Emona’ që gjendet në qendrën e re tregtare në Tetovë, ndërsa pronari Nusret Aliu u shpreh i kënaqur për këtë mundësi, por që ishte edhe përgjegjësi e madhe. ‘Për mua ishte nder, por edhe përgjegjësi e madhe të bëj këtë detyrë, gjithnjë duke u bazuar në punë profesionale. Shkëndija është klub i madh, ndërsa rasti për të cilin punuam është historik dhe meriton qasje shumë serioze dhe profesionale. Mirëpo me kënaqësi të madhe u kapëm për këtë punë dhe me një përkushtim professional arritëm të jemi të gatshëm në kohë. Shpresoj që të mbesin të kënaqur drejtuesi e klubit, ndërsa sigurisht satisfaksion i madh për mua do të ishte nëse publiku do të pëlqente punën tonë’, tha Aliu.

Festë edhe në shesh të qytetit

Festa e titullit të kampionit të Shkëndijës pritet që nisë nga stadiumi i qytetit në Tetovë, ndërsa pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve dhe kupës fituese, pritet që gjithçka të transferohet në sheshin ‘Iliria’ në Tetovë. Diku rreth orës 21:30 pritet që futbollistët me trofeun të paraqiten para tifozëv në qendër, ku është përgatitur program i pasur me fishekzjare, si dhe program muzikor. Nga kryesia e klubit mësojmë se këngëtarja e njohur Leonora Poloska do të kujdeset për zbëvitjen e publikut, ndërsa njëkohësisht në qendër do të vendoset një video-bim gjigand ku do të mund të ndiqet drejtëpërsëdrejti ndeshja finale e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Manchester United.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *