Home / Sport / Tetova sjell: ‘Duel kampionësh’

Tetova sjell: ‘Duel kampionësh’

‘Urojmë Shkëndijën për titullin e fituar me plotë meritë. Ne do luajmë për fitore, pasi pikët na duhen për të siguruar Europën’, deklaroi drejtori sportiv i Renovës Lirim Sahiti, ndërsa sulmuesi i Shkëndijës Ferhan Hasani shtoi: ‘Do jetë ndeshje e vështirë, mirëpo ka ardhur koha për hakmarje për ngjarjet e para tre viteve’.

Vëmendja kryesore e opinionit futbollistik në vend të shtunën do të jetë e drejtuar kah Tetova ku do të zhvillohet derbi lokal me Renovës dhe Shkëndijës. Përballë njëra tjetrës do të jenë skuadra kampione e vitit të kaluar dhe ajo e sivjetshmja dhe s’duhet arsye më e fortë se kjo për të qenë i pranishëm në stadiumin e qytetit në Tetovë. Shkëndija në mesjavë siguroi titullin e kampionit pas fitores 2:1 kundër Rabotniçkit, dhe pikët nga dy takimet e fundit për ‘kuqezinjtë’ do vlejnë vetëm për shifra statistikore. Ndërkohë Renova ka nevojë për të fituar në dy ndeshjet e fundit, për të ruajtur vendin e tretë që u garanton Europën. ‘Renova ka punuar maksimalisht për tu përgatitur sa më mirë për dy ndeshjet e fundit. Duhet të fitojmë skuadrën e Shkëndijës të cilët fituan me meritë titullin e kampionit dhe më pas duhet të fitojmë edhe Bregallnicën që lufton për balotazh. Do të jetë shumë vështirë në këto dy takime por ne do kërkojmë maksimumin për të përmbushur ambiciet tona’, u shpreh drejtori sportiv i Renovës, Lirim Sahiti. Në anën tjetër Shkëndija për këtë sfidë është përgatitur në atmosferë festive nën emocionet e fitimit të titullit të kampionit. Mirëpo edhe pse pikët deri në fund nuk kanë vlerë për Shkëndijën, nga tabori i kampionëve të rij paralajmërojnë se deri në fund do të luajnë me nder, për të mbyllur sezonin si i ka hije një skuadre kampione. ‘Jam tepër i lumtur dhe ua uroj të gjithë tifozëve titullin e kampionit. Sa i përket lojës me Renovën do të jenë një ndeshje e vështirë. Ne edhe pse e kemi siguruar titullin e kampionit mendoj se në këtë ndeshje do të dalim me formacionin më të mirë dhe shpresoj se do të fitojmë. Siç e dimë edhe vetë, Renova para tre viteve…, me një fjalë kemi një borxh ne ndaj atyre dhe shpresoj se në këtë kohë duhet të hakmeremi pak’, deklaroi Ferhan Hasani. Për publikun tetovar dhe më gjërë ky takim është shumë tërheqës dhe drejtori i Renovës pret spektakël të vërtetë. ‘Sigurisht se pritet numër i madh i shikuesve dhe unë jam i sigurtë se ata do të kenë mundësi të shohin një ndeshje të shkëlqyeshme nga dy skuadra fantastike. Ne urojmë Shkëndijës titullin e kampionit, pasi me meritë e fituan atë. Ne gjithashtu vitin e kaluar ishim me meritë kampionë dhe kjo bën të nënkuptohet se shqiptarët kanë gjetur rrugën e suksesit. Për mua është kënaqësi e madhe të shohim nesër duelin e dy skuadrave shqiptare, mos të them tetovare kur përballen mes veti në një duel që vendos për kreun e tabelës në elitën e futbollit të Maqedonisë. Jam krenar që Renova dhe Shkëndija gjithë shqiptarëve, por edhe gjithë maqedonasve dhe më gjërë u bënë me dije se me punë të ndershme, investime të drejta mund të arrihet suksesi dhe se dimë të organizohemi drejt qëllimeve të mëdha. Prandaj uroj të gjithë për këtë dhe i ftoj që të shijojnë në maksimum suksesin e ekipeve shqiptare’, përfundoi Sahiti. Përballja mes Renovës dhe Shkëndijës zgjon interes të madh në opinionin tetovar, por edhe më gjërë dhe me të drejtë pritet numër rekord shikuesish për të parë përplasjen mes dy kampionëve të fundit të Maqedonisë. Deri tani këta dy skuadra janë përballur 13-të herë në kampionat dhe Kupë, deri sa kanë nga 6-të fitore dhe një herë kanë barazuar. Këtë sezon Renova fitoi ndeshjen e parë 1:0, ndërsa në takimin e dytë Shkëndija ishte bindëse duke triumfuar 4:1 në një ndeshje pas së cilës morën kryesimin e renditjes dhe e ruajtën deri në fund të kampionatit. Tani është sfidë e re, me Renovën që kërkon pikë për të siguraur Europën dhe Shkëndijën që luan për nderin e saj edhe pse ka të siguruar titullin e kampionit për këtë vit. Ndeshja Renova-Shkëndija zhvillohet sot në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00.

Luftë për ikje nga balotazhi

Nën hijen e derbit të Tetovës mes Renovës dhe Shkëndijës, në ndeshjet tjera lufta kryesore do të zhvillohet në mes të skuadrave që duan të shmangin pozitat që detyrojnë përmes balotazhit të ruhet statusi në Ligën e Parë. Në këtë drejtim Napredoku me fitore ndaj Skopjes do të ishtë më i sigurtë, njëjtë si Horizonti që pret Sileksin. Teteksi shkon në kërkim të pikëve në fushë të Metalurgut, në duelin e skuadrave që do të përballen me 24 maj në finalen e Kupës së Maqedonisë. Rabotniçki në fushë të vet pret Bregallnicën, ndërsa në Manastir do të zhvillohet ndeshja që dikur ishte derbi i madh, ndërsa tani përballë do të jenë dy ekipet më të dobta në ligë Pelisteri dhe Vardari, të cilat nga sezoni i ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë.

Dyshet e javës së 32-të:
Renova-Shkëndija,
Metalurgu-Teteksi,
Rabotniçki-Bregallnica,
Horizonti-Sileksi,
Napredoku-Skopje,
Pelisteri-Vardari.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *