Home / Sport / Vit i artë për Shkëndinë

Vit i artë për Shkëndinë

Klubi i Volejbollit Shkëndija në sezonin 2010/2011 shënoi suksesin më të madh në historinë e saj, duke fituar titullin e dyfishtë në Maqedoni. Për skuadrën tetovare këta ishin titujt e parë në kampionatin shtetëror, ndërsa të njëjtët vijnë pas 37 viteve egzistencë të ekipit. Ky sukses i madh ka shkaktuar festë të madhe në Tetovë, kur qindra qytetarë kanë vërshuar sheshin Ilira. Titujt e fituar dhe kënaqësia që u dha qytetarëve me këtë rast, ka bërë që volejbollistët të vlersohen si heronjë të vërtetë.

Nëse dikush në fillim të sezonit garues 2010/2011 do të kishte parmendur fjalën titull në taborin e KV Shkëndija, ndoshta do të ishte cilësuar si i marrë apo joserioz në atë që thotë. Mirëpo 9-të muaj me vonë realiteti është ky: “KV SHKËNDIJA KAMPIONE E DYFISHTË E MAQEDONISË”. Po, po, pikërisht kështu, skuadra e volejbollit Shkëndija është fituese e Kupës së Maqedonisë në volejboll për meshkuj, ndërsa e njëjta skuadër në mënyrë bindëse fitoi edhe kampionatin. Sukses i paparë për këtë skuadër tetovare në historikun e saj 37-të vjeçar. Aq vite sakrificë, probleme për të mbijetuar nga pengesat e ndryshme, pauza në kampionat dhe rrikthime të guximshme. Dhe mujin e fundit Shkëndija mblodhi frutat e punës 37 vjeçare, duke shkruar faqen më të ndritshme të volejbollit shqiptar në Maqedoni. Problemet finansiare vite me rradhë kanë qenë problem i vazhdueshëm i të gjithë skuadrave sportive dhe Shkëndija nuk ishte përjashtim në këtë drejtim. Duke përfunduar sezonin e shkuar me një sukses mesatar, Shkëndija pas verës së 2010 përgatitej për fillimin e sezonit të rij, pa ndonjë ambicie të theksuar për ndonjë sukses të veçuar. Dukej se skuadra do të mbështetet në forcat vetanake, kryesisht te volejbollistët e rij të dalë nga shkolla e të rrinjëve të KV Shkëndija dhe disa volejbollistëve me më shumë përvojë që mbetën në skuadër. Ekipi dukej i renovuar pas tërheqjes të disa volejbollistëve tetovarë që me vite ndihmuan skuadrën dhe tani ishte rradha që të rrinjtë të marrin barën kryesore, por pak kush mendonte në një fund të këtillë, siç ishte ky i Shkëndijës në këtë sezon. Dhe patjetër të pranohet se gjërat u ndihmuan në këtë drejtim, nga vendimi i komunës së Tetovës për të mbështetur finansiarisht skuadrën. Ky moment siguisht se ishte një injeksion i fortë finansiar për KV Shkëndija, por edhe mbështetje psikologjike se të paktën ekipi ka një sponsor stabil. Falimentimi i KV Rabotniçki Fershpedit që 13-të vite me rradhë dominoi volejbollin në vend ishte një sinjal tjetër që Shkëndija duhet të atakojë kreun, por për këtë nevojiteshin përforcime. Dhe drejtuesit e skuadrës ‘kuqezi’ këtu ishin të saktë në zgjedhjen e volejbollistëve, kur disa javë pas fillimit të kampionatit në rradhët e veta angazhuan volejbollistët kosovar Gazmend Husajn dhe Adriatik Kajtazin, të cilët së bashku me vëllezërit Vela, Abazin, Islamin, Hamzain dhe të rrinjtë Rustemi e Luma krijuan një ekip stabil që dalëngadalë ecte drejt kreut, ndërsa pjesën vjeshtore të kampionatit e mbylli në ndarje të pozitës së parë. Në afatin kalimtar të dimrit ekipit i’u bashkuan edhe Ristevski dhe Karanoviq, ndërsa pas një kohe qëndrim në Bahrein në skuadër u rrikthy Gazmend Husaj. Vlen të ceket se Shkëndija kishte përgatitje të mira në dimër, ndërsa paralajmërimi i sukseseve të kampionatit erdhi që në janar, kur skuadra e Shkëndijës fitoi Kupën Mbarëkombëtare në turneun që u zhvillua në Tiranë. Sezoni pranveror ishte i përkryer, ndërsa Shkëndija ‘shkelte’ kundërshtarët pa mëshirë, duke rritur vazhdimisht diferencën në krye të renditjes. ‘Kuqezinjtë’ në këtë drejtim deri në fund të pjesës së rregullt të kampionatit nuk kishin set të humbur, duke fituar të gjitha ndeshjet me rezultat maksimal. Dhe Shkëndija pasi eliminoi në mënyrë të shpejtë Vardarin në gjysmëfinalen e play-offit në dy fitore 3:0, siguroi finalen, ku pritte emrin e kundërshtarit, në ndërkohë në gjysmëfinale të Kupës mundi në Tetovë 3:0 skuadrën e Sinalkos. Pikërisht Sinalko ishte ekipi që në pranverë Shkëndijës arriti ti marrë një set edhe atë në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales kur Shkëndija me vetë faktin që avansoi 1:0, kishte të sigurtë finalen e Kupës. Kjo bëri që të ketë lëshim dhe vendasit të marrin një pikë, mirëpo më pas ‘makineria’ e quajtur Shkëndijë vazhdoi të bluajë duke fituar 3:1. Finalja e Kupës e zhvilluar në palestrën e vogël ‘Boris Trajkovski’ në Shkup ishte fillimi i shkruarjes së pjesës së artë të histrorisë. Në atmosferë impozante, me mbështetje të jashtëzakonshme të ‘Ballistëve’ Shkëndija shkeli Borec Brakon 3:1, duke bërë të vetin trofeun e Kupës së Maqedonisë. Këtu ishte fillimi i një feste të madhe kuqezi dhe kënaqësia ishte e madhe, pasi historia po shkruhej në mes të Shkupit, ku festonte një skuadër shqiptare. Atmosfera vazhdoi në Tetovë, ku u festua gjatë, mirëpo Shkëndija nuk kishte thënë fjalën e fundit, pasi tani e pritte finalja e play-offit, me kundërshtarin e njëjtë, Borec Brako. Duhej të luhet në serinë e ndeshjeve ardhje-vajtje deri në tre fitore, mirëpo Shkëndija i mbylli gjërat në mënyrë eksprese. Fitoi në Tetovë 3:0, ndërsa në Veles nën një presion të paparë dhe të vazhdueshëm ‘kuqezinjtë’ tejkaluan çdo vështirësi duke fituar 3:1 dhe çmimi i kësaj fitoreje ishte qëndrimi në palestrën e Velesit për orë të tëra, pasi tifozët e Borecit ishin të tërbuar nga suksesi i skuadrës shqiptare. 2:0 për Shkëndinë dhe tani ndeshje e fundit ishte e determinuar për spektakël. Para mbi 1 000 tifozëve të tubuar në palestrën sportive të shkollës së mesme të mjeksisë në Tetovë, Shkëndija kishte nevojë për një fitore dhe titulli do të mbetej në qytetin buzë Sharrit. Shkëndija filloi furishëm, mirëpo ndoshta e ndikuar nga atmosfera në palestër humbën setin e parë, por që nuk shkaktoi aspak huti dhe as që prishi festën, përkundrazi bëri që ajo të vazhdojë dhe të zgjatet të paktën edhe për një gjysmë ore më shumë. Në vazhdim ‘kuqezinjtë’ fluturonin, duke shkelur dalëngadalë kundërshtarin, që nuk po gjente zgjidhje tu kundërvihet kampionëve të ri të vendit. 3:1 ishte rezultati i ndeshjes së tretë të fituar me rradhë nga Shkëndija dhe këtu ishte fundi i serisë së finaleve të play-offit. Shkëndija kampione e re e Maqedonisë dhe këtu ishte fundi i serisë 13-të vjeçare të dominimit të Rabotniçkit. Festë e madhe pasoi në palestër, ndërsa gjithçka u transferua në sheshin Iliria në Tetovë, ku qindra tifozë ishin në delir nga ky sukses historik i skuadrës së tyre, Shkëndijës. Tetova festonte dhe këtë e bënte me meritë, pasi dominimi i ‘kuqezinjëve’ ishte evident gjatë gjithë sezonit. Shkëndija mori atë që dëshiroi dhe për atë që punoi, duke shkruar pjesën më të ndritshme të historisë së sportit shqiptar. Ata (volejbollistët) bënë që mijëra shqiptar të prekin kulmin e lumturisë dhe kënaqësisë, prandaj të gjithë ne që edhe disa ditë pas kësaj fitoreje jemi nën të njëjtat impresione, mund vetëm të falemenderojmë heronjtë tanë. ‘JU LUMTË DJEMA DHE FALEMINDERIT PËR KËTË KËNAQËSI QË NA DHATË. BËTË KRENAR ÇDO SHQIPTAR DHE PËR KËTË DO JU NDEROJË HISTORIA. URIME EDHE NJË HERË TITULLI’.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *