Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti dhe Gruevski i çelin udhën bisedimeve

Ahmeti dhe Gruevski i çelin udhën bisedimeve

15 qershor-Burime konfidenciale brenda partisë së Ahmetit pohojnë se dy liderët janë marrë vesh me njëritjetrin për mënyrën dhe formën e bashkëqeverisjes së re, në përputhje me pretendimet e të dy palëve, ndërsa bisedimet në nivelin e dytë që priten të zhvillohen mes grupeve negociatore nga BDI dhe VMRODPMNE, do të finalizojnë këtë marrëveshje në detaje

Pas takimit mes dy liderëve partiak, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, kompozimi i kabinetit të ri qeveritar është vetëm çështje ditësh që pritet të marrë fund së shpejti. Burime konfidenciale brenda partisë së Ahmetit pohojnë se në takimin që kanë pasur këto ditë dy liderë, janë marrë vesh me njëri-tjetrin për mënyrën dhe formën e bashkëqeverisjes së re dhe për pretendimet e të dy palëve, ndërsa bisedimet në nivelin e dytë që priten të zhvillohen mes grupeve negociatore, nga BDI dhe VMRO-DPMNE, do të finalizojnë këtë marrëveshje në detaje. Mësohet se dakordimi mes Gruevskit dhe Ahmetit gjatë fundjavës ka konsistuar, si në pjesën që ka të bëjë më ndarjen e pushtetit – ministrive, drejtorive e të tjera, po ashtu edhe me çështjen që tangon vendin – integrimin euroatlantik.

“Takimi i dy liderëve, Gruevskit dhe Ahmetit ka përfunduar me marrëveshje që detajet t’i koordinojnë grupet negociatore, ndërkohë që janë definuar vijat e ndarjes së pushtetit”, thonë burimet konfidenciale brenda dy partive. Urgjenca e liderit të BDI për ta mbyllur këtë problem doli në pah edhe gjatë fjalimeve të mbajtura në fushatën elektorale, ku mes të tjerash, thotë se “ne jemi ata që do ta bëjmë Maqedoninë anëtarin e 27 të aleancës euroatlantike”.

“Dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj aleance ushtarake dhe politike, pasi vetëm kështu do të jemi më të sigurt, por edhe pasi kjo aleancë do të parandalojë katastrofat”, u shpreh ndër të tjera Ahmeti në mitingun e organizuar pranë sheshit “Skënderbeu” në Shkup. Dy grupet, të cilat do të ulen në tavolinën e bisedimeve, pala shqiptare e drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i partisë Abdilaqim Ademi, dhe në përbërje të nënkryetarit Izet Mexhiti si dhe Musa Xhaferi, Ermira Mehemti- Devaja dhe Fatmir Besimi, derisa nga ana tjetër – shefi i kabinetit të Gruevskit – Martin Protuger, ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, deputeti Ilija Dimovski dhe kryeparlamentari Trajko Veljanovski. Në tavolinë pritet që të jepet zgjidhje përfundimtare çështjeve që kanë të bëjnë me statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, përdorimin e gjuhës shqipe, mbylljen e dosjeve të Hagës, simbolet të reja nacionale së bashku me hartimin e një ligji të ri për përdorimin e flamurit, si edhe shpërndarjen e të ardhurave të buxhetit. Edhe pse tentativat për krijimin e Qeverisë së re janë zhvilluar në konspiracion të plotë nga të dyja anët, lakimet e emrave të kandidatëve potencial që priten të marrin poste të rëndësishme kanë qarkulluar në të gjitha variantet e mundshme. Gjithsesi, mes dy partnerëve duket se ka pasur një marrëveshje për t’i mbajtur sa më larg bisedimet e tyre nga kureshtarët, gjë e cila ka krijuar mundësinë e spekulimeve të ndryshme. Një prej tyre ka qenë edhe koalicionimi i VMRO-së me PDSH-në, lajm i cili nuk është komentuar nga partia e Thaçit. Ky i fundit i ka hedhur poshtë të gjitha gjasat për koalicione të mundshme qeverisëse në fjalën e mbajtur pas përfundimit të zgjedhjeve, ku ndër të tjera ai është shprehur se “të gjithë votuesve të cilët e mbështesin këtë platformë, solemnisht u premtoj se vota e tyre në asnjë sekondë nuk do të bëhet pjesë e pazareve anti-shqiptare”.

“As për qeveri të djathtë, as për qeveri të majtë, as për qeveri të integrimit, por vetëm për arritjen e statusit juridik që parasheh platforma e PDSH-së për të mirën e shqiptarëve. PDSH-ja do të vazhdojë të jetë zëri kryesor i opozitës dhe shqiptareve të pakënaqur. Unë do të kem punë vetëm me elektoratin opozitar, të cilët janë të vendosur ta ndryshojnë situatën e përkeqësuar të shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Thaçi.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *