Home / Sport / ‘Ballistë’, kujdes në Beograd

‘Ballistë’, kujdes në Beograd

Policia e Serbisë është e gatshme t’i sigurojë tifozët tetovarë ‘Ballistat’ në ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Shkëndijës, e cila do të zhvillohet në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por, sipas mediave në Beograd, Policia është e urdhëruar nga Qeveria serbe që t’i arrestojë tifozët të cilët shpalosin flamuj të Republikës së Kosovës.

Dy ndeshjet mes Partizanit të Beogradit dhe Shkëndijës së Tetovës kanë zgjuar vëmendjen kryesore nga duelet e rrethit të dytë të kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve.

Përveç betejës së fortë në fushë, ballafaqimi i këtyre dy skuadrave pritet të ngjallë rivalitet të ashpër edhe në tribuna mes grupeve të tifozëve Grobari dhe Ballistat.
Madje, është përhapur edhe frika se ndeshja mund të tensionohet për faktin se takohen një skuadër serbe dhe shqiptare.

Përveç Ballistëve, Shkëndija pritet të përkrahet edhe nga shumë grupe të tjera të tifozëve nga të gjitha trevat shqiptare. Kurse, edhe Partizani do ta ketë përkrahjen e shumë tifozëve serbë, derisa në ndeshjen e kthimit që do ta zhvillojë në Shkup, ekipi serb pritet të përkrahet edhe nga grupe të tifozëve maqedonas.

Andaj, UEFA shpejt pritet t’i shpallë dy sfidat mes këtyre dy ekipeve si ndeshje me rrezik të lartë. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Beograd, më 12 ose 13 korrik, ndërsa ajo e kthimit, një javë më vonë në Shkup.

Ballistat kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Beogradit, e të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe tifozët serbë, të cilët kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt kryeqytetit maqedonas.

Mirëpo, institucionet serbe kanë nisur t’i kushtëzojnë tifozët shqiptarë. Në fakt, Policia serbe ka shprehur gatishmërinë t’i sigurojë tifozët e Shkëndijës. Por, sipas medieve serbe, Policia e Beogradit duket se do të jetë e urdhëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ta arrestojë çdo tifoz shqiptar që në kryeqytetin serb shpalos flamuj të Republikës së Kosovës.

“Shkelja e Kushtetutës së Serbisë nuk do të tolerohet. Nëse dikush mendon se në Beograd mund të paraqesin flamuj të shtetit që nuk ekziston, Kosovës, atëherë e ka shumë gabim. Mysafirët janë të mirëseardhur që ta përkrahin Shkëndijën në mënyrë korrekte. Por, këtu jemi në Serbi, që sikurse çdo shtet tjetër, ka të drejtë ta mbrojë kushtetutën e saj”, kanë thënë e burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për portalin sportiv serb, sportal.rs.

“Njësoj siç do të reagonte cilado polici tjetër, edhe Policia e Serbisë do të arrestojë secilin njeri që shpalos flamurin në fjalë”, ka theksuar ky burim.

Trazirat eventuale të krijuara nga tifozët mund ta detyrojnë UEFA-n që të përjashtojë fajtorët nga garat e saj. Partizani njëherë ishte përjashtuar, pas incidenteve në tribuna në duel me Zrinjskin.

Ish-kreu i sigurimit shtetëror serb, gjenerali Momir Stojanoviç kishte parashikuar të enjten se policia serbe do të jetë e aftë ta mbajë situatën nën kontroll, në ndeshjen e parë. Por, ai dyshonte se Policia maqedonase nuk do të mund të veprojë njëjtë.

Andaj, ai i ka sugjeruar Partizanit që mos t’i dërgojë tifozët e vet në Shkup, në ndeshjen e kthimit. Sipas tij, për Grobarët, Shkupi do të jetë i rrezikshëm, pasi aty do të mblidhen tifozë nga të gjitha trevat shqiptare, derisa Policia e Maqedonisë nuk do të jetë e aftë të reagojë, pasi ajo është multietnike.

FFM qetëson Shkëndijën

Raportimet e shumta të mediave serbe se ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve, mes Partizanit dhe Shkëndijës, mund të tensionohen nga tifozët shqiptarë dhe ata serbë, e kanë shqetësuar edhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM).

Megjithatë, kjo e fundit është munduar të premten ta qetësojë kampionin e këtij vendi, Shkëndija e Tetovës.

Sipas mediave të Shkupit, numri një i futbollit maqedonas, Haralampije Haxhiristevski u ka bërë thirrje tetovarëve të përgatiten në qetësi për duelet e tyre me serbët, derisa ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë ngushtë me krerët e Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që dy ndeshjet mes Partizanit e Shkëndijës të përfundojnë në mënyrë të qetë.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *