Home / Lajme / Rajon / Bashkëshortja nuk e di vendndodhjen e dëshmitarit “X”

Bashkëshortja nuk e di vendndodhjen e dëshmitarit “X”

16 qershor-Dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, Ali Mejzinolli, ish-komandant i kompanisë IV të batalionit “Ymer Alishani” dhe Naser Shala – ish-drejtor për marrëdhënie publike dhe administrim civil kanë paralajmëruar padi kundër dëshmitarit X” në një reagim publik. Ata kanë thënë se dëshmitë e tij janë të pavërteta.

Bashkëshortja e dëshmitarit “X” nuk di gjë se ku ndodhet bashkëshorti i saj. Që nga 19 marsi ajo ka thënë për “Kohën Ditore” se nuk e ka parë të shoqin e as nuk është dëgjuar më të.

“Më 19 mars në orën 8:00 të mbrëmjes ka ardhur EULEX-i dhe e ka marrë. Nuk di gjë se ku e kanë çuar e as ku është”, thotë ajo.

Bashkëshorti i saj që tash mban kodin “X”, ka qenë mbikëqyrës i të ashtuquajturit burgu i Kleçkës. Për shkak siç ka thënë të kërcënimeve me jetë, u është dorëzuar autoriteteve dhe është duke bashkëpunuar me to për të zbardhur krimet e supozuara në fshatin Kleçkë. Me dëshmitë e tij dhe provat e ofruara ka arritur ta bindë Prokurorinë Speciale që t’i arrestojë tetë persona dhe ta fusë nën hetime ish-komandantin e asaj zone, Fatmir Limajn. “X”-i ka inkriminuar shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së në mesin e të cilëve edhe Limajn.

EULEX-i ndërkohë nuk ka dashur të flasë asgjë se ku ndodhet dëshmitari “X”.

“Ne nuk komentojmë asgjë në lidhje me këtë dëshmitar”, ka thënë kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Izabelle Arnal, nëpërmjet zëdhënësit të EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Ndërkohë, si pasojë e dëshmive dhe provave të ofruara nga ky dëshmitar, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për një muaj pesë ish-pjesëtarëve të UÇK-së edhe për një muaj dhe dy të tjerëve arrestin shtëpiak.

“Një gjyqtar i procedurës paraprake i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar paraburgimin dhe masat e tjera kufizuese për të dyshuarit në “rastin Kleçka”.
Paraburgimi është vazhduar edhe për një muaj për pesë të dyshuar. Dy nga të dyshuarit do të qëndrojnë në arrest shtëpiak, dhe një i dyshuar tjetër do të duhet të lajmërohet në stacionin policor një herë në javë”, ka njoftuar EULEX-i.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Ferdinand Bouttier de Mongeau, ka vendosur mbi kërkesën e prokurorit Maorizio Salustro, derisa nuk i ka marrë për bazë fare argumentet e mbrojtjes. Ai ua ka zgjatur paraburgimin për herë të dytë, duke i lënë në paraburgim edhe për 30 ditë Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën, Naser Krasniqin, Sabit Shalën dhe Refki Mazrekun. Arrestin shtëpiak ua ka vazhduar Behlul Limajt e Besim Shurdhajt, ndërsa Shaban Shalës masën e paraqitjes në stacionin policor.

Avokati i deputetit Fatmir Limaj, Tomë Gashi, i autorizuar nga klienti i tij për të komunikuar me media, nuk i ka komentuar deklaratat e dëshmitarit “X”, sepse sipas tij akuza dhe mbrojtja nuk paraqiten në mediume, por në gjykatë.

“Sigurisht që ai i ka pasur arsyet e veta për çka deklaratat i ka bërë publike 12 vjet pas luftës. Gjithë atë që tash për tash mund ta themi është se Fatmir Limaj ka deklaruar tek organet zyrtare se në periudhën kohore për të cilat flitet për krime kinse të ndodhura në burgun e Kleçkës ai nuk ka qenë fare në Kosovë, por ka qenë në përgatitje të operacionit ‘Shigjeta’”, ka thënë Gashi. Ai ka thënë se nëse prokurori dëshiron që ta vërtetojë mbrojtjen e Limajt e ka fare lehtë, sepse, sipas tij, pos dëshmive ekzistojnë dëshmitarë, raporte të shkruara dhe filmime që në mënyrë të pakontestueshme vërtetojnë mbrojtjen e Fatmir Limajt.

“Prokurori e ka më lehtë që ta vërtetojë këtë mbrojtje dhe të mos ngre akuzë fare sa i përket Limajt. Por nëse prokurori për çfarëdo arsyeje dëshiron që punën e tij ia lë gjykatës, ne faktet do t’i paraqesim para kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Dëshmisë dhe provave të dëshmitarit “X” u beson gjykata. Në arsyetimin e gjyqtarit për vazhdimin e paraburgimit, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekzistojnë dyshimet e bazuara se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ata janë të dyshuar.

“Një sqarim i saktë i dyshimeve të bazuara gjendet në aktvendimin për vazhdimin e masave të procedurës paraprake të datës 17 mars 2011. Arsyet e njëjta janë ripohuar nga kolegji prej tre gjyqtarëve në vendimin për vazhdimin e masave të procedurës paraprake edhe nga vetë Gjykata Supreme”, thuhet në arsyetim. Në këtë arsyetim është përfshirë edhe vendimi i Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë ankesën e mbrojtjes lidhur me masat e caktuara ndaj të pandehurve. Gjykata Supreme ka konstatuar se deklarata e dëshmitarit “X” rreth ngjarjeve në Kleçkë për sa u përket kushteve të paraburgimit, vrasjes së Veliko Markoviqit dhe Nebojsha Gjuriqit, torturimit dhe vrasjes së një ushtaraku serb të burgosur dhe torturimit dhe vrasjes së 4 ushtarakëve të tjerë serbë të burgosur ishte e besueshme dhe e mbështetur mjaftueshëm nga elementet tjera të provave të siguruara në shkresat e lëndës.

“E vetmja vepër penale për të cilën Gjykata Supreme ka konsideruar se nuk kanë ekzistuar dyshimet e bazuara është ngjarja e vrasjes së Arben Avdylit”, ka thënë gjykata.

Padi kundër dëshmitarit “X”

Dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, Ali Mejzinolli, ish-komandant i kompanisë IV të batalionit “Ymer Alishani” dhe Naser Shala – ish-drejtor për marrëdhënie publike dhe administrim civil kanë paralajmëruar padi kundër dëshmitarit X” në një reagim publik. Ata kanë thënë se dëshmitë e tij janë të pavërteta.

“Dëshmitari “X” në deklarimin e tij para prokurorit në mesin e të pavërtetave që ka thënë kushedi për çfarë arsyeje shpesh përmend fshatin Shalë të komunës së Lypjanit. Në mes tjerash thotë se në fshatin Shalë ka pasur një shtëpi publike gjë që është një insinuatë apo shpifje e qëllimshme për ta etiketuar popullatën tonë, e cila dha një ndihmë të pakursyer për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagim. Këtë dëshmi ata e kanë quajtur të qëllimshme me qëllim të degradimit të këtij fshati dhe UÇK-së.

“Ndoshta dëshmitarit ‘X’ iu kanë ngatërruar mendimet e tij se gjatë periudhës së luftës në fshatin tonë ka pasur shumë të zhvendosur gjatë ofensivave famëkeqe serbe që në periudha të caktuara ka arritur në mijëra. Fshatarët i kanë strehuar dhe kanë ndarë bukën e gojës me ta. Ka mundur të jetë edhe familja e tij në mesin e tyre gjë që ne nuk kemi njohuri se kush është ky dëshmitar që po ditka më mirë se ne që kemi qenë aktivë ditë dhe natë gjatë kësaj periudhe më të lavdishme që ka pasur populli ynë ndonjëherë. Për këto padi do të ushtrojmë padi në gjykatën kompetente”, thuhet në reagim.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *