Home / Lajme / Maqedoni / Emri zor s’e zgjidhet

Emri zor s’e zgjidhet

26 qershor-Me gjithë presionin dhe insistimin e ndërkombëtarëve se kontesti me Greqinë duhet të gjejë sa më shpejtë zgjidhje, analistët vendor nuk besojnë se kontesti do të zgjidhet, madje sipas tyre, me ngritjen e shtatores së Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit, Maqedonia po thellon edhe më shumë problemet me fqinjin grek. “Tani e tutje, jo që nuk do të zgjidhet problemi i emrit, por do të hyjmë në një fazë edhe më të rëndë konfliktuoze me Greqinë dhe në një proces të paudhë”, thotë ishdiplomati Denko Maleski

Ende pa u formuar qeveria e dalë nga zgjedhjet e 5 qershorit, janë shtuar rekomandimet e ndërkombëtarëve se zgjidhja e emrit duhet të jetë përkushtim dhe prioritet i parë i kabinetit të ri qeveritar. Kështu, eurokomesari për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle ka ripërsëritur qëndrimin se çështja e emrit mbetet thelbësore dhe se të dyja palët duhet të angazhohen nën udhëheqjen e OKB-së ose në bisedimet e drejtpërdrejta mes dy vendeve. Së fundmi, kontestin e emrit me Greqinë e ka përmendur edhe senatori republikan i SHBAve, Xhon Mekejn. Pas marrjes së Çmimit ndërkombëtar të lirisë nga Diaspora e Bashkuar Maqedonase. Mekejn ka thënë se kontesti rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet, ndërkohë që është shprehur se Athina zyrtare, për momentin përballet me sfida të mëdha dhe se marrëdhëniet e mira me Shkupin me siguri do të jenë në interesin e saj.”Greqia për momentin përballet me sfida të mëdha dhe konsideroj se në një situatë të tillë, marrëdhëniet e mira me Maqedoninë me siguri do të jenë në interesin e saj. Çështja për kontestin rreth emrit mes dy vendeve mund të zgjidhet”, ka thënë ish-kandidati për president i SHBAve, njëherësh senator republikan, Xhon Mekejn.

Ndërkohë, analistët janë shprehur skeptik se mandatari Gruevski do të tregojë interesim të veçantë për të zgjidhur kontestin me emrin, meqë siç thotë profesori universitar Bekim Kadriu, ai këtë mundësi e ka pasur edhe më herët, por meqë është udhëheqës populist, ai vetëm dëgjon dhe plotëson dëshirat e popullit, por jo edhe ta shpjerë atë në rrugë të drejtë. “Është e vërtetë se ndërkombëtarët insistojnë që kontesti të zgjidhet. Ata i frikësohen destabilizimeve të mëdha në rajon, sepse nuk është vetëm Maqedonia shtet me probleme në rajon, që do të thotë se nuk është e izoluar si problem, prandaj ata përpiqen që problemin e saj ta shmangin nga agjenda e tyre politike”, thotë Bekim Kadriu. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka probleme edhe të tjera në rajon, siç është problemi i stabilitetit të paqëndrueshëm në Bosnjë, çështja e mosnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, situata e brishtë politike në Shqipëri…

“Duke i pasur këto probleme, bashkësia ndërkombëtare dëshiron së paku ta nxjerrë Maqedoninë nga ky ngërç politik, prandaj ata insistojnë që emri të zgjidhet dhe të fillojë procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat ndërkombëtare. Por, deri tani Maqedonia nuk ka manifestuar sinjale pozitive për zgjidhje të kontestit, sidomos me projektet e antikuizimit. Jo rastësisht, kryeministri grek Papandreu ka përmendur se ngritja e shtatores së Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit nuk tregon vullnet serioz për zgjidhjen e problemit të emrit. Ngritja e shtatoreve historike, të cilat ende nuk është e qartë se kujt i takojnë – ilirëve, maqedonasve ose grekëve, nuk janë sinjale se Shkupi zyrtarë dëshiron zgjidhjen e emrit, por përkundrazi – këto figura historike kanë dhënë kundërefekt të madh në proceset integruese të Maqedonisë”, konstaton Kadriu.

Ndërkaq, ish-diplomati Denko Maleski është shumë decid dhe shprehet se tani e tutje, jo që nuk do të zgjidhet problemi i emrit, por do të hyjmë në një fazë edhe më të rëndë konfliktuoze me Greqinë dhe në një proces të paudhë. “Dhe kjo është rezultat i politikës së gabuar të kryeministrit të vjetër dhe mandatarit të ri Gruevski, veçmas tani pas ngritjes së shtatores së Aleksandrit të Madh në qendër të Shkupit. Nuk dyshojë në qëllimet e mira të pushtetit, e cila mendon se me këtë do të përforcohet identiteti maqedonas, por mendoj se përkundrazi – do të ndodhë diçka tjetër akoma më e vështirë për ta zgjidhur, respektivisht do të hapet debat rreth trashëgimisë antike: kush jemi ne, çka jemi ne, problem ky që nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërtim të thjeshtë të emrit”, thotë diplomati Maleski.

Ai mendon se pas ngritjes së shtatores së Aleksandrit në Shkup, pritet që Greqia të ndryshojë qasjen rreth kontestit. “Ata tani nuk do ta trajtojnë problemin vetëm si kontest të emrit, por pala greke tani do të kontestojë edhe identitetin dhe trashëgiminë maqedonase. Është problem që nuk jemi duke i gjetur zgjidhje, por jemi duke e thurur akoma më shumë. Prandaj, nuk besoj që kjo qeveri do të zgjidh problemin e emrit dhe as zhbllokimin e proceseve integruese, pasi punët e saj të deritashme kanë krijuar problem të paqena deri tani”, konstaton Maleski.

Gjithashtu lexo

Foure mbështet reformat në OBRM-PDUKM (Foto)

Ish-euroambasadori në Maqedoni, Erwan Foure, përmes një shënimi të shkurtër në Maqedoni, ka përshëndetur iniciativën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *