Home / Lajme / Maqedoni / Fija magjike që afron zemrat njerëzore

Fija magjike që afron zemrat njerëzore

29 qershor-Në përfundim të këtij shkrimi shpreh bindjen se profesor Bekim Ramadani meriton përgëzime të fuqishme jo vetëm për gjurmimin, përzgjedhjen, notografimin, redaktimin dhe së fundi, publikimin e këtyre koraleve të përjetshme, por edhe për nismat tjera në fushën e muzikologjisë.

Pak kohë më parë dolën në qarkullim disa libra të prof. Bekim Ramadanit, ku autori ka bërë përmbledhjen e një numri të madh këngësh korale. Librat e nxjerrë në qarkullim, të cilët u promovuan në një mbrëmje të bukur e të kulturuar, emërtoheshin sipas këtyre titujve: “Këngë të zgjedhura korale”; ”Asgjë nga balta e fjalëve” dhe “Kush këndon, keq s’mendon”. Në rastin e këtij shkrimi unë nuk do të merrem me trajtimin e tyre në përgjithësi, por do të flas për njërin nga to, për librin “Këngë të zgjedhura korale”, i cili zë një vend të rëndësishëm në kulturën muzikore. Siç e shohim nga vetë titulli i librit, ai është një referencë shumëpërfshirëse e këngëve të vjetra korale të cilat, me bukurinë dhe trajtimin e tyre të kulturuar, kanë lënë mbresa në ndërgjegjen dhe shijen e dëgjuesve. Kjo është diçka që Bekim Ramadani e njeh mirë, sepse gjatë gjithë jetës së tij artistike ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me to, jo vetëm si dirigjent i korit, por edhe si studiues dhe krijues i tyre. Përmes botimit të këtij libri, autori i ka vënë vetes një detyrë jo të lehtë, aq më tepër që nuk është krijuar shumë në këtë fushë por, dëshira, pasioni dhe përgatitja profesionale bënë të mundur që ai ta kalojë këtë sfidë me shumë sukses. Bekim Ramadani është lindur dhe rritur në Tetovë. Ka diplomuar në Fakultetin e Muzikës të Universitetit Shtetëror të Tetovës në lëndën e “Formave muzikore” te dirigjenti i njohur – maestro Tomisllav Shopov.Studimet postdiplomike i ka ndjekur me shumë sukses në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e Prof. Dr. Fatmir Hysit ku mori titullin – Magjistër i Muzikologjisë.Ka punuar si mësimdhënës në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, pastaj një kohë në Universitetin AAB në Prishtinë, kurse tani është në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës, ku me sukses të madh udhëheq edhe korin e vajzave.Ka ndjekur ligjërata të shumta, seminare, trajnime dhe përvoja të ndryshme nga fusha e mësimdhënies dhe modernizimit të arsimit. Gjatë jetës së tij prej artisti, Bekimi ka ndihmuar zhvillimin e jetës kulturore duke dhënë një kontribut të pamohueshëm në ShKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës si udhëheqës artistik, ndërkaq si njeriu kyç i grupit shumë të njohur muzikor “Margaritarët” ka arritur t’u rezistojë fuqishëm ndikimeve devijuese që kanë synuar deformimin e muzikës popullore. Si muzikant, Bekim Ramadani ka pasur rastin të njihet me vende, popuj dhe kultura të ndryshme, duke prezantuar gjithmonë me shumë dinjitet kulturën dhe traditën shqiptare.Gjatë gjithë veprimtarisë së tij krijuese Bekim Ramadani është marrë edhe me problemet teorike të artit, me fenomenet kulturore, si dhe përditshmërinë e zymtë artistike të ditëve tona, duke shkruar artikuj të ndryshëm si: analiza, vështrime, qasje, impresione, studime, kritika, e të tjera të cilat i gjejmë të botuara nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Ai ka bërë shumë hulumtime në fushën e artit në përgjithësi dhe muzikës në veçanti, pastaj notografime, redaktime, përkthime, recensione, e kështu me radhë. Bekim Ramadani është edhe botues i dy librave shumë cilësor dhe tepër të veçantë në fushën e religjionit. Në botim është edhe libri i radhës me titull – “Nga kënga në këngë“.Duke marrë përsipër që të bëjë një vlerësim të përgjithshëm mbi librin “Këngë të zgjedhura korale” kuptova se vepra në fjalë, kulturës muzikore në përgjithësi e sidomos asaj korale, i vlen shumë. Po ta vështrojmë me kujdes këtë libër prej 121 faqesh, i cili përmban 14 këngë korale që mes veti dallojnë jo vetëm për nga autorësia por edhe për nga gjeografia, do të bindemi se është shkruar në mënyrë shumë profesionale e artistike. Ky botim paraqet një situatë të re që nuk mund të krahasohet me situatat e mëparshme, kur s’mund të gjeje as edhe fragmente të veçuara të botimeve korale. Dihet se traditat etnokulturore të popullit tonë janë zhvilluar gjatë rrjedhës së shekujve në marrëdhënie me disa popuj të ndryshëm, sidomos me fqinjët tanë ballkanik e mesdhetarë. Sikur gjuha jonë amtare ashtu edhe muzika jonë popullore, janë zhvilluar përmes marrëdhënieve të tilla duke përfituar kësodore një tërësi tiparesh kombëtare. Shkëmbimet e ndërsjella të arritjeve dhe përvojave dëshmojnë se sa shumë i kanë shërbyer përparimit të mëtejmë marrëdhëniet e lartpërmendura. Të asgjësosh motivet dhe modalitetet e përbashkëta me disa popuj të tjerë, është pak a shumë sikur të ndërpresësh lidhjet me të kaluarën ose sikur të këpusësh disa degë të trungut tonë etnokulturor. Andaj autori shpreson se këto këngë do t’i shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm multikulturës, por edhe ndërkulturës. Sa bukur tingëllon thënia e autorit kur shprehet se: “këndimi koral është një fije magjike që afron zemrat njerëzore, ai është një art i madh sepse, jo vetëm që bashkon njerëzit, por edhe i lumturon ata”.Kështu, profesor Bekim Ramadanit i takon një meritë e madhe për ndihmesën dhe dobinë që i sjell kulturës në përgjithësi. Të gjitha këngët që i përmban libri, kanë vlera të veçanta dhe, për të folur veçmas për çdo këngë mendoj se, duhet shumë më tepër se kjo, meqë çdo këngë është trajtuar në mënyrë profesionale dhe ka meritat e saj të veçanta. Por unë do të veçoja mes tyre sidomos ato këngë, të cilat për një kohë shumë të gjatë nuk gjendeshin si partitura ndërkaq sot mund ti shohim të redaktuara, të punuara me kujdes e të organizuara bukur në një libër. Shumica e këngëve janë të përpunuara për kor të përzier dhe po t’i shikojmë me kujdes, do të vërejmë se, me sa profesionalizëm e mjeshtëri janë bërë ndarjet e zërave të basit, tenorit, altos e sopranos. Secili zë, aty shtjellohet në mënyrë të drejtë e të saktë dhe të gjithë bashkë krijojnë atmosferën e bukur dhe emocionale që transmeton e gjithë kënga.
“Këto përpunime dhe harmonizime, sido që ti quajmë, kanë karakter pragmatik, janë forma shprehëse pa pretendime të mëdha, sepse ndryshe do të paraqitnin vështirësi interpretuese për koret amatore. Por, brenda librit ka edhe të tilla këngë të cilat në aspektin melodik, ritmik dhe harmonik i tejkalojnë konceptet e krijimeve amatore dhe marrin fizionominë e krijimeve komplekse” thotë autori në parathënien e tij drejtuar të nderuarve artdashës. Në përgjithësi, jo vetëm ky libër, por edhe dy librat e tjerë që dolën së bashku me të në qarkullim, i plotësojnë kriteret e një shkrimi profesional dhe tërheqin vëmendjen e të gjithë atyre që merren me interpretimin dhe përpunimin e krijimtarisë popullore, por edhe të çfarëdo krijimtarie tjetër artistike.Në përfundim të këtij shkrimi shpreh bindjen se profesor Bekim Ramadani meriton përgëzime të fuqishme jo vetëm për gjurmimin, përzgjedhjen, notografimin, redaktimin dhe së fundi, publikimin e këtyre koraleve të përjetshme, por edhe për nismat tjera në fushën e muzikologjisë.

Bexhet Bekteshi, student i Muzikologjisë në USHT

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *