Home / Lajme / Maqedoni / Gjithnjë e më pak nxënës

Gjithnjë e më pak nxënës

29 qershor-
Në disa fshatra të rrethinës dhe Malësisë së Tetovës tanimë ka filluar edhe mbyllja e paraleleve si pasojë e emigrimit të familjeve të tëra. Struga megjithatë mban vendin e parë për zvogëlimin, gjithnjë e më shumë të nxënësve në bankat shkollore. Edhe Kumanova me rrethinë nuk mbetet pas. Një shqetësim dhe më i madh, sipas krerëve të pushtetit lokal, mbetet liberalizimi i vizave

Urim Hasipi
– Migracioni ekonomik vazhdon edhe më tej të mbetet një shqetësim për shqiptarët gjithandej, e në veçanti për banorët e rretheve ku jetojnë shqiptarët, duke shkaktuar kështu edhe zbrazjen e bankave shkollore dhe shkurtimin e numrit të nxënësve deri në 20 për qind.

Sipas zyrtarëve, në disa fshatra të rrethinës dhe Malësisë së Tetovës tanimë ka filluar edhe mbyllja e paraleleve si pasojë e emigrimit të familjeve të tëra. Situatë e tillë është regjistruar edhe në rrethinën e Shkupit, Strugës dhe Kumanovës, ku shqetësim dhe më i madh, sipas krerëve të pushtetit lokal, mbetet liberalizimi i vizave kur pritet dhe një fluks i ri i largimeve të banorëve të kësaj ane.

Fshati Nerasht dhe Dobrosht janë dy fshatrat, ku ekipi i gazetës KOHA u njoftua për së afërmi me këtë dukuri që është e ngjashme, ndoshta dhe më keq se në fshatrat e tjerë të rrethinës. Vetëm para 20 vjetëve, shkolla e fshatit Dobrosht numëronte mbi 600 nxënës, të cilët nuk kishin dhe hapësira të mjaftueshme për të mësuar, ndërsa sot po ato hapësira të cilat edhe janë shtuar, nuk ka kush t’i mbush meqë numri i nxënësve ka zbritur në rreth 400. Migracioni ekonomik është shkaku kryesor për këtë dukuri, thonë banorët e këtij fshati.

40 për qind e banorëve në mërgim

Nga 5100 banorë sa numëronte ky fshat para 20 vjetëve, tanimë rreth 40 për qind prej tyre janë në mërgim, 1200 fshatarë janë me banim të përhershëm vetëm në Danimarkë, ndërsa të tjerët kanë prekur gjithë Evropën duke arritur deri në SHBA. “Dikur kjo shkollë kishte nga 3 paralele, ndërsa sot mezi mbushet një, ndërsa ne qëllimisht i ndajmë në dy paralele”, shpjegojnë arsimtarët e kësaj shkolle.

Dhe numri i vogël i nxënësve tanimë paraqet probleme edhe për të punësuarit, pasi arsimtarët dhe stafi administrativ kanë vendime, ndërsa nuk mund t’i sistemojnë, për shkak të numrit të vogël të klasave dhe orëve. E njëjta “sëmundje” ka kapur edhe shkollat tjera. Sipas të dhënave jozyrtare, sa fëmijë regjistrohen në shkollat e fshatrave të Tetovës, gjysma e tyre regjistrohen në vendet e Evropës. Edhe në fshatin Odër, ku punon shkolla periferike në kuadër të Shkollës “Faik Konica”, ka një përgjysmim të numrit të nxënësve. Nga më pak se 30 nxënës në klasën e tetë, këtë vit kanë vazhduar shkollimin 15 nxënës. Ajo që shqetëson dhe më tepër përgjegjësit është se ky numër përfshinë jo vetëm nxënësit e fshatit Odër, por edhe ata të fshatit Orashë, të cilët në fshatin e tyre kanë ndjekur mësimin deri në klasën e katërt dhe më pas i janë bashkangjitur shkollës periferike në fshatin Odër. Por, vendin e parë për zbrazjen e shkollave vazhdon ta ketë Struga me rrethinë. Xhemi Hajredini, udhëheqës i Sektorit për arsim në Komunën e Strugës, kohë më parë ka deklaruar se struganët shpërngulen në vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerikë. “Prindërit i çregjistrojnë fëmijët nga shkollat tona, sepse shpërngulen jashtë vendit. Vetëm gjatë tre viteve të fundit numri i nxënësve është zvogëluar madje për 30 për qind, edhe tek maqedonasit dhe tek shqiptarët”, thotë Hajredini.

Faktor tjetër që ka sjellë deri në këtë gjendje, thonë njohësit e çështjeve në arsim, është edhe zvogëlimi i natalitetit, ndërsa problemi i dytë më i madh është gjendja e rëndë ekonomike që ka detyruar fshatarët të braktisin vendin dhe t’i drejtohen mërgimit.

“Fëmijët e harruar” hetohen nga ISHA

Sipas të dhënave nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, në vitin 2009 janë regjistruar 22.554 nxënës të klasës së parë, ndërsa në vitin 2010, gjithsej 22.669. Këtë vit, sipas listës së marrë nga shërbimi i gjendjes civile të MPBsë, duhet të regjistrohen 27.859 fëmijë, por drejtori i ISHA, Gjorgje Arsov thotë se ai nuk është numri përfundimtar.

“Nga ky numër do të përjashtohen fëmijët e vdekur, ata të cilët janë shpërngulur jashtë vendit dhe fëmijët, të cilët për shkak të shkaqeve shëndetësore nuk mund të shkojnë në shkollë. Për ndryshe, në maj të këtij viti janë regjistruar 18.002 fëmijë, rreth 64.6 për qind sipas kësaj liste. Presim që të tjerët të regjistrohen deri në shtator, kur do të kemi fotografinë e vërtetë. Shumë nga prindërit manipulojnë, por atë e bëjnë me qëllim të mirë. Për shkak të rajonizimit të shkollave, së pari duhet të regjistrohen nxënësit nga rajoni përkatës, dhe pastaj nëse ka vend për të tjerët që do të paraqiten. Disa prindër dëshirojnë që fëmijët t’ju mësojnë në rajon tjetër dhe presin që të mbarojnë regjistrimet në maj”, thotë Arsov.

Edhe ai ka vërejtur zvogëlim të nxënësve të klasës së parë para vitit 2009, por thotë se numrat nuk kanë qenë real, sepse shteti nuk ka mbajtur evidencë sipas listës së shërbimit të gjendjes civile.

“Gjatë tre viteve të fundit presim që të na dërgojnë listë nga shërbimi i gjendjes civile që të mund të kontrollojmë secilin fëmijë. Numrat nuk do të thonë se ka më shumë ose më pak fëmijë se më herët. Në realitet, numra real deri para tre viteve as që kishte, sepse shumë fëmijë nuk janë regjistruar në shkollë. Shërbimet nuk kishin evidencë se cilët dhe sa fëmijë duhet të shkojnë në shkollë. Thjesht, pritnin se kush do të regjistrohet vet. Gjithashtu ka patur edhe prindër, të cilët nuk janë kujdesur për atë se kur fëmijë duhej t’u shkojë në shkollë. Tani ndodhë që të gjejmë ‘fëmijë të harruar’ që është dashur të regjistrohet para katër viteve. Ajo ndodhë më shpesh te komuniteti rom dhe në ambientet rurale në Maqedoni”, thotë Arsov.

Pasi të mbarojë afati i regjistrimit, inspektorët dalin në terren të vërejnë se pse fëmijë të caktuar të cilët janë në listë – nuk janë regjistruar. Nëse janë të gjallë dhe nuk janë të shpërngulur nga vendi, ndërsa prindërit refuzojnë t’i regjistrojnë, kundër tyre ngrihet padi penale. “Praktika thotë se gjysma të cilët kanë marrë padi penale menjëherë i kanë regjistruar fëmijët në shkollë”, thotë Arsov

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *