Home / Lajme / Maqedoni / Nuk janë regjistruar rreth 10 mijë gjysmëmaturantë

Nuk janë regjistruar rreth 10 mijë gjysmëmaturantë

24 qershor-Në afatin e parë të qershorit, në shkollat e mesme publike janë regjistruar 14.885 nxënës, prej 25.152 gjysmë-maturantëve të këtij viti. Trend pozitiv është interesi i rritur për shkollat e mesme profesionale

Nga nxënësit e regjistruar, 3.434 janë në paralelet në gjuhën shqipe, 11.218 në gjuhën maqedonase, 167 në gjuhën turke dhe 66 përsëritës. Në vitin e parë në gjimnaz tani për tani janë regjistruar 6.424, në shkollat e mesme profesionale 8.001, në shkollat për arte 235 nxënës dhe në gjimnazin sportiv 225.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov, në konferencë për shtyp tha se është i kënaqur nga paraqitja e parë.

“Regjistrimi kaloi në rendin më të mirë. Trend pozitiv është interesi i rritur për shkollat e mesme profesionale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi që në të kaluarën ishte shumë më i madh për gjimnazet… Është rritur interesi për drejtimin ekonomik, juridik, tregtar, industrisë së drurit për arsim katërvjeçar dhe për gjimnazin sportiv”, njoftoi Todorov.

Për vitin shkollor 2011/2012 MASH shpalli konkurs me 35.223 vende të lira. Në tri shkolla të mesme profesionale nga viti i ri shkollor vendosen profile të reja atraktive në tregun e punës. Si edhe viteve të kaluara, është i madh interesimi për drejtimet në mjekësi në gjuhën shqipe, prandaj për selektimin e nxënësve të cilët kanë pasur numër të njëjtë të pikëve, pardje në “Dr. Pançe Karagjozov” kishte testim kualifikues. Për motër medicinale janë testuar 109 nxënës dhe janë pranuar 102, për teknik dhëmbësh janë zgjedhur 34 dhe për teknik laboratorik farmaceutik nga 46 të paraqitur, testin e kanë kaluar 41, ndërsa janë pranuar 34 nxënës.

Ka edhe shkolla profesionale ku jehona e regjistrimit ka qenë shumë e dobët, siç janë drejtimi bujqësor apo veterinar.

Ministri kumtoi se MASH-i bën analizë për regjistrimet në universitete, e cila mund të ndërlidhet edhe me regjistrimet në shkollat e mesme. Bazohet në të dhënat e Agjencisë për punësim për interesimin e punëdhënësve dhe për numrin më të madh të vendeve të lira për punësim.

“Është e rëndësishme nxënësit dhe studentët kur zgjedhin drejtim t’i shohin tendencat dhe lëvizjet e tregut të punës dhe të mendojnë për mundësitë e tyre për punësim në të ardhmen”, tha Todorov dhe paralajmëroi se analizën do ta prezantojë javën e ardhshme.

Mundësi edhe për afatin e dytë këtë muaj kanë 10.267 gjysmëmaturantët e paregjistruar, më 29-të dhe 30-të qershor, ndërsa afati i dytë i regjistrimit në shkollat të cilat do të kenë vende të lira është më 18 gusht. Në gjimnazet ka 5.039 vende, në ato profesionale 14.796, në shkollat e artit 176 dhe në gjimnazin sportiv “Metodia Mitevski-Brico” në Shkup 47 vende të lira. Nga viti 2008/2009 arsimi i mesëm është i obligueshëm, ndërsa prindërit të cilët nuk do t’i regjistrojnë nxënësit në shkolla do të gjobohen.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *