Home / Lajme / Maqedoni / Osmani për unifikim, PDSH preferon opozitën

Osmani për unifikim, PDSH preferon opozitën

19 qershor-Duke përsëritur qëndrimin për unifikim të faktorit politik shqiptar, Rufi Osmani thotë se vetëm në këtë mënyrë, orvatjet e partisë fituese maqedonase për të bërë qeveri pa shqiptarët, do të mund të dështojnë. Në PDSH përsërisin se në katër vitet e ardhme – do të jenë pjesë e opozitës

Spekulimet se VMRODPMNE mund të kompensojë partinë e Ahmetit duke bërë qeveri me grupin parlamentar të Fiat Canovskit si dhe disa deputetë të pakicave, ka ndezur alarmin te lideri i partisë RDK, Rufi Osmani, i cili të premten në një takim me gazetarët, ka ftuar në unifikim faktorin politik shqiptar për ta parandaluar këtë mundësi.

“Ka indikacione të sigurta se VMRO ka gjasa reale që të krijojë shumicë parlamentare duke shkëputur një pjesë të deputetëve nga blloku opozitar i majtë. Nëse VMRO arrin që ta realizojë këtë synim, me automatizëm humb pozicioni politik i partisë fituese shqiptare, në këtë rast i BDI-së që do të nënkuptonte një pozitë të parëndësishme, i ngjashëm me pozicionin që e kishin në vitit 2008. Që të mund të tejkalohet ky pozicion inferior, sërish apeloj deri te dy partitë më të mëdha shqiptare që dolën pas procesit zgjedhor – BDI dhe PDSH, të shqyrtojnë mundësinë e unifikimit të deputetëve shqiptarë në Parlament, të cilave do t`u bashkoheshin edhe ato të RDK-së, që të mund të vijë deri tek faktorizimi i partive politike shqiptare dhe më pas, të kërkojmë hisen tonë në qeverinë e ardhshme. Në të kundërtën, nëse BDI vazhdon që vetë të jetë pjesëmarrëse në qeveri, ajo thjesht do ketë pozicion të ngjashëm me atë të tri viteve paraprake qeverisëse, me pak modifikime që do të ishin të parëndësishme për ndryshimin e gjendjes ekzistuese”, potencoi Osmani.

Nga partia e Thaçit nuk prononcohen rreth kësaj ideje të Osmanit. Ata edhe një herë kanë përsëritur qëndrimin se në katër vitet e ardhshme do të mbeten në opozitë.

“Do të jemi një opozitë reale dhe konstruktive e Parlamentit të ardhshëm”, ka thënë shkurt Metin Izeti, sekretar i PDSH-së. Ai nuk ka dashur të komentojë deklaratat e kreut të partisë para zgjedhjeve, i cili thoshte se nëse PDSH i fiton zgjedhjet, do t’i ftojë të gjitha partitë shqiptare për bashkëqeverisje. Ndryshe, kohë më parë, mundësinë e unifikimit të partive shqiptare pas zgjedhjeve, e kishte hedhur poshtë Abdylaqim Ademi, i cili la të kuptohet se në koalicionin e ardhshëm qeveritar, BDI do të bashkëqeverisë vetëm me VMRO-në. Në takimin me gazetarë, Rufi Osmani ka komentuar procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Sipas tij, partitë fituese të zgjedhjeve mbajnë qëndrim me dy kute, duke potencuar se ato ndryshe deklarojnë dhe ndryshe veprojnë. Në këtë kontest, Osmani ka përmendur vendosjen e bustit të Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit, duke nxitur kështu reagimin e palës greke dhe faktorin ndërkombëtar.

“Ajo që është për tu habit, janë qëndrimet paradoksale dhe të papranueshme të dy personave shumë me rëndësi në BDI, Musa Xhaferi si shef i ekipit të negociatave me VMRO-në dhe Ibrahim Kelmendit që është këshilltar kryesor politik i liderit të BDI-së Ali Ahmeti. I pari thotë se vendosja e bustit të Lekës së madh nuk ka ndonjë peshë në drejtim të procesit të integrimit, ndërsa i dyti mbron tezën se duhet vazhduar procesi i antikuizimit në Maqedoni, duke bërë një lidhje, sipas tij, ndërmjet maqedonasve antik, pellazgëve Ilir e kështu me radhë. Këto qëndrime nxjerrin në sipërfaqe se partnerët e koalicionit qeveritar nuk kanë qëndrim unik dhe serioz për tejkalimin e këtij problemi që paraqitet kyç në procesin e integrimit euroatlantik”, ka thënë Rufi Osmani.

Ai ka përsëritur qëndrimin se i kthehet komunës, duke siguruar opinionin për një politikë konstruktive të deputetëve të partisë së tij në kuvendin republikan. Përkundër paralajmërimeve të mëdha, Rufi Osmani me partinë e tij RDK, që u formua vetëm disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit, nuk arriti të fitojë më shumë se dy deputetë. Vlen të theksohet edhe fakti se partia e Ahmetit arriti ta mposhte atë edhe në qytetin e Gostivarit, me afër një mijë vota diferencë. Përkundër kësaj, Osmani ka paralajmëruar se pas pushimeve verore dhe me mbarimin e muajt të Ramazanit, do të fillojnë aktivitet për strukturimin dhe organizimin e degëve partiake në nivel të shtetit. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që kësaj parti t’i bashkëngjiten edhe anëtarë të partive të tjera opozitare shqiptare që ngelën jashtë parlamentit.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *