Home / Lajme / Maqedoni / PDSH-ja ndërpreu marrëdhëniet me televizionin Alsat-m

PDSH-ja ndërpreu marrëdhëniet me televizionin Alsat-m

24 qershor-PDSH-ja theksonë se do të vazhdojë injorimin e këtij televizioni që është themeluar për ta afirmuar modelin e veprimit politik që vjen ndesh me mendësinë dhe përcaktimet shekullore të shqiptarëve, sidomos për shkak se është e bindur se misioni i këtij televizioni në shoqërinë shqiptare është i dështuar. Këto tendenca për ringjallje të së kaluarës janë gjithsesi reaksionare.

Partia Demokratik Shqiptare përmes një komunikate reagoi ndaj televizionit Alsat-m duke theksuar se ky medium në vazhdimësi po shpif kundër tyre.

“Alsati maqedonas sërish, në mënyrë sistematike vazhdon të merret me PDSH-në, me një parti politike shqiptare që ka vazhdimisht mbështetje të fuqishme nga elektorati shqiptar në Maqedoni.Ky televizion privat që nga themelimi i tij përpiqet ta përfundojë atë që nuk arritën institucionet e ndryshme maqedonase, gjyqësore, policore, informative: eliminimin e PDSH-së nga skena politike”, thuhet në reagimin e PDSH.

Në reagim më tej theksohet se, “PDSH-ja ndërpreu marrëdhëniet me këtë televizion privat që i kishte dhënë vetes detyrën që të ndikojë në deformimin e opinionit politik të shqiptarëve të Maqedonisë për shumë shkaqe të përmendura më poshtë.

1. Profesionale. Gazetarët e këtij televizioni ende nuk dallojnë lajmin prej komentit. Çdo informatë që japin për PDSH-në e shoqërojnë me bishta, përkatësisht me komentime konfuze, etiketime dashakeqe për ta rrënuar imazhin e PDSH-së. Si duket ata që lejuan themelimin e këtij televizioni privat kanë imponuar kërkesën që vazhdimisht të veprohet kundër PDSH-së. Drejtuesit multietnikë të këtij televizioni mendojnë se eksponimi në ekran është i barazvlefshëm me legjitimitetin për të dhënë vlerësime politike dhe morale për partitë politike shqiptare, madje edhe të atilla me intonacion gjyqësor;

2. Morale. Ky televizion që është themeluar me qëllime dhe mjete të dyshimta, ky televizion që brenda natës mori licencën e televizionit publik nuk ka dilema morale për shpifje, etiketime nga më të neveritshmet. Spotet anti-PDSH që në vazhdimësi emetonte ky televizion sidomos ato gjatë zgjedhjeve të vitit 2008 dëshmojnë se ky institucion i informimit publik punon me urdhra të atyre që ia dhanë licencën. Gatishmëria e drejtuesve të këtij televizioni që të imputojë akuza të përbindshme dëshmon për mendjen e tyre kriminale. PDSH-ja është përpjekur që në rrugë legale gjyqësore t’i zgjidhë problemet që i krijon ky televizion, por procedurat ngecin në sirtarët e atyre që e dhanë licencën për veprim diversant të këtij televizioni në shoqërinë shqiptare;

3. Politike. Themeluesit e këtij televizioni vazhdimisht kanë manifestuar interesat e tyre politike. Duke qenë të bindur se nuk kanë gjasa që me procedura demokratike të fitojnë legjitimitet politik, ata e përdorin këtë televizion si instrument për ndikim politik për të arritur atë që partitë maqedonase nuk arrinin dot: zëvendësimin e ligjërimit etnik me atë multietnik tipik për traditën jugosllave të bashkim-vëllazërimit;

4. Psikologjik. Drejtuesit e këtij televizioni maqedonas sipas gjitha gjasave vuajnë nga sindroma e megalomanisë. Duke menduar se janë faktorë të rëndësishëm në politikë ata sillen si të ishin një institucion që duhet të vendosë kush në Maqedoni do të merret me politikë dhe kush jo. Me komentin e fundit ata rangimin e PDSH-së si parti e dytë shqiptare, përkundër gjitha manipulimeve e vlerësojnë si disfatë. Shumë parti shqiptare apo maqedonase do të parapëlqenin të pësojnë si PDSH-ja.

Me këto marifetllëqe, ata fshehin motivet kryesore të themelimit të këtij televizioni: deformimin e opinionit politik përmes dezinformimit të vazhdueshëm paskrupullt si dhe interesat e tjera abuzive, siç janë pastrimi i parave, korrupsioni, shantazhi i partive politike etj.

PDSH-ja theksonë se do të vazhdojë injorimin e këtij televizioni që është themeluar për ta afirmuar modelin e veprimit politik që vjen ndesh me mendësinë dhe përcaktimet shekullore të shqiptarëve, sidomos për shkak se është e bindur se misioni i këtij televizioni në shoqërinë shqiptare është i dështuar. Këto tendenca për ringjallje të së kaluarës janë gjithsesi reaksionare.(INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *