Home / Lajme / Maqedoni / Të fortët e negociatave

Të fortët e negociatave

18 qershor-Njerëz me lojalitet të padiskutueshëm ndaj të dy liderëve, profesionistë në fushat e tyre dhe me reputacion. Ky është pak a shumë profili i negociatorëve që do të mundohen të gjejnë kompromisin më të mirë të mundshëm për palën që përfaqësojnë

– Tavolina e negociatave mes dy partnerëve të ardhshëm që do të qeverisin vendin ka ulur së bashku eksponentë të rëndësishëm të dy forcave politike. Njerëz me lojalitete të padiskutueshëm ndaj të dy liderëve, profesionistë në fushat e tyre dhe me reputacion. Ky është pak a shumë profili i negociatorëve që do të mundohen të gjejnë kompromisin më të mirë të mundshëm për palën që përfaqësojnë, edhe pse emrat e tyre janë zbardhur jo zyrtarisht, por nga burime konfidenciale nga dy blloqet politike.

Përkatësisht nga pala shqiptare grupi drejtohet nga Abdilaqim Ademi dhe në përbërje të Izet Mexhitit, Ermira Mehmetit, Fatmir Besimit dhe Musa Xhaferit. Si kundërpeshë VMRODPMNE ka vendosur Sasho Mijallkovin si kryetar, së bashku me anëtarët e tjerë të kabinetit të kryeministrit, si Gordana Jankullovska, Nikolla Todorov, Zoran Stravrevski dhe Vladimir Peshevski. Në ekipin shqiptar, lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka përzgjedhur eksponentë të rëndësishëm të partisë së tij dhe njerëz që gëzojnë besimin e tij të plotë. Shefi i grupit, zëvendëskryeministri aktual Abdilaqim Ademi njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i partisë, konsiderohet si një ndër personat e afërt të Ahmetit. Ish deputet në mandatin e parë të partisë dhe shef i kabinetit të Ahmetit, Ademi u ul tre vjet më parë në një prej posteve më të rëndësishëm të ekzekutivit. Gjatë këtyre viteve Ademi ka qenë një prej personazheve më aktiv në publik, jo rrallëherë është vendosur në pozicione të palakueshme dhe është një nga integristët që është shigjetuar më së shumti me kritika, por edhe akuza. Kjo falë angazhimit të tij në çdo anë, madje edhe në shumë sfera që shpeshherë nuk kanë qenë në kompetenca e tij. Ademi me paraqitjen e tij në publik dhe gatishmërinë për t’u prononcuar për çdo çështje, ka krijuar simpati dhe antipati të ekuilibruara, për shkak edhe të një qëndrimi që është interpretuar sa flegmatik po edhe i qetë dhe i përmbajtur nga ana tjetër.

Musa Xhaferi, ministër i Pushtetit lokal dhe vetëqeverisjes, ish zëvendëskryeministri i parë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, deputet dhe ish funksionar, njëherazi njëri prej personave më të besuar të liderit Ahmeti, eksponat me influencë si gjatë periudhës së luftës kur ishe edhe përfaqësues në Bruksel. Xhaferi, emri i të cilit nuk figuroi në listat e deputetëve lakohet si një prej kandidatëve më potencialë për të zënë ndonjë post të rëndësishëm në përbërjen e ardhshme qeveritare.

zet Mexhiti, anëtari tjetër i grupit negociator, i njohur si kryetari i suksesshëm komune, së bashku me Nevzat Bejtën, është një tjetër person me influencë në parti. Mexhiti është një tjetër figurë kyçe në parti, për shkak edhe të grupit që përfaqëson “të Shkupit”, i cili i ka garantuar partisë fitoren e padiskutueshme në këtë zonë. Mexhiti ka qenë i njohur për deklaratat më të guximshme që jo rrallëherë nuk kanë qenë në një vijë me ato të partisë dhe përfaqësuesve të saj në Qeveri.

Fatimir Besimi ose “truri ekonomik” i partisë, ministër aktual i Ekonomisë gëzon një reputacion të lakmueshëm për shkak të aftësive të tij prej profesionisti dhe drejtuesi të suksesshëm të dikasterit që drejton. I sprovuar në ekzekutiv dhe në poste kyçe, Besimi gëzon autoritetit e një kuadri të suksesshëm të partisë.

Ermira Mehmeti-Devaja, e cila viteve të fundit i ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt, por duke përligjur edhe besimin e dhënë nga partia. Devaja është një tjetër eksponente e BDI-së që u shfaq gjithnjë e më afër kryetarit të partisë duke sfiduar bashkëpartiakë të tjerë që kishin qenë krahu i djathtë i Ahmetit. Devaja po ashtu është një nga figurat emblematike të BDIsë e cila në paraqitjet e saj tepër të shpeshta publike demonstroi se delikatesa dhe sharmi i gjinisë që përfaqëson së bashku edhe me karizmën politike, janë arma më e fortë e të qenit deputete dhe femër e suksesshme në politikë. Emri i deputetes me elokuecë atraktive që di të jetë edhe ironike, lakohet si kandidate potenciale për të zënë vendin e kryetares së Parlamentit.

Teuta Arifi, është një tjetër anëtare e delegacionit, një prej bashkëthemeluesve të partisë, një tjetër femër me reputacion brenda dhe jashtë BDI, e cila ka gjasa që të jetë edhe kryetarja e ardhshme e Parlamentit. Arifi vitet e fundit ka qenë më pak aktive dhe gjithnjë më pak e eksponuar në publik. Zëri i saj kritik është artikuluar në formën e kolumnave në mediat vendase.

Ndërkohë, bisedimet me palën tjetër do të zhvillohen me një ekip negociator që kryesohet nga një personalitet që gëzon reputacionin e “padëshirueshmit” në BDI. Ai është daja i kryeministrit dhe kreu i Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, dhe që kryeson ekipin negociues të VMRO-DPMNE, gjë për të cilën mediat nuk kanë ngurruar ta cilësojnë si një formë presioni psikologjik që kryeministri po ushtron ndaj palës tjetër. Kjo gjë ndoshta edhe për faktin se në dokumentacionet konfidenciale që u publikuan nga Uikiliks, lideri i BDIsë Ahmeti shprehej negativisht për të. Mijallkov konsiderohet si njeri me pushtet absolut, edhe pse e ushtron më së shumti nën hije. Po ashtu i apostrofuar edhe si person me aversion të theksuar ndaj shqiptarëve.

Anëtarët e tjerë janë po ashtu në përbërje të ekzekutivit të tanishëm, persona që gëzojnë besimin e kryeministrit, si shefi i tij i kabinetit Martin Protuger, po ashtu edhe si persona që kanë në dorë qetësinë dhe rendin publik po aq sa edhe ekonominë e vendit1

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *