Home / Lajme / Maqedoni / Zgjedhjet e shtata parlamentare

Zgjedhjet e shtata parlamentare

5 qershor-Zgjedhjet e para për deputetë në Kuvend u mbajtën në vitin 1990, të dytat në 1994, të tretat në 1998, të katërtat në 2002, të pestat në 2006, ndërsa të gjashtat në vitin 2008

Zgjedhjet e sotme të parakohshme, janë të shtatat zgjedhje parlamentare, ndërsa prononcimi i 16-të zgjedhor në Republikën e Maqedonisë. Zgjedhjet e para për deputetë në Kuvend u mbajtën në vitin 1990, të dytat në 1994, të tretat në 1998, të katërtat në 2002, të pestat në 2006, ndërsa të gjashtat në vitin 2008. Krahas zgjedhjeve parlamentare, janë realizuar edhe katër zgjedhje presidenciale – në 1994, 1999, 2004 dhe në vitin 2009, si dhe pesë zgjedhje lokale – në vitin 1990, 1996, 2000, 2005 dhe 2009. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë dy herë dolën edhe në referendum, në vitin 1991, kur u vendosën për shtet të pavarur dhe në vitin 2004, kur u prononcuan për propozimin e ri për ndarje territoriale.

Zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare në Maqedoni u mbajtën në nëntor të vitit 1990.

Zgjedhjet u realizuan sipas modelit zgjedhor të shumicës. Morën pjesë 18 parti politike dhe 43 kandidatë të pavarur. Raundi i parë u mbajt më 11 nëntor, ndërsa i dytë më 25 nëntor. Jehona zgjedhore në raundin e parë ishte 84,8% ndërsa në të dytin 76,8%.

Më shumë vende për deputetë në përbërjen e kuvendit nga viti 1990 deri në vitin 1994 kishte VMRO-DPMNE-38. SKP-PDP (LSDM-ja e sotme) – 31 dhe Partia për Prosperitet Demokratik – 17.

Në Parlament participuan edhe deputetë nga Lidhja e Forcave Reformuese të Maqedonisë, nga PSM-ja, nga Partia e Jugosllavëve në Maqedoni, Partia e Re Demokratike-Progresive, nga VMRO-Partia Demokratike, nga Partia për Emancipim të Plotë të Romëve dhe tre kandidatë të pavarur. Kryetar i Kuvendit në atë periudhë ishte, Stojan Andov, Kuvendi me shumicë votash e zgjodhi Kiro Gligorovin president të shtetit. Më 20 mars të vitit 1991 u zgjodh qeveria e parë eksperte e Republikës së pavarur të Maqedonisë e udhëhequr nga Nikolla Klusev. Në shtator të vitit 1992 pas votimit të mosbesimit në Kuvend, qeveria e Klusevit dha dorëheqje, ndërsa kabinet të ri qeveritar formoi, Branko Cërvenkovski i LSDM-së.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u mbajtën në tetor të vitit 1994. U zbatuan sipas modelit zgjedhor të shumicës më 16 dhe 30 tetor, njëkohësisht me zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale.

Në zgjedhjet morën pjesë 38 parti politike dhe 283 kandidatë të pavarur. Jehona në raundin e parë ishte 77,3 për qid, ndërsa në raundin e dytë 57,8 për qind.

VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike që atëherë udhëhiqej nga Petar Goshev e bojkotuan raundin e dytë të zgjedhjeve, me konfirmimin se ka pasur parregullsi serioze në procesin zgjedhor.

Më 19 nëntor të vitit 1994 u inaugurua përbërja e re e Kuvendit. Më tepër vende për deputetë në përbërjen parlamentare 1994-1998 kishte LSDM-ja-62, PLD-ja -27, Partia për Prosperitet Demokratik 11, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve -4, Partia Popullore Demokratike -2, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, Partia për Aksion Demokratik – Rruga Islamike -1, Lidhja Demokratike e Maqedonisë -1, Partia Socialdemokratike e Maqedonisë -1, Partia për Emancipim të Përgjithshëm të Romëve – 1, Partia Socialiste e Maqedonisë – 6, ndërsa 4 deputetë ishin të pavarur. Kryetar i Kuvendit përsëri u zgjodh Stojan Andov, i cili mbeti në këtë funksion deri në mars të vitit 1996. Pasi Andovi dha dorëheqje, në këtë pozicion erdhi Tito Petkovski.

Me një konstelacion të tillë të forcave, partitë politike që ishin në pushtet deri në zgjedhjet e vitit 1994, përsëri formuan qeveri koalicioni me në krye Branko Cërvenkovskin, nga LSDM-ja.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në tetor dhe në nëntor të vitit 1998. U votua në dy raunde sipas parimit të shumicës së kombinuar dhe parimit proporcional – 85 deputetë u zgjodhën me modelin e shumicës, ndërsa 35 sipas modelit proporcional. Në votime dolën 72,9 për qind nga votuesit e regjistruar.

Fitoi koalicioni “Për ndryshime” që e përbënte VMRO-DPMNE-ja dhe Alternativa Demokratike. Në Kuvend më shumë vende për deputetë kishte VMRO-DPMNE -49, LSDM-27, PPD -14, AD-13, PDSH-PPD-11, PLD-PDM-4, PSM-1 dhe Lidhja e Romëve të Maqedonisë-1.

Qeverinë e formuan VMRO-DPMNE, AD dhe PDSH, ndërsa udhëhiqej nga Lupço Georgievski. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Savo Klimovski. Në nëntor të vitit 2000, pasi AD u largua nga qeveria u zgjodh Stojan Andov. Në maj të vitit 2001, kur filloi konflikti ushtarak, u formua qeveri e koalicionit të gjerë në të cilën hyri LSDM-ja, ndërsa u largua në nëntor të vitit 2001.

Zgjedhjet e katërta parlamentare u mbajtën më 15 shtator të vitit 2002 sipas modelit zgjedhor proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Jehona e votuesve ishte 73,4 për qind.

Merrnin pjesë 33 parti dhe koalicione, si dhe pesë lista të kandidatëve të pavarur. Fitoi koalicioni “Për Maqedoninë së bashku”, i cili kishte më shumë vende për deputetë në Kuvend -60. Koalicioni VMRO-DPMNE-PL kishte 33, BDI-16, PDSH-7, PPD-2, PDK-1 dhe PSM-1 deputet.

Kryetar i Kuvendit ishte Nikolla Popovski deri në nëntor të vitit 2003, kur pas largimit të tij në funksion ministër u zëvendësua nga Lupço Jordanovski. Koalicioni “Për Maqedoninë së bashku” formon qeveri të udhëhequr nga Branko Cërvenkovski. Në korrik të vitit 2003 u bë rikonstruksioni i qeverisë. Pas zgjedhjes së Cërvenkovskit president të vendit, kryeministër u bë Hari Kostov, i cili qëndroi në krye të qeverisë deri në nëntor të vitit 2004, kur dha dorëheqje. U formua përbërje e re qeveritare, e kryesuar nga Vllado Buçkovski.

Zgjedhjet e pesta parlamentare u mbajtën më 5 korrik të vitit 2006, sipas modelit zgjedhor proporcional, në gjashtë njësi zgjedhore, si zgjedhjet parlamentare në vitin 2002. Jehona e votuesve ishte 56,5 për qind.

Për pjesëmarrje në zgjedhje u paraqitën 33 lista-kandidatësh -të koalicioneve partiake, të partive politike të pavarura dhe të qytetarëve.

Fitoi opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, e cila më vonë formoi edhe qeveri. Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, fitoi 44 vende për deputetë, koalicioni “Për Maqedoninë së bashku” i kryesuar nga LDSM-ja -32, koalicioni BDI-PPD -18, PDSH-11, Partia e Re Social-demokratike – 7, VMRO Partia Popullore – 6, Përtëritja Demokratike e Maqedonisë -1 dhe Partia për të ardhme evropiane 1 mandat.

Pas zgjedhjeve, mandati për formimin e kabinetit të ri qeveritar iu dha liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskit, i cili më 28 gusht u zgjodh kryetar i qeverisë. Në përbërjen e saj hynë përfaqësuesit e koalicionit e kryesuar nga VMRO-DPMNE, PDSH dhe PRSD. Qeveria u përkrah edhe nga PDM dhe PEI. VMRO-PP votoi për qeverinë, por nuk mori pjesë në koalicionin qeveritar.

Përbërja parlamentare në Kuvend, të zgjedhur në vitin 2006 funksionoi deri më 12 prill të vitit 2008 kur parlamentarët morën vendim që të vetë-shpërbëhen dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare më 1 qershor.

Zgjedhjet e gjashta për deputetët në dhomën ligjdhënëse u mbajtën më 1 qershor të vitit 2008 dhe ishin zgjedhjet e para të parakohshme nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë, në vitin 1991. Zgjedhjet u zbatuan sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Të drejtë vote kishin 1.779.116 votues, të cilët në 2976 vendvotime u prononcuan për 18 lista me 1.540 kandidatë për 120 vende deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë u mbajtën më 1 qershor të vitit 2008, pas votimit dhe shpërbërjes së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 12 prill 2008. Këto ishin zgjedhjet e para të parakohshme parlamentare nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë në vitin 1991.

Ideja për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë erdhi menjëherë pas samitit të NATO-s i cili u mbajt në Bukuresht në vitin 2008. Iniciativa për zgjedhje të jashtëzakonshme u mbështet nga ana e VMRO-DPMNE-së qeveritare së bashku me partnerin e koalicionit Partia Demokratike Shqiptare, ndërsa nga ana tjetër partitë opozitare LSDM dhe PLD votuan kundër.

Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2008 fitoi 63 vende deputetësh, koalicioni “Dielli” i kryesuar nga LSDM-ja 27, BDI-18, PDSH-11 dhe PAE-1.

Zgjedhjet i ndoqën 464 vëzhgues të huaj dhe 5.811 vëzhgues vendorë, ndërsa për to krahas gazetarëve maqedonas kanë raportuar edhe gazetarë të huaj të akredituar.

Pas zgjedhjeve, mandatin për formim të Qeverisë sërish e fitoi kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Zgjedhjet që po mbahen sot, janë zgjedhjet e shtata parlamentare dhe të dyta të parakohshme. Në Kuvendin e Maqedonisë zgjidhen 123 deputetë sipas modelit kombëtar. Territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën zgjidhen nga 20 deputetë, ndërsa tre deputetë për herë të parë do të zgjedhë diaspora – nga një deputet nga tre njësitë zgjedhore: Evropë dhe Afrikë, Amerikë Veriore dhe Jugore, Australi dhe Azi.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor rezultatet e para nga zgjedhjet i publikon në afat prej 12 orë pas përfundimit të votimit, ndërsa ato përfundimtare 24 orë nga dita e përfundimit të tyre.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *