Home / Lajme / Maqedoni / BDI-VMRO-DPMNE në Qeveri me program të përbashkët

BDI-VMRO-DPMNE në Qeveri me program të përbashkët

16 korrik-Programi Qeveritar 2011-2015 përmban në vetvete gjithashtu edhe investime të tjera në fushën e energjetikës, gazifikimit, turizmit, shëndetësisë dhe sportit. Pas dorëzimit të programit në Kuvendin e Maqedonisë, krye-parlamentari Trajko Veljanovski në afat prej 10 ditësh duhet të thërrasë seancë plenare në të cilën deputetët duhet të votojnë për programin dhe përbërjen e re Qeveritare

Integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, zhvillim ekonomik, punësime të reja, investime në infrastrukturë, hapje të kalimeve kufitare, subvencione për bujqit, standard më të mirë jetesë, investime në arsim, kulturë dhe shkencë, hapje të zonave ekonomike dhe shumë miliona euro investime të ndryshme. Këto janë disa nga projektet e parashikuara në Programin e ri qeveritar 2011-2015. Programi katër vjeçar i Qeverisë në 68 faqe, të cilën mandatari Nikolla Gruevski e dorëzoi mbrëmë në Kuvend, përmban projekte të nxjerra nga programet e shkrira të dy partive fituese në zgjedhjet e 5 qershorit VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. 5 janë qëllimet strategjike të programit Qeveritar 2011-2015.

1. Rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, si parakusht për rritjen e standardit dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve.

2. Integrimi i Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE

3. Luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, dhe zbatim efikas të drejtësisë përmes reformave në gjyqësor dhe administratë publike

4. Ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike në bazë të parimit të tolerancës së ndërsjellë, respektimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

5. Investim në arsim, shkencë dhe teknologjinë informatike si elementë të shoqërisë, të bazuar në dituri.

“Projektet që ne i kemi premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe i kemi të përmendura edhe në programin tonë, janë projekte që janë të përmendura edhe në programin e Qeverisë dhe kështu ato në katër vjeçarin e ardhshëm do të jenë projekte që do të realizohen me fonde nga buxheti qendror dhe në këtë mënyrë ne sigurojmë edhe shpërndarje të barabartë dhe transparente të buxhetit që është një nga kërkesat kryesore jo vetëm të BDI-së por gjithë shqiptarëve në përgjithësi” tha Abdilaqim Ademi, shef i ekipit negociator të BDI-së. Në programin Qeveritar janë parashikuar investime në infrastrukturë, në korridorin 10, ndërtimin e rrugëve Tabanoc-Kumanovë, Shkup-Bllacë, rruga rajonale nga Kërçova deri tek Ura e Boshkit dhe Dibër, rruga deri në kalimin kufitar Bellanoc-Stançiq, ku është parashikuar edhe hapja e këtij kalimi kufitar, rruga deri në Tanushë ku është parashikuar hapja e kalimit kufitar me Kosovën, rruga deri në kalimin kufitar Llojan-Miratoc ku është parashikuar gjithashtu hapje e këtij kalimi kufitar. Rruga rajonale Tetovë-Jazhincë, rruga rajonale Kumanovë-Likovë-Haraçinë.

INFRASTRUKTURË

Korridori 10 – Tabanoc-Kumanovë (shtator 2011)

Rruga Shkup – Bllacë

Rruga rajonale nga Kërçova deri tek ura e Boshkit dhe Dibër (2012-2015)

Rruga deri në kalimin kufitar Bellanoc-Stanciq (2013-2014)

Rruga deri në kalimin kufitar Llojan-Miratoc (2013-2014)

Rruga deri në kalimin kufitar Tanushë-Debëllde (2013-2014)

Rikonstruimi i rrugës rajonale Strugë-Dibër (qershor 2012)

Rruga rajonale Tetovë-Jazhincë, zgjerimi i rrugës (2012-2015)

Rruga rajonale Kumanovë-Likovë-Haraçinë (2012-2015)

Rinovimi dhe asfaltimi i rrugës Shkup-Tanushë-Brezë-Malinë (2013)

Rinovimi i rrugës Dibër-Mavrovë

Hapja e kalimit kufitar Bellanoc Stançiq (Maqedoni-Kosovë)

Hapja e kalimit kufitar Tanushë-Debëllde (Maqedoni-Kosovë)

Hapja e kalimit kufitar Llojan-Miratoc (Maqedoni-Serbi)

Hapja e kalimit kufitar Xhepishtë-Trebishtë (Maqedoni-Shqipëri)

Hapja e kalimit lokal kufitar Ogut-Tërgovishtë (Maqedoni-Serbi)

Në fushën e arsimit, Qeveria ka parashikuar ndërtimin e shkollave të reja fillore dhe atyre të mesme. Deri në qershor të vitit 2012 shkolla fillore do të ndërtohen në Çair, Gazi Babë, Dojran, Qendër Zhupë. Ndërsa shkolla të mesme gjatë periudhës 2012-2015 do të ndërtohen në Haraçinë dhe Saraj. Në programin Qeveritar përmendet edhe mbështetja financiare për Universitetet Shtetërore në vend.

SHKOLLA FILLORE TË REJA DERI NË QERSHOR TË VITIT 2012

Dojran

Qendër Zhupë

Gazi Babë

Çair

Përfundimi i shkollës në Haraçinë

SHKOLLA TË REJA TË MESME

Haraçinë (2012-2015)

Saraj (2012-2015)

MBËSHTETJE FINANSIARE PËR GJITHA UNIVERSITETET SHTETËRORE

Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’

Universiteti Shtetëror i Tetovës

Universiteti Goce Dellçev

Universiteti i shkencave të informatikës ‘Shën Apostol Pavle’ në Ohër

Në programin e Qeverisë përmendet edhe fillimi i aktiviteteve për ndërtimin e sheshit ‘Skënderbeu’ që pritet të përfundoje në vitin 2015. Përsa i përket projekteve kulturore, është parashikuar edhe ndërtimi i Qendrës Kulturoro-Arsimore në Tetovë me teatër dhe bibliotekë të re, rikonstruimi i Teatrit Shqiptar, përfundimi i shtëpisë së Kulturës në Mateç dhe projekte të tjera.

KULTURË

Ndërtimi i Qendrës Kulturoro-Arsimore në Tetovë me teatër dhe bibliotekë të re (2015)

Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar

Fillimi i aktiviteteve për ndërtimin e sheshit ‘Skënderbeu’ (2011-2015)

Restaurimi i shtëpisë ‘Mehmet Pashë Deralla’ në Tetovë (2014)

Rikonstruimi i objekteve në Qendrat e Kulturës në Tetovë, Gostivar dhe Strugë

Përfundimi i Shtëpisë së Kulturës në Mateç (2013)

Adoptimi i hapësirës në Teatrin e Kumanovës (2013-2014)

Programi Qeveritar 2011-2015 përmban në vetvete gjithashtu edhe investime të tjera në fushën e energjetikës, gazifikimit, turizmit, shëndetësisë dhe sportit. Pas dorëzimit të programit në Kuvendin e Maqedonisë, krye-parlamentari Trajko Veljanovski në afat prej 10 ditësh duhet të thërrasë seancë plenare në të cilën deputetët duhet të votojnë për programin dhe përbërjen e re Qeveritare.Alsat

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *