Home / Lajme / Maqedoni / Gjyqësia në duart e femrave maqedone

Gjyqësia në duart e femrave maqedone

17 korrik-Duke u bazuar në numrin e femrave që ushtrojnë detyrën e kryetareve të Gjykatave vendase, kushtimisht mund të thuhet se gjyqësori ka rënë në duart e grave, megjithatë jo në duart e femrës shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, asnjë femër shqiptare nuk ushtron detyrën e kryetares së ndonjë gjykate, ndonëse viteve të fundit – gjithnjë e më të zëshme janë organizatat që kërkojnë barazi gjinore

“Femrat sundojnë me pushtetin gjyqësor në Maqedoni” dhe “Gjyqësia në duart e femrave” janë vetëm dy nga titujt që janë mundur të lexohen nëpër mediat vendase kohëve të fundit, pas disa emërimeve të njëpasnjëshme të femrave në postet e kryetareve të gjykatave vendase. Kohëve të fundit, përveç Aleksandra Zafirovskës, e cila u ulë në karrigen e parë të Këshillit gjyqësor, një femër filloi të kryesoj me Gjykatën Administrative.

Në këtë gjykatë, si kryetare u emërua Rozalia Koçoviska. Pothuajse në të njëjtën periudhë kohore, edhe Gjykata e Apelit filloi të kryesohet nga ana e Ljupka Nikodinovska, ndërsa kolegia e tyre Aneta Arnaudovska është duke e kaluar mandatin e dytë në postin e njeriut të parë të Akademisë për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve të rinj. Gjithashtu, gjatë javëve të fundit, femrat kanë filluar të udhëheqin edhe me Gjykatën e lartë administrative, ndërsa përveç këtyre gjykatave të niveleve më të larta, femrat udhëheqin edhe me gjykatën më të madhe penale në vend, me atë të Shkupit. Po ashtu, femra të emëruara në postet e drejtoreve të gjykatave të Manastirit, Berovës, Kriva Pallankës, Resnjës, Gostivarit dhe Strumicës.

Duke u bazuar në këto të dhëna, kushtimisht mund të thuhet se gjyqësori ka rënë në duart e grave, megjithatë jo në duart e atyre shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, për momentin asnjë femër shqiptare nuk ushtron detyrën e kryetares së ndonjë gjykate vendase, ndonëse viteve të fundit – gjithnjë e më të zëshme janë organizatat që kërkojnë barazi gjinore. Të dhënat e Këshillit gjyqësor konfirmojnë se femrat shqiptare nuk janë të interesuara për të udhëhequr me gjykatat vendase.

Sipas Nexhat Ajro, anëtar i Këshillit gjyqësor, ai nuk mban mend që në ndonjë nga konkurset për kryetare gjykatash, të ketë konkurruar ose aplikuar ndonjë femër shqiptare. Ai nuk ka mundur të flas për mungesën e konkurrimit ose mosinteresimin e femrës shqiptare për vendet e para të gjykatave, por midis shqiptareve ka femra të afta, të cilat mund të ushtrojnë pa problem detyrën e kryetares, ndonëse bëhet fjalë për punë me shumë përgjegjësi, por edhe me presione dhe ndikime të shumta politike e të tjera. “Gjinia nuk paraqet problem për ta ushtruar detyrën e kryetarit të ndonjërës nga gjykatat vendase. Mund të them se viteve të fundit, është rritur numri i femrave gjykatëse, por femër shqiptare që është emëruar si kryetare nuk kemi. Sa mbaj mend unë, në konkurset që janë hapur për kryetar gjykatash, deri më tani nuk ka konkurruar asnjë shqiptare”, ka thënë Nexhat Ajro, duke refuzuar të jap koment lidhur me mosinteresimin e femrës shqiptare për postet e larta të pushtetit gjyqësor.

Sipas tij, nuk mund të eliminohet mundësia që mosinteresimi të ketë të bëj me aspektin tradicional, i cili femrën shqiptare e mban akoma të lidhur pas familjes, pa i dhënë mundësi për të bërë karrierë. Ndërkohë, të enjten në Gjykatën Administrative u angazhuan dy gjykatëse shqiptare. Sipas vlerësimeve të Ombudsmanit, një analizë ka konstatuar se femrat dominojnë në administratë, ndërsa postet udhëheqëse, siç janë ato të zëvendës dhe ndihmësministrave, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, kryeshefave dhe komandantëve, udhëheqësve të sektorëve dhe njësive dhe postet e sekretarëve shtetëror, mbahen nga ana e meshkujve.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *