Home / Lajme / Maqedoni / Kur ulet dhe ngrihet shqiponja

Kur ulet dhe ngrihet shqiponja

17 korrik-Ndryshimet kushtetuese sa i takon përdorimit të flamurit kombëtar, kanë sanksionuar dhe favorizuar flamurin. Duke u bazuar në dokumentet e kohës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e kanë përdorur më lirshëm flamurin e tyre, deri në vitin 1966 kur sipas ndryshimeve të reja ligjore, me ligj u ndalua përdorimi i tij. Viti 1974 favorizoi maksimalisht përdorimin, por uljet dhe ngritjet nga shtiza të simbolit kombëtar të shqiptarëve kanë vijuar me një itinerar sa konfuz, po aq edhe diskrinimues e tragjik

Në ato komuna ku më shumë se 50 për qind e popullsisë janë shqiptarë, simboli i tyre nacional do të vendoset së bashku me atë shtetëror në objektet me karakter publik dhe lokal, madje vetëqeverisja lokale do të vendosë se kur do të përdoret flamuri i bashkësisë në jetën publike dhe zyrtare. Me këto ndryshime të reja në Ligjin për përdorim të flamujve të bashkësive, flamuri shqiptar sërish do të gjejë përdorim më të gjerë.

Por uljet dhe ngritjet nga shtiza të simbolit kombëtar të shqiptarëve kanë pasur një itinerar sa konfuz, po aq edhe diskriminues e tragjik në vite. Shumë incidente janë lidhur drejtpërdrejt me një ngritje flamuri në ndonjë hapësirë qoftë publike apo private, disa prej tyre kanë qenë më të rënda duke krijuar konflikte të rënda ndëretnike. Demonstratat e zhvilluara në qytete të ndryshme shqiptare në ish Federatën e Jugosllavisë kanë ndikuar në ndryshime ligjore, të cilat kanë favorizuar edhe përdorimin e këtij simboli kombëtar në forma pak më liberale për kohën.

1974, viti i lirisë?

N d r y s h i m e t kushtetuese sa i takon përdorimit të flamurit kombëtar, kanë sanksionuar dhe favorizuar flamurin. Duke u bazuar në dokumentet e kohës, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e kanë përdorur më lirshëm flamurin e tyre, deri në vitin 1966 kur sipas ndryshime të reja ligjore, me ligj u ndalua përdorimi i tij. Duke iu referuar arkivave të kohës, një vit pas demonstratave të vitit 1968, në Tetovë, dolën në pah dallimet e dukshme midis drejtuesve të atëhershëm më të lartë partiak e shtetëror të republikave e të krahinave të RSFJ-së rreth përdorimit legal të flamujve të kombësive.

Për të qetësuar situatën, ndërhyri udhëheqja më e lartë e KQ të LKJ, e cila në fillim të vitit 1969, formoi një grup pune, me detyrë speciale që të hartojë një projekt ideor, i cili do të ndihmonte në “harmonizimin e qëndrimeve” të ndara, përkatësisht “krijimin e një qëndrimi unik” në mbarë territorin Jugosllavisë së atëhershme rreth “përdorimit të barabartë të flamujve të kombësisë”. Në atë mbledhje, ku merrnin pjesë edhe anëtarë shqiptar, Komisioni vendosi që të përdoren flamujt e kombësive në më shumë raste, në jetën private dhe në rastet e festave shtetërore, bashkërisht me flamurin shtetëror të RSFJ-së dhe me flamurin e Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Në dokumente, po ashtu thuhet se në kushte të njëjta, këtë mund ta bëjnë edhe shoqëritë e ndryshme, klube, institucione kulturor- arsimore në territoret e përziera nacionale. Bashkësitë politikoshoqërore, organizatat politiko-shoqërore dhe organizatat punuese në territoret e përziera, krahas flamurit të RSFJ-së e të Republikës Socialiste të Maqedonisë, mund ta ngrenë edhe flamurin e kombësisë. “Komisioni shpreh mendimin që Kryesia e LKJ dhe Konferenca Federative e LSPPJ në bashkëpunim me organet kompetente në republikat socialiste, duhet të marrin qëndrim definitiv.

Me këtë do t’ju mundësohej organeve kompetente të Kuvendit Federativ, të republikave, krahinave si dhe komunave të interesuara që edhe juridikisht ta rregullojnë përdorimin e flamurit të kombësive. Ndihet edhe nevoja që organet e federatës ta përshkruajnë – statusin gjatë përdorimit të flamurit të kombësive në RSFJ, me këtë rast legjislacioni i federatës të ofrojë elementet thelbësore, ndërsa trupat përkatëse të republikave, krahinave dhe të komunave të interesuara e organizatave punuese, në mënyrë konkrete t’i përshkruajnë kushtet e përdorimit të flamurit republikan, përkatësisht të kombësive”, thuhet ndër të tjera në të. Viti 1974, me ndryshimet e reja kushtetuese, liberalizoi në maksimum të drejtat dhe liritë e nacionaliteteve. Historiani Vebi Xhemaili thotë se kjo ka qenë periudha më e artë për shqiptarët. “Jo vetëm për përdorimin e flamurit, i cili mundësohej të përdorej kudo, shqiptarët gëzonin shumë më shumë të drejta dhe liri nacionale, madje më shumë se tani. Kushtetuta e vitit 1974 i jepte të drejtë shqiptarëve ta përdornin flamurin më shumë sesa ç’kanë të drejtë tani”, thotë Xhemaili.

Disa vite më vonë, në vitin 1981, vendimet e marra në komuna të ndryshme të vendit për heqjen e flamurit shqiptar sollën edhe valën e dytë të demonstratave që u zhvilluan në shumë qytete shqiptare. Kuvendet Komunale të qyteteve të ndryshme i obliguan delegatët e vet në Kuvendin Republikan që të propozojnë rishqyrtimin e ligjshmërisë për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Kështu, delegatët e Dhomës së Komunave të Kuvendit të Maqedonisë, njëzëri i propozuan Kuvendit si organ më i lartë legjislativ, që të niste procedurën për ndryshimin e Ligjit, gjë e cila u miratua si vendim dhe u botua në Fletoren Zyrtare të R.M.-së në po të njëjtin vit. Sanksionet ligjore shkonin nga 60 deri në tre vjet heqje lirie për kundërvajtësit.

Gjak për flamurin

Ndryshimet ligjore vijuan edhe disa vite më pas, pas pavarësimit të Maqedonisë dhe prishjes së Federatës Jugosllave. Më 8 korrik të vitit 1997, Parlamenti miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të “nacionaliteteve”, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve. Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin më tragjike në Gostivar, ku u vranë tre shqiptarë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Me ndryshimet kushtetuese pas Marrëveshjes së Ohrit, flamuri shqiptar gjeti përdorim më të gjerë, por vetëm për një kohë më të shkurtër, nga viti 2005 deri në vitin 2007, kur hyri në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili kufizonte përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike.

Sipas ligjit të ndryshuar, flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm në ditët e festave të komunës, pasi aty është hequr fjala “gjithmonë” dhe kanë mbetur vetëm fjalët “në ditët e festave, edhe në rastet e komunave me popullsi shqiptare”. Për pasojë, në objektet shtetërore do të përdoret vetëm flamuri i Maqedonisë edhe në rastet e vizitave të delegacioneve të huaja. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Mahmut Jusufi, si dhe anëtari tjetër i kësaj gjykate, Bajram Pollozhani dhanë dorëheqjen pasi votuan kundër këtij ndryshimi të ligjit. Pas ndryshimeve ligjore u shënuan një sërë incidentesh, kur një vit më parë, një grup ushtarësh shqiptarë të Armatës së Maqedonisë, në një video të publikuar në You Tube u panë të këndonin dhe të rreshtoheshin pranë flamurit kombëtar shqiptar, veprim ky që u cilësua skandaloz. Por me gjithë kufizimet ligjore, flamuri është përdorur nëpër komuna dhe në ambiente të tjera në kundërshtim me dispozitat ligjore, por nuk ka pasur asnjë lloj mase sanksionuese për të.

Si ka qenë flamuri nga fundshekulli i XIX e deri tani

Simbolet kombëtare të shqiptarëve, mes tyre edhe flamuri kanë pësuar ndryshimet e tyre në vite. Sipas ndryshimeve më të fundit të vitit 2002, Kuvendin i Shqipërisë përcaktori se flamuri përbëhet prej këtyre elementëve – një fushë e kuqe gjaku me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash, secili krah i shqiponjës ka 9 pendë e bishti ka gjithsej shtatë. Raporti i dimensioneve të flamurit tashmë është: 1 x 1.4 dhe sipas Ligjit, çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e mbajtjes e përdorimit të flamurit kombëtar, ndërsa për institucionet publike, është i detyrueshëm në mjediset e jashtme e të brendshme.

Bazuar në studimet historike, flamuri kombëtar e ka prejardhjen nga një vulë e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ku shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti. Por forma e shkabës së zezë dykrenare mbi fushën e kuqe nuk ka qenë kjo që njohim në ditët e sotme, nuk ka pasur këtë formë kaq klasike, por ka njohur forma më natyrale e ndoshta, edhe më të bukura. Shpeshherë ajo është shoqëruar me simbole të tjera, duke filluar që nga përkrenarja e Skënderbeut e deri te yjet me pesë apo me gjashtë cepa. Edhe ngjyra e kuqe, në sfond të flamurit, ka ndryshuar shpesh forcën apo tonin, duke u dukur herë më e zjarrtë e herë më e mbyllur, gati në të murrme.

Gjatë kësaj kohe kanë dalë plot Qeveri e grupime politike, të cilët kanë dashur ta rishikojnë disa herë formën e simbolit kombëtar si për të treguar se me to fillon ndryshimi. Kështu për shembull, njihen disa versione të ndryshme gjatë kohës së periudhës së viteve të para të pavarësisë e të krijimit të shtetit të ri shqiptar si vitet e Këshillit të Regjencës, Republikës Autonome Franceze të Korçës, Republikës Parlamentare në fillim të viteve ’20 dhe kohës së Mbretit Zog. Më pas, ato pasohen me veshjen e shkabës shqiptare me simbolet e kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë, sëpatat romake, qeverisë së kohës së pushtimit gjerman (Këshilli i regjencës). Kjo periudhë pasohet nga një periudhë shumë e gjatë, ajo e regjimit komunist, periudhë e cila njohu vënien e yllit pesëcepësh me nuanca të verdha në krye të shkabës dykrenore.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *