Home / Lajme / Maqedoni / Librat e nxënësve i përkthejnë studentët

Librat e nxënësve i përkthejnë studentët

23 korrik-Në “Ars Studio”, e cila ka fituar shumicën e tenderëve për botimin e teksteve shkollore, nuk mohojnë që kanë angazhuar studentë për përthimin e teksteve shkollore. Muaj më parë, në Fakultetin Filologjik, kjo qendër kishte nxjerrë lajmërimin ku kërkoheshin përkthyes nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas. “Ua shihni pagesën që të merrni vesh cilësinë”, komentojnë profesionistët

Në Maqedoni janë të paktën 130 përkthyes shqiptarë të autorizuar të bëjnë përkthimin e teksteve nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas, mirëpo rrallë kujt prej tyre i ka rënë të bëjë përkthimin e teksteve shkollore. Në vend të përkthyesve të autorizuar, botuesit maqedonas “gjuajnë” studentë apo persona tjerë, të cilët janë në gjendje të përkthejnë për pak para. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që në tekstet shkollore të përpiluara për nxënësit shqiptarë gjen gabime të rënda gjuhësore dhe fjali me sintaksë të çoroditura. “Nuk ka ardhur asnjë ankesë e kësaj natyre, prej askujt as prej Ministrisë, shkollave apo dikujt tjetër”, thonë në Qendrën për gjuhëve të huaja “Ars studio”, kurse nuk përjashtojnë faktin se ka raste kur angazhojnë edhe studentë.

Në muajin mars, në Fakultetin Filologjik, kjo qendër kishte nxjerrë lajmërimin se ka nevojë për përkthyes nga maqedonishtja në shqip dhe se të interesuarit mund të paraqiteshin në zyrat e Qendrës. Katër vitet e fundit, prej se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka monopolin e botimit të teksteve shkollore, në këtë ministri nuk është punësuar asnjë përkthyes shqiptar e aq më pak me vendim pune për përkthimin e teksteve nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas. Gjithçka është lënë në dorën e qendrave maqedonase, të cilat gjithashtu nuk kanë të punësuar asnjë përkthyes shqiptar.

“Ars studio”, e cila i fitonte thuajse të gjitha tenderët për botim e titujve shkencor të librave që përdoren në universitetet me famë botërore dhe të teksteve shkollore, nuk i ka as ata dy përkthyes shqiptarë të cilët i kishte deri në muajin janar. Nazmi Abdurahmani dhe Roland Poloska u tërhoqën nga pozitat e përkthyesve të teksteve nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas, sepse pengoheshin të komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe. Abdurahmani tregon se nga “Ars studio” u largua edhe për shkak të vonesave në marrjen e honorarëve. “Kemi pasur problem edhe me pagesat”, thotë ai.

“Ars studio” i zëvendëson ata me honoraristë të tjerë, që të shumtën e rasteve janë studentë, apo të gatshëm të bëjnë përkthime të lira sikurse vërejnë përkthyesit profesionist. “Ua shihni pagesën që të merrni vesh cilësinë”. Në këtë formë veprojnë edhe qendra tjera që merren me përkthime, pasi MASH e cila ua jep tenderët për përkthimin e teksteve shkollore, nuk i kushtëzon ata që përkthimet të kontraktohen me persona të autorizuar. “Ars studio” angazhojnë persona që biejnë dakord të përkthejnë për 150 denarë. Kjo është dy-tre herë më pak se çmimi mesatar i tregut. Përkthyesit shqiptarë janë të organizuar edhe në dy shoqata, mirëpo asnjëra prej tyre nuk mban mend që MASH apo fituesit e tenderëve për botimin e teksteve shkollore të jenë drejtuar tek ta për përkthimin e teksteve. Me ndryshimet që janë bërë në ligjet për arsim fillor dhe të mesëm, MASH i ka siguruar vetes pozitën e botuesit të teksteve shkollore dhe meqë në konkurset përkatëse kërkohet që dorëshkrimet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, pjesëmarrja e dorëshkrimeve në gjuhën shqipe është e pamundur, në përjashtim të ndonjë intervenimi të veçantë.

MASH u blen autorëve të drejtën autoriale dhe meqë nuk posedon shtypshkronjë, hapë tender për procesin mekanik të botimit të teksteve. Për përkthimin e teksteve në gjuhën shqipe, turke dhe në gjuhë të tjera, ngarkohen botuesit që fitojnë tenderin dhe të cilët çdo herë janë qendra të afërta me pushtetin sikurse janë “Ars studio” dhe “Ars alumina”, të themeluara jo më larg se 2010-ta

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *