Home / Lajme / Maqedoni / Pas 14 vitesh, ideali ende nuk është realizuar

Pas 14 vitesh, ideali ende nuk është realizuar

10 korrik-Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme. U vranë tre shqiptarë, u plagosën mbi 100 të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej nëpër rrugë. Pikërisht në këtë datë, qytetarët shqiptarë të Gostivarit organizuan një rezistencë në mbrojtje të përdorimit të flamurit kombëtar, sfidë kjo e cila iu kthye me një forcë brutale dhe me burgosje të shumta. Ideali për flamurin kombëtar, respektivisht përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare, sipas ish deputetit Besim Dogani, edhe pas gati një dekadë e gjysmë nga ngjarjet e përgjakura që ndërlidhen me atë, ende nuk është rrumbullakuar

Qytetarët e Gostivarit, pas plotë 14 viteve kujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997, datë kjo e krenarisë së dhimbshme në mbrojtje të flamurit kombëtarë. Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, u plagosën mbi 100 të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej nëpër rrugë. Pikërisht në këtë datë, qytetarët shqiptarë të Gostivarit organizuan një rezistencë në mbrojtje të përdorimit të flamurit kombëtar, sfidë kjo e cila iu kthye me një forcë brutale dhe me burgosje të shumta.

Manifestimet e protestës nisën si pasojë e heqjes së flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik. Një akt i tillë i policisë maqedonase është ndërmarrë edhe pse një ditë më parë, më 8 korrik 1997, Kuvendi Republikan miratoi Ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi (kufizuar) i flamujve të “nacionaliteteve”, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, mes të cilëve edhe kryetarin e Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, si dhe kryesuesin e Këshillit komunal, Refik Dauti. Ndër njerëzit më aktiv në zhvillimet që ndërlidhen me ngjarjet para dhe pas datës 9 korrik, ka qenë edhe ish deputeti në dy përbërjet e kaluara parlamentare, Besim Dogani. Tani pas 14 vitesh, Dogani shprehet se ngjarjet e 9 korrikut paraqesin një kapitull të dhimbshëm për banorët shqiptarë të Gostivarit dhe gjithë shqiptarët në përgjithësi.

“Tortura dhe poshtërimi që iu bë qytetarëve paqësor të Gostivarit jo vetëm që do të mbetet thellë në mendjen dhe kujtesën tonë kolektive, por lirisht mund të thuhet që kjo datë ishte vendimtare për organizimin e mëtutjeshëm të shqiptarëve të Maqedonisë. Sipas meje, ishte pikërisht 9 korriku shtytës më i fuqishëm dhe më vendimtare në grumbullimin e mllefit ndaj sistemit që solli edhe deri në kryengritjen e armatosur të shqiptarëve të Maqedonisë. Me keqardhje them që ngjarjet e 9 korrikut, me paturpësinë më të madhe, u keqpërdorën politikisht nga të gjithë strukturat politike, sidomos nga kryetarët e komunës së Gostivarit, të cilët krijuan karriera politike, zunë poste udhëheqëse duke mos përmendur dhe anashkaluar qindra të rinj të cilët ishin promotor të rezistencës kundër sistemit dhe aparatit shtetëror”, shprehet Dogani, i cili vëren se edhe pas 14 vitesh pjesëmarrësit, respektivisht familjet e dëshmoërve të 9 korrikut mbeten pa trajtmanin e duhur institucional.

“Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite kjo ngjarje nuk fitoi vendin e duhur as në historinë e vendit e as që u arrit të bëhet institucionalizimi i saj. Familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe të dëmtuarit e kësaj periudhë nuk gjetën përkujdesje të mirëfilltë institucionale, kjo datë nuk shënohet në asnjë fletë zyrtare, ndërsa në kohën që të gjithë ne e njohim si periudhë e ndërtimit të vrullshëm të përmendoreve dhe lapidarëve gjithandej Shkupit, kurse gostivarasit dhe strukturat udhëheqëse të Gostivarit nuk gjetën forcë që së paku në qendrën e tyre të vendosin një plakë përkujtimore me emrat e dëshmorëve të flamurit”, thekson Dogani.

Ku mbeti qëllimi final?

Ideali për flamurin kombëtar, respektivisht përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare, sipas ish deputetit Dogani, edhe pas gati një dekadë e gjysmë nga ngjarjet e përgjakura që ndërlidhen me atë, ende nuk është rrumbullakuar.

“Më duhet të potencoj së qëllimi final që shqiptarët në trojet e tyre autoktone në Maqedoni të valëvisin flamurin kombëtar në mënyrë institucionale nuk u arrit, meqë akoma kemi një përdorim të kufizuar dhe të paqartë. Në atë kohë rezistenca ishte më se e nevojshme jo vetëm për përdorimin e flamurit kombëtar, por edhe për shumë të drejta tjera që u ishin ndaluar shqiptarëve të Maqedonisë, por sipas të gjitha analizave dhe shqyrtimeve retrospektive, pas tani plot 14 viteve, shihen qartë shumë anomali në organizimin e kësaj rezistence paqësore në mbrojtjen e flamurit kombëtar. Periudha kohore tejet e gabuar kur në Shqipëri kishin marrë vrull trazirat qytetare, kur Kosova ishte nën rrethim të hekurt të okupatorit serb, informimi i pamjaftueshëm i qytetarëve, mos kalkulimi i pasojave të mundshme, mungesa e strategjisë për veprim, sollën si pasojë mijëra qytetarë të torturuar, qindra të plagosur me armë zjarri dhe tre vrarë”, shprehet ai, duke shtuar se: “Me gjithë mangësitë e përmendura sërish kjo ngjarje shënoi fillimin e epokës së sensibilizimit ndërkombëtar për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Maqedonisë dhe pikënisjen e rishqyrtimit të idesë së kamotshme për çlirimin e trojeve shqiptare të Maqedonisë”.

“Personalisht nuk pendohem, por përkundrazi jam krenar që më 9 korrik të vitit 1997 pata mundësinë të derdh gjakun tim në mbrojtje të flamurit tonë kombëtar dhe së bashku me gjakun dhe jetën e shokëve dhe miqve bëmë që ky flamur të valëvitet akoma më krenar”, potencon Dogani.

Flaka përfshiju edhe Tetovën

Situatë të njëjtë aso kohe pati edhe në qytetin e Tetovës, ku policia kishte ndërmarrë të njëjtin akt të heqjes së flamurit shqiptar. Në Tetovë, ashtu si në Gostivar, ky akt u shoqërua me shkatërrimin nga ana e forcave policore të lokaleve të komunës dhe të pajisjeve që gjendeshin aty. Udhëheqja e atëhershme e komunës së Gostivarit dhe Tetovës, udhëhiqte përpjekjet institucionale për realizimin e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar në një ballafaqim të pabarabartë gjashtë mujor me pushtetin qendrorë. Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për të arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator, 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë, kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani si dhe kryesuesin e Këshillit komunal të Gostivarit, Refik Dauti, duku i shqyrtuar dënime drastike. Ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexheti.

Vendimi ishte legal

Tash pas 14 viteve, në krye të Komunës së Gostivarit, sërish ndodhet kryetari i atëhershëm, Rufi Osmani, të cilit me proces të montuar iu ndërpre mandati, për ta rikthyer sërish në vitin 2009 me votën e lirë qytetare, i cili edhe pas kësaj distance kohore nga ngjarjet e përgjakshme, ndan bindjen se vendim në fjalë ishte plotësisht legal dhe legjitim.

“Vendim në fjalë ishte plotësisht legal dhe legjitim, i miratuar në një procedurë legale juridike dhe nga përfaqësues politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhjet komunale të vitit 1996. Udhëheqja komunale e Gostivarit e asaj kohe nëpërmjet menaxhimit konsistent politikë rezistoi deri në fund në realizimin e objektivit politikë për legalizimin e përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar duke realizuar në këtë mënyrë kontestin e parë demokratik institucional të pushtetit komunal shqiptarë në raport me pushtetin qendror politikë dhe gjyqësor të kontrolluar tërësisht nga sllavomaqedonasit”, ndan bindjen Osmani.

Më keq gazetar se protestues!

Një nga dëshmitarët e drejtpërdrejt të ngjarjeve të përgjakura të Gostivarit, është edhe gazetari Lulzim Haziri. Duke përkujtuar këto ngjarje, tani pas 14 vitesh, Haziri shprehet se të ndodheshe në rolin e gazetarit në ato ditë, ishte sikur të zhvilloje profesionin në ilegalitet të thellë, duke potencuar se edhe të plagosurit në Spitalin e Gostivarit janë xhiruar ilegalisht ashtu sikurse edhe varrimi i të rënëve në këto ngjarje.

“Të ishe gazetar më 9 korrik të vitit 1997 ishte më keq se të jesh protestues që i rri përballë kordonit të policisë dhe i nënshtroheshe torturimit fizik nëse pak nuk tregoheshe i kujdesshëm. Gjatë rrjedhës së protestave dhe kohës së torturimit çnjerëzor të qytetarëve, policia bëri ndarjen e gazetarëve në baza etnike, duke i lënë gazetarët maqedonas të hyjnë brenda zonës së tyre dhe duke na lënë gazetarëve shqiptarë me protestuesit, nën plumba dhe gaz lotsjellës. Ndaj edhe incizime të rrahjes së qytetarëve bënin vetëm kameramanët maqedonas”, shprehet Haziri, i cili më tej shton se: “Të ishe gazetarë në ato ditë ishte sikur të zhvilloje profesionin në ilegalitet të thellë”. “Ilegalisht kemi hyrë me ekipin xhirues në Spitalin e Gostivarit për t’i xhiruar të plagosurit, ilegalisht ndiqeshin varrimet, s’guxoje të shihje si maltretoheshin qytetarët, burimi i informatave vështirë gjendej ndërsa shtëpia mu bë si hotel i gazetarëve nga vendbanimet e tjera, që vinin për ta ndjekur situatën. 9 korriku ishte shembull i mirë i rrezikut të profesionit, po edhe i rëndësisë së tij”, vazhdon ai.

Aksioni i policisë ishte obligim ligjor!

Aksioni i policisë ishte obligim ligjor për zbatimin e vendimit të Gjykatës kushtetuese. Ky është konstatimi i Komisionit parlamentar për ndriçimin e aksionit policor me 9 korrik në Gostivar.

“Aksioni i policisë ishte legal, vrasësit e tre shqiptarëve janë persona të panjohur, puna e Komisionit nuk është të luajë rolin e hetuesit, policia ka vepruar sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare, nuk ka urdhër për tejkalimin e kompetencave, viktima e tretë ka vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, pa precizuar kush janë dhunuesit, këto janë vetëm disa nga konstatimet e Komisionit parlamentar për ndriçimin e aksionit policor, i kryesuar nga deputeti i atëhershëm i PPD-së, Mersel Bilalli.

Nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisioni është informuar se gjatë ndërmarrjes së aksioneve të këtilla, Ministria e Punëve të Brendshme, kryesisht niset nga rregullat e parapara me Ligjin për Punë të Brendshme, Ligjit për tubime publike, Kodit Penal dhe Ligjit për procedurë penale dhe akteve ndërkombëtare, siç janë: Parimet themelore të përdorimit të forcës fizike dhe armëve të zjarrit nga ana e personave të autorizuar me ligj, Deklaratës Evropiane Policore, Kodeksin e sjelljes së personave përgjegjës për zbatimin e Ligjit, etj.

Mirëpo, Komisioni ka konstatuar, se disa akte nënligjore nuk kanë qenë të harmonizuara me aktet pozitive të Republikës së Maqedonisë. Komisioni, duke bërë analizë të dokumenteve që ishin dorëzuar, nuk ka konstatuar akte të tilla që do të implikonin dhënien e urdhrave për tejkalimin e autorizimeve nga pjesëtarët e Punëve të Brendshme, ndërsa sa i përket urdhrave gojore, Komisioni objektivisht nuk ishte në gjendje të arrijë në kurrfarë të dhëna. Në nivel të realizimit konkret, Komisioni konsideron, se ka raste të tejkalimit të kompetencave nga individë dhe grupe, por nuk mundet konkretisht të konstatojë për cilët individë dhe grupe bëhet fjalë. Konstatimi se për cilët individë dhe grupe bëhet fjalë është detyrë e strukturave përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organeve shtetërore. Gjithashtu, është evidente se edhe gjatë arrestimit të qytetarëve të caktuar gjatë aksionit policor si dhe pas saj, janë vërejtur raste të tejkalimit të kompetencave nga pjesëtarë të caktuar të policisë dhe mosfunksionimit në bazë të rregullave ligjore.

Rastet e këtilla do të duhet të ndriçohen në bazë të përvojës dhe procedurës ekzistuese për konstatimin e përgjegjësisë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht ndaj konstatimeve të më shumë qytetarëve për hyrje të paautorizuar në shtëpitë e tyre. Në ditën e ngjarjes, kishte dy viktima, prej tyre njëri ishte në turmë dhe më këtë rast është ngritur procedurë e rregullt kundër autorit të panjohur. Te njëri prej viktimave, sipas obduksionit, vdekja është shkaktuar si pasojë e lëndimeve nga armë zjarri, ndërsa ndaj të dytit nuk është kryer obduksioni, për shkak të refuzimit të familjarëve të tij. Sipas dokumentacionit mjekësor, viktima e tretë ka vdekur disa ditë pas ngjarjeve, si pasojë e përdorimit të mjeteve të dhunshme.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *