Home / Lajme / Maqedoni / Projektet e reja të vjetra të kulturës

Projektet e reja të vjetra të kulturës

30 korrik-
Shumë prej projekteve që prezantohen si projekte, të cilat do të realizohen gjatë katër viteve, janë trashëguar si dosje të dështuara gjatë periudhës së kaluar, të cilat falë buxhetit të vogël që u është akorduar në programet vjetore, apo neglizhencave, nuk kanë mundur që t’i realizojnë objektivat

Kultura mbetet thembra e Akilit edhe në programin e ri qeveritar 2011-2015, në të cilin më shumë sesa projekte të reja – të vjetra, nuk mund të gjenden projekte kapitale për trashëgiminë kulturore shqiptare, me shumë pak përjashtime.

Shumica e atyre që priten të realizohen gjatë katër viteve në vijim, janë projekte të cilat trashëgohen dhe që nuk kanë arritur të realizohen më parë, edhe pse kanë qenë pjesë e programeve të mëparshme. Në pjesën e bërë publike të tij si projekte që priten të realizohen, figurojnë ndërtimi i Qendrës Kulturore-Arsimore në Tetovë me teatër dhe bibliotekë të re, që duhet të përfundojë pas katër vitesh, rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar, rikonstruktimi i objekteve në Qendrat e Kulturës në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, përfundimi i Shtëpisë së Kulturës në Mateç të Likobës, që daton në vitin 2013, adoptimi i hapësirës në Teatrin e Kumanovës që duhet të përfundojë në vitin 2014. Ashtu si edhe ato të reja, si fillimi i aktiviteteve për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu”, me një kohëzgjatje 2011-2015, restaurimi i shtëpisë

“Mehmet Pashë Derallës” në Tetovë që duhet të mbyllet në vitin 2014, fillimi i procedurës për nominim të Xhamisë së Larme në Tetovë dhe Muzeut të Alfabetit Shqiptar për institucione nën mbrojtje të UNESKO- s që kanë si afat vitin e ardhshëm, nismë për shpalljen e shtëpisë së familjes Qiriazi në Manastir si objekt kulture i mbrojtur nga shteti, e të tjera. Në fakt, shumë prej projekteve që prezantohen si projekte, të cilat do të realizohen gjatë katër viteve, janë trashëguar si dosje të dështuara gjatë periudhës së kaluar, të cilat falë buxhetit të vogël që është akorduar në programet vjetore, nuk kanë mundur që t’i realizojnë objektivat.

Një prej tyre, që është edhe më sinjifikativ për trashëgiminë kulturore, është edhe Shtëpia e Alfabetit në Manastir, e cila prej më shumë se prej tre vjetësh, që kur ka filluar rikonstruktimi i cili ende nuk ka përfunduar me të gjitha parametrat e nevojshëm, për shkak se kontestet juridike e mbajnë këtë objekt peng mosmarrëveshjes. Ai vijon të gjysmëfunksionojë, edhe pse pretendimi ishte që të funksionojë si Muze, gjë e cila nuk u arrit.

Madje, ky objekt qëndron i mbyllur edhe për vizitorë dhe më shumë sesa muze, ky objekt është një shtëpi përkujtimore, me asnjë eksponat që do t’i përkiste kohës dhe profilit të saj. Një tjetër nismë që parashikohet në program është edhe nisma për shpalljen e shtëpisë së familjes Qiriazi në Manastir, si objekt kulture i mbrojtur nga shteti, kur në fakt kjo shtëpi as që ekziston.

Ish shtëpia e Qiriazëve, e cila u ble prej pinjollëve të familjes nga një pronar vendas, u shemb dhe në të është ndërtuar një shtëpi e re. Nuk dihet se formulimi në program është pjesë e ndonjë pakujdesie apo mungese të informimit, apo thjesht bëhet fjalë për ndërtimin e ndonjë shtëpie të re. Për shumicën e projekteve, çdo vit janë akorduar shuma të cilat nuk kanë arritur të mbyllin vakumet e krijuara nga menaxhimi i keq për shkak të kufizimeve financiare, apo edhe i autoriteteve lokale, duke e klasifikuar kulturën shqiptare si një prej objektivave më pak prioritare të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Në ndërkohë që kultura ka qenë në fokus të projekteve qeveritare, për të cilat janë shpenzuar miliona euro për projekte kapitale, një pjesë e të cilave kanë përfunduar, ndërsa të tjerat vijojnë. (E.H./KOHA)

Ja projektet në kulturë

Ndërtimi i qendrës kulturorearsimore në Tetovë me teatër të ri dhe bibliotekë (2015);

– Rikonstruktim të Teatrit shqiptar (2015);

– Fillimi i aktiviteteve për ndërtimin e sheshit Skënderbeu (2012-2015).

– Restaurim i shtëpisë së Mehmet Pashës Derallës (2014)

– Rikonstruktim i Qendrave kulturore në Tetovë, Gostivar dhe Strugë (2013-2015)

– Përfundimi i Shtëpisë të Kulturës në Mateç (2013)

– Adaptim i hapësirës në Tetarin në Kumanovë (2013-2014)

– Fillimi i procedurës për nominim të Xhamisë së Larme në Tetovë dhe Muzeun e Alfabetit Shqiptar për institucione nën mbrojtje të UNESKO-s (2012)

– Mbështetje për teatrin e fëmijëve në Çarshinë e Vjetër në Shkup (2013)

– Nismë për shpalljen e shtëpisë së familjes Qiriazi në Manastir për objekt të mbrojtur kulturor (2012)

– Mbështetje programore të festivaleve “Ditët e Naim Frashërit” dhe “Ditët e teatrit shqiptar”

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *