Home / Lajme / Maqedoni / Rimëkëmbja e ekonomisë në duart e mërgimtarëve

Rimëkëmbja e ekonomisë në duart e mërgimtarëve

1 korrik-“Tani një kohë të gjatë, sidomos pas muajve të dimrit – nuk kemi punë. Mundohemi të mbijetojmë çdo ditë, por kjo është shumë e vështirë. Presim që tani me kthimin e mërgimtarëve, të rritet edhe puna – ndryshe do të jetë keq, shumë keq”, thotë Halili, pronar i një lokali në qendrën e re tregtare në Tetovë

Urim Hasipi
Edhe pse në disa qytete të Maqedonisë është lehtë të fillosh biznes, megjithatë kjo nuk do të thotë se ky biznes mund të jetë i suksesshëm. Së paku, kështu shprehen ekspertët lokal ekonomik në Tetovë. Këtë mendim e kanë edhe ata që merrem me biznese të vogla, kryesisht në rajonin e Tetovës. Kriza globale ekonomike ka ndikuar negativisht në edhe në ekonominë e Tetovës në mënyrë indirekte.
Gjatë muajve të kaluar, është vërejtur krizë në më shumë sektore, sidomos në industrinë e drurit, tekstilit, ku ka patur edhe punëtorë të larguar dhe mbyllje të disa reparteve në disa fabrika të njohura, siç është rasti me një repart të fabrikës “Teteks”, ku mbi 200 punëtorë që shtatë muaj nuk kanë marrë paga dhe është në procedurë gjyqësore që të shpallet falimentimi i kësaj fabrike. Ndërkohë, bizneset e vogla ankohen se gjatë periudhës së kaluar, krahasuar me dytre vite të kaluara, kanë patur shumë më pak punë.
“Tani një kohë të gjatë, sidomos pas muajve të dimrit – nuk kemi punë. Mundohemi të mbijetojmë çdo ditë, por kjo është shumë e vështirë. Presim që tani me kthimin e mërgimtarëve, të rritet edhe puna – ndryshe do të jetë keq, shumë keq”, thotë Halili, pronar i një lokali në qendrën e re tregtare në Tetovë. Mendim të njëjtë shpreh edhe Rahmani, një tjetër pronar lokali në këtë qendër. Ai, madje thotë se shpëtimi i biznesit të tyre janë gjithnjë mërgimtarët.
“Edhe pse ata një muaj qëndrojnë në vendlindje, megjithatë financat që i lënë këtu janë të mëdha. Kjo është zinxhir dhe ne kemi shumë shpresa se puna do të rritet”, thotë Rahmani.
Ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se biznesi në Tetovë mbijeton vetëm falë të ardhurave që sjellin mërgimtarët, ngase shteti ka hequr dorë në investime në këto zona. “Në rajonin e Pollogut, tashmë me dekada shteti nuk krijon infrastrukturë dhe mundësi për zhvillimin ekonomik vendor, por këtu mbijetohet vetëm falë parave të jashtme të cilët vijnë nga mërgimtarët. Megjithatë, kjo është e përkohshme ngase janë para që qarkullojnë dytre muaj. Nevojitet që vetë shteti të krijojë kushte që të ketë zhvillim ekonomik lokal. Lehtë është të hapet një biznes në këto vise, por pastaj mbijetesa është shumë burokratike”, thotë Irfan Rakipi, ekspert ekonomik.
Ndryshe, miliona euro gjatë verës hyjnë në zonën e Pollogut, para të gatshme, të cilët i japin një injeksion ekonomisë vendore, theksojnë njohësit e çështjeve ekonomike. Qyteti i Tetovës, bashkë me Shkupin dhe Manastirin, sipas raportit “Duing Biznes 2011”, janë tre qytetet e Maqedonisë ku shumë lehtë mund të fillohet biznes.

Gjithashtu lexo

Përmes Serbisë po zbatohet një skenar për destabilizimin e Ballkanit, ja kush alarmon

Lidhja Demokrate e Maqedonisë (LD) nëpërmjet një kumtese vlerëson se tërheqja e personalit të ambasadës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *