Home / Lajme / Maqedoni / Rritet numri i narkomanëve

Rritet numri i narkomanëve

14 korrik-Deri në fund të vitit të kaluar, në Tetovë zyrtarisht janë të evidentuar 350 narkomanë. Pjesa dërmuese e tyre janë të moshës prej 17 deri në 25 vjet

Urim Hasipi
Thuajse të gjitha dukuritë negative devijuese në shoqëri kohëve të fundit shënojnë rritje në Tetovë, edhe atë duke filluar prej vjedhjeve, dhunës në familje, kriminalitetit, ndërsa në këtë drejtim ka rritje edhe të numrit të përdoruesve të drogës.

Shifrat dhe evidencat e policisë dhe institucioneve përkatëse tregojnë se në rajonin e Pollogut, që përfshinë Tetovën, Gostivarin dhe nëntë komunat tjera, rinia me të madhe konsumon drogë. Deri në fund të vitit të kaluar, në Tetovë zyrtarisht janë të evidentuar 350 narkomanë. Pjesa dërmuese e tyre janë të moshës prej 17 deri në 25 vjet.

Më shumë konsumojnë marihuanë dhe heroinë. Ata që qëndrojnë më mirë financiarisht, orientohen kah kokaina dhe llojet tjera të drogave më të shtrenjta në treg. Ndërkaq, objektet e braktisura, shtëpitë e pabanuara, dhomat hotelierike, hapësirat më pak të frekuentuara në qytet, janë vendet ku më së shumti konsumohet droga, sidomos gjatë orëve të natës, bëjnë të ditur nga policia e Tetovës. “Rritja evidente e narkomanëve në rajonin e Tetovës, në mënyrë të drejtpërdrejt është e lidhur edhe me rritjen e vjedhjeve dhe dhunës në familje, sidomos gjatë viteve të fundit”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 625 përdorues të drogës. Sipas evidencës së këtij sektori, numri më i madh i përdoruesve të drogës janë të moshës prej 17 deri në 25 vjeçare në Tetovë, kurse prej 20 deri në 45 vjet në Gostivar. Personi i fundit si shfrytëzues i përdorimit të drogës i regjistruar në Komunën e Tetovës ka vetëm 12 vjet. Dyshohet se shifrat nuk janë të realta pasi ky numër mund të jetë edhe dhjetëfish më i madh. Ndërkohë, sipas Qendrës për zvogëlimin e dëmeve nga përdorimi i drogave, në Tetovë numri i përdoruesve të drogës në fund të vitit të kaluar ka qenë 108 përdorues të drogës.

Në vitin 2009, ky numri ka qenë 62, kurse në vitin 2008 ka patur të regjistruar në këtë qendër vetëm katër persona. Gjatë vitit të kaluar, poashtu është bërë edhe testimi i Sidës ku nga 108 të testuar, 19 kanë rezultuar të infektuar me këtë sëmundje. Në Qendrën për mbrojtje dhe trajtim prej keqpërdorimit nga droga në Tetovë, në trajtimin me metadon janë mbi 100 persona, mirëpo jo të gjithë janë nga Tetova dhe Gostivari, pasi ndihmë kërkojnë këtu edhe pacient nga Shkupi dhe qytete tjera. Për tregtinë me drogë si dukuri kriminale, gjithnjë sipas Policisë, kontribuon afërsia e linjave kufitare, dendësia e popullatës, numri i madh i të punësuarve në vendet Evropiane, frekuentimi i studentëve nga vende të ndryshme, papunësia, kriza ekonomike dhe sociale etj. Organizatat joqeveritare kohë më parë kanë piketuar tetë vende potenciale ku përdoret droga në Tetovë.

Ndërkohë që edhe pse raportet policore tregojnë se ka rritje të përqindjes se efikasitetit të zbulimit të veprave penale, megjithatë një pjesë e madhe e atyre që kryejnë vjedhje në këtë rajon dyshohet se janë përdorues të drogave të ndryshme dhe kryesisht janë adoleshent. Nga policia njoftojnë se vitin e kaluar, nga muaji shtator deri në nëntor, SPB e Tetovës ka realizuar projektin “Preventiva nga keqpërdorimi i drogës”, ku ishin të përfshirë shkollat fillore në rajonin e Pollogut, të cilët janë njohur me rreziqet dhe si të mbrohen nga kjo dukuri.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *