Home / Lajme / Maqedoni / Tensionet ndëretnike në favor të drogës

Tensionet ndëretnike në favor të drogës

9 korrik-Në konkluzionet e raportit të Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Trafikim, për vitin 2010, Maqedonia paraqitet si pjesë e zinxhirit ndërkombëtar, nëpërmjet të cilit qarkullojnë drogat e llojeve të ndryshme, midis të cilave dominon heroina. Sa u përket rrjeteve të trafikimit, dokumenti thekson se ideatorë të një pjese të tyre mbeten shqiptarët

Numri i madh i konflikteve të pazgjidhura dhe tensionet ndëretnike pamundësojnë bashkëpunimin rajonal dhe reagimin urgjent dhe efektiv në drejtim të parandalimit të trafikimit të lëndëve narkotike nëpër vendet e Ballkanit. Është ky konkluzion i raportit të Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Trafikim, për vitin 2010, në të cilin Maqedonia paraqitet si pjesë e zinxhirit ndërkombëtar nëpërmjet të cilit qarkullojnë drogat e llojeve të ndryshme, midis të cilave dominon heroina.

Turqia sa 11 shtete

Në raportin në fjalë, thuhet se vendet e Ballkanit kanë dështuar ta luftojnë trafikimin e drogës. Në rrugët e tij kalojnë mijëra tonë drogë të llojeve të ndryshme. Njëmbëdhjetë shtete të Ballkanit, marrë së bashku, brenda një viti nuk kanë mundur të konfiskojnë sa Turqia vetëm. Duke i përshkruar trasat e drogës, vendet në të cilat prodhohet, por edhe në të cilat konsumohet, raporti Maqedoninë e trajton si shembull negativ në luftimin e trafikut me lëndë narkotike. Në bazë të statistikave të siguruara për vitin 2010, Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Trafikim arrin në konstatimin se Maqedonia gjatë vitit në fjalë ka zbuluar dhe sekuestruar njëzet e katër kilogramë heroinë dhe prandaj vendi merret si një nga shembujt negativ gjatë luftimit të trafikut të drogës.

Krahas Maqedonisë, raporti si shembull negativ e trajton edhe Malin e Zi, i cili në 2010 ka kapur vetëm 18 kilogram heroinë, Bosnjën e Hercegovina ku janë zbuluar 24 kilogramë, Hungarinë 28, Shqipërinë 75, Austrinë 104, Slloveninë 136, Kroacinë 153 dhe Serbinë 207 kilogramë. Në fakt, shtetet si Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria, janë pjesë e një zinxhiri të gjatë vendesh, nëpër të cilat kalon droga, për të mbërritur deri në shtetet perëndimore, që janë edhe vendet konsumuese të saj. Disa prej shteteve të Ballkanit janë shndërruar në vende transite të trafikut të drogës, që destinacion ka shtetet e Evropës Perëndimore, e më së shumti Italinë. Sipas dokumentit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krime (UNDOC), vetëm tregu i heroinës në vendet e Evropës Perëndimore është i barabartë sa prodhimi i përgjithshëm bruto (GDP) i Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë, marrë së bashku, ose në total 20 miliardë dollarë amerikanë në vit. Megjithatë, në këtë dokument thuhet se të gjitha vendet janë të prekura nga trafiku i lëndëve narkotike.

“Përparim relativisht të ulët është shënuar nga shtetet e Ballkanit në luftimin e trafikut të drogës. Rrjetet e Turqisë e sjellin drogën deri në kufijtë e Bullgarisë ose Greqisë, ku pastaj kujdesin për të e marrin grupet e Ballkanit”, thuhet në raportin e UNDOC-së, në të cilin shteti turk lavdërohet për luftën që është duke e bërë ndaj drogës, por kritikohen shtetet e Ballkanit. Sipas raportit, tregu i drogës është një kërcënim për vendet e Ballkanit si për Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën. Megjithatë, nga trafiku i drogës nuk janë prekur vetëm shtetet e Ballkanit. Dokumenti jep një pasqyrë se prej nga vjen dhe si vjen droga, e cila i kalon shtetet e Ballkanit. Logjistika e drogës, e cila si vend të origjinës ka kryesisht Afganistanin, kalon edhe Iranin, i cili ka një vijë të gjatë kufiri prej 132 kilometrash, një pjesë e të cilit për shkak të konflikteve, është e pakontrolluar.

Një pjesë e sasisë së drogës vazhdon rrugën drejt vendeve të Kaukazit, të cilat për shkak të problemeve që kanë, nuk mund të kontrollojnë si duhet trafikun e drogës brenda territoreve të tyre. Si shembull për këtë, raporti përmend Gjeorgjinë, përmes së cilës, trafiku i drogës ka shënuar rritje drejt Evropës, përmes Detit të Zi. Sa i përket rrugës së drogës në drejtim të Ballkanit, raporti thekson se ajo kalon nëpër territorin e Turqisë, saktësisht në pjesën ku ajo ka më pak autoritet shtetëror, sepse kontrollohet nga grupet etnike kurde. Madje, kjo pjesë përfshin një rrip të gjatë kufiri që kontrollohet nga kurdët, ndërmjet Turqisë, Iranit dhe Irakut. Ky grup merr drogën dhe përmes rrjetit të tyre e dërgojnë drogën drejt Evropës. Sa u përket rrjeteve të trafikimit, dokumenti thekson se ideatorë të një pjese të tyre mbeten shqiptarët. Sipas këtij dokumenti, është shumë e qartë se disa prej grupeve hierarkinë e kanë ndërtuar në Shqipëri. “Grupet shqiptare kanë një strukturë të atillë që në mënyrë të veçantë e bën të vështirë infiltrimin. Kjo pjesërisht e shpjegon arsyen përse ata vazhdojnë të kontrollojnë disa tregje të heroinës në Evropë”, theksohet në dokumentin ndërkombëtar. Në raport thuhet se grupet shqiptare janë më të dukshme në Greqi, Itali dhe Zvicër. Ndërkaq, Italia vazhdon të mbetet vendi më i rëndësishëm për trafikantët e Ballkanit.

Shumë lëvdata dhe shumë drogë

Kur bëhet fjalë për luftimin e drogës nga ana e organeve të rendit në Maqedoni, statistikat policore tregojnë se janë rritur sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara gjatë viteve të fundit dhe njëherësh janë ndërprerë disa kanale ilegale të trafikimit të drogës.

Zyrtarët e lartë policor në vazhdimësi janë duke u lavdëruar për sukseset e arritura në luftimin e kontrabandës me lëndë narkotike, ndërsa nuk kanë munguar as mirënjohjet e organizatave ndërkombëtare të kësaj sfere. Megjithatë, statistikat “e zeza” dhe supozimet për drogat që kalojnë nëpërmjet territorit të vendit, por edhe të sasive që mbeten në vend, janë të pakrahasueshme me ato që i trajtojnë sasitë e sekuestruara të drogës. Sipas statistikës së Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftim të drogës dhe krimit, nëpërmjet territorit të vendit çdo muaj kalon heroinë me të cilën çdo qytetar mund të furnizohej me nga shtatë kilogramë. Informatat e shërbimeve antidrogë konstatojnë se kjo sasi e heroinës transiton nëpërmjetMaqedonisë, megjithatë një pjesë e saj mbetet për nevojat e përdoruesve vendas. Fakti i tillë konfirmohet lehtë edhe nëpërmjet sasive të heroinës që mund të gjenden lehtë nëpër tregjet e zeza vendase, por edhe nëpërmjet zbulimeve dhe sekuestrimeve të shpeshta të sasive të vogla nga ana e policisë.

Gjithashtu, në favor të faktit se një pjesë e drogave që kalojnë nëpërmjet territorit të vendit mbetet për përdoruesit vendas, shkojnë edhe çmimet e lëndëve narkotike. Një gram marihuanë kushton nga një deri në 15 euro, ndërsa një cigare me marihuanë mund të blihet për 100 denarë. Një pako me 3 deri në 5 gramë marihuanë kushton rreth pesë euro, ndërsa një kilogram në tregun vendas shitet nga 200 deri në 400 euro, në varësi të kualitetit. Një gram heroinë kushton 15 deri në 20 euro, ndërsa 1 kilogram 10 mijë deri në 15 mijë euro, por shumë lehtë nëpër qytetet më të mëdha të vendit për 500 denarë mund të blihet një dozë heroinë. Një gramë kokainë nëpër tregjet e vendit shitet për 50 deri në 100 euro, 1 kilogram shkon nga 30 deri në 35 mijë, ndërsa një tabletë ekstazi kushton 5 deri në 8 euro. Nëse do të bazoheshim në praktikën e vendeve më të zhvilluara evropiane, të cilët mesatarisht zbulojnë rreth dhjetë për qind të lëndëve narkotike, por edhe në praktikën vendase dhe nëse statistikat do të përdoreshin për t’i vërtetuar sasitë e drogave që duke kaluar nëpërmjet territorit të Maqedonisë mbeten për përdoruesit vendas, mund të arrihet në konstatimin se në tregjet e zeza të vendit çdo vit shpërndahen mbi tre tonë droga të llojeve të ndryshme.

Për prodhim dhe lëshim në përdorim të lëndëve narkotike, por edhe për mundësim të përdorimit të drogave, policia vendase çdo vit padit qindra persona. Raportet policore bëjnë të ditur se midis personave që kapen me drogë ose që paditen për të njëjtën, janë gjetur persona të të gjitha moshave, por midis tyre dominojnë moshat e reja, ndërsa nuk mungojnë as minorenët. Ndërkaq, sipas përllogaritjeve policore, lëndët narkotike që konfiskohen në narkotregun vendas arrijnë në miliona euro. Aksionet policore të kohëve të fundit gjithashtu kanë konfirmuar se marihuanë është duke u kultivuar pothuajse në të gjithë vendin.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *