Home / Sport / TETOVARË, MBURENI ME SHKËNDIJËN!

TETOVARË, MBURENI ME SHKËNDIJËN!

Të luash në Ligën e Kampionëve është maksimumi që mund të bëhet, ndërsa nëse bëjmë këtë gjë vite me rradhë në të ardhmen, ndoshta një ditë do të jemi në nivelin për të eliminuar skuadra të kalibrit të Partizanit. Prandaj të gjithë duhet të jenë të realtë me veten dhe klubin, për të nderuar heronjtë e Shkëndijës që sollën momente historike me të cilat do të mburen sa të jetë jeta. Shkëndija dhashtë Zoti të fitojë shumë tituj, por këtë të parin nuk do e zëvendësojë asnjë tjetër. Pikërisht për këtë të gjithë ata që e kanë për zemre këtë skuadër, duhet të mburen me Shkëndijën dhe futbollistët e saj.

Kanë kaluar disa ditë debutimi i Shkëndijës në Europë dhe disftës 4:0 nga Partizani, ndërsa ngadalë emocionet zënë vendin e tyre dhe me kokë të ftohtë secili mund të vlerësojë paraqitjen e ‘kuqezinjëve’. Është e vërtetë se askush nuk luan për disfatë dhe nuk dëshiron të humbë, qoftë edhe një ndeshje e thjeshtë kontrolluese, e mos të flasim për paraqitje të këtilla ndërkombëtare, posaçarisht kur përballë ke një kundërshtar nga pala që don ta mundësh jo vetëm në aspektin sportiv. Është e vërtetë se humbja nga Partizani në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e këndshme dhe se realisht ndoshta dëshpëroi çdo tifoz të Shkëndijës dhe çdo shqiptar. Mirëpo të kritikohet skuadra ‘kuqezi’ dhe futbollistët e saj nuk guxon në asnjë moment. Përkundrazi, ata (futbollistët e Shkëndijës) meritojnë çdo lëvdatë për gjithë atë që arritën në 12-të muajt e fundit, madje meritojnë lëvdatë edhe për paraqitjen kundër Partizanit. Ndoshta kjo e fundit tingëllon si ironike, mirëpo jo, e vërteta është se futbollistët meritojnë lëvdatë. Ata që kritikojnë, o s’kan njohuri për futbollin dhe njëkohësisht janë jo real për gjendjen faktike të gjërave, ose e bëjnë këtë nga naiviteti masiv që na ka kapluar. Shkëndija në debutimin e saj në Europë luajti me nder, nuk u orientua në mbrojtje që në fillim, përkundërazi mori guximin të sulmojë Partizanin në mes të Beogradit dhe si rezultat i kësaj fitoi penalti që fatkeqësisht nuk u konvertua në epërsi historike të ‘kuqezinjëve’. Të gjithë panë se futbollistët ‘kuqezi’ kanë kualitet për të qenë të denjë kundër një ekipi që zhvillonte ndeshjen e 80-të në Ligën e Kampionëve, ndërsa më vonë disafata erdhi si pasojë e disa rrethanave tjera. Shkëndija luan në një kampionat më të dobët se ai i Serbisë, ku garon Partizani, ndërsa përgatitja më e mirë fizike e serbëve përfundimisht bëri diferencën në këtë ndeshje.Po mirë, Shkëndija humbi, por nuk shoh këtu arsye për tu demoralizuar, për të kritikuar futbollistët. Ata futbollistë, të cilët nuk janë vetëm aq, por janë edhe shumë më shumë, janë heronj të kësaj gjenerate. Personalisht atë mbrëmje (13.07.2011) në mes të Beogradit isha një shqiptar krenar, në kombin dhe skuadrën që na përfaqësoi në Europë. Na përfaqësoi dhe bëri që për herë të parë në gjithë Europën të flitet për shqiptarët e Maqedonisë në përgjithsi dhe të Tetovës në veçanti. Kur them se futbollistët janë heronj, jam shumë i vetëdijshëm në atë që flas dhe jam në gjendje të përsëris 1 milion herë po të jetë nevoja. Për një vit nga kategoria e dytë, po ata futbollistë që të mërkurën humbën 4:0 në Beograd, arritën që me një sezon ëndrash të sjellin sukses pas suksesi, gëzim pas gëzimi, duke fituar në fund titullin e kampionit në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni, që automatikisht nënkuptonte se ëndra e kahmotshme për debutim në Europë tani më ishte realizuar, deri sa për herë të parë do të luanim në kompeticionin më të fortë europian, Ligën e Kampionëve. Shorti deshti që një tjetër ëndër e secilit tifoz të Shkëndijës të realizohet. Shkëndija e tyre do të luante në Beograd me Partizanin. Tani s’kuptoj çka kërkohet më shumë në këtë periudhë kohore rekorde. Vetëm një vit nga Liga e Dytë të fitosh titullin e kampionit dhe të luash në Ligën e Kampionëve?! Mos vallë dikush deshti që Shkëndija të eliminojë Partizanin, më pas ndoshta Gllazgov Rengersin, pastaj Manchester Sitin dhe ja ku jemi në Ligën e Kampionëve?! Në grup do ishim të dytit, në 1/8 e finales do kalonim Interin dhe në 1/4 e finales do eliminohemi nga Barcelona?! E tani ky eliminim ndoshta nuk do të dhimbte shumë, pasi fundja do të vinte nga ekipi më i fortë në planet?! Ëndëra të nderuar, vetëm ëndëra dhe asgjë tjetër. Realiteti është se Shkëndija këtë vit arriti shumë më lartë se maksimumi i saj i relatë, solli më shumë gëzime se sa u pritën, realizoi ëndëra të mëdha dhe të vjetra që shumë gjenerata mund vetëm t’ua kenë lakminë dhe tani s’qenkemi të kënaqur!? Duhet të gjithë të pranojMë se ky është realiteti dhe se Shkëndija në Europë debutoi kundër një ekipi gjigand për kushte të Ballkanit, ndoshta edhe më gjërë. Kuptoj se të gjithë duan aq shumë Shkëndijën, sa që ndonjëherë i vendosin para qëllime joreale dhe ndoshta do të kishte qenë mirë këtë vit Shkëndija të ishte në vend të tretë në Maqedoni, të debutonte në Europa Ligë kundër ndonjë skuadre të panjohur, të eliminohej për të kuptuar të gjithë se nuk egzitojnë ekipe të dobëta dhe se mungesa e përvojës në këto gara bën të veten. Por këtë obsion askush nuk do ta pranonte, pasi të gjithë aq shumë e dëshironim titullin e kampionit dhe të njëjtët pas një disfate reale nga Partizani harojnë atë ndjenjë të shejntë e të qenit më i miri në Maqedoni, duke shkuar aq larg, madje duke marë guximin për të kritikuar futbollistët. Mendoj se tani më emocionet secili mund ti kontrollojë më lehtë dhe të kuptojë se ky ishte realiteti ynë dhe se secili duhet të mburet me Shkëndijën, pasi këtë vit u dha më shumë se sa pritej. Tani vjen ndeshja e kthimit, të gjithë duhet të sigurojnë nga një biletë për të qenë të pranishëm në një tjetër moment historik të Shkëndijës, në ndeshjen e kthimit me Partizanin. Debutim i Shkëndijës në Europë si vendas. Ëndër e kahmotshme që tani më është realitet. Mos vallë dikush do të jetë aq i padrejtë me veten dhe klubin për të lejuar që humbja në ndeshjen e parë të ndikojë në mospraninë në ndeshjen e kthimit. Dhe nëse ka të tillë, le të rinë në shtëpi, pasi Shkëndija ka nevojë për tifozë të vërtetë. Tifozë që e duan klubin në të mirë e në të keqe. Të luash në Ligën e Kampionëve është maksimumi që mund të bëhet, ndërsa nëse bëjmë këtë gjë vite me rradhë në të ardhmen, ndoshta një ditë do të jemi në nivelin për të eliminuar skuadra të kalibrit të Partizanit. Prandaj të gjithë duhet të jenë të realtë me veten dhe klubin, për të nderuar heronjtë e Shkëndijës që sollën momente historike me të cilat do të mburen sa të jetë jeta. Shkëndija dhashtë Zoti të fitojë shumë tituj, por këtë të parin nuk do e zëvendësojë asnjë tjetër. Pikërisht për këtë të gjithë ata që e kanë për zemre këtë skuadër, duhet të mburen me Shkëndijën dhe futbollistët e saj.

Faton Zylbehari

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *