Home / Lajme / Maqedoni / U mbyllën rastet e Hagës

U mbyllën rastet e Hagës

Kuvendi me 63 vota “pro” dhe 29 “kundër”, e miratoi interpretimin autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti. Paraprakisht, opozita maqedonase është shprehur kategorikisht kundër mbylljes së rasteve të Hagës, madje ka akuzuar VMRO-DPMNE për mbrojtjen e siç u shprehën “vrasësve e kriminele”, por ky Ligj ka shfaqur unik partitë shqiptare

Kuvendi me 63 vota “pro” dhe 29 “kundër” në kuadër të vazhdimit të seancës së 4-të e miratoi interpretimin autentik të nenit 1 nga Ligji për amnisti. Mbyllja e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit të amnistisë, ka ashpërsuar debatin mes deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së. Partia e Cërvenkovskit madje ka akuzuar VMRO-DPMNE për mbrojtjen e siç u shprehën “vrasësve dhe kriminelëve” dhe se një zgjidhje e këtillë sipas saj është e përkohshme.

“Ju shoh që me lehtësi të madhe dhe pa fije turpi dhe njerëzimi do t’i qerasni vrasësit dhe kriminelët në vend që ata të përgjigjen me emër dhe mbiemër. Ka dallime të caktuara në vet rastet mirëpo ju sot të gjitha katër rastet do t’i miratoni me një interpretim autentik”, tha Igor Ivanovski i LSDM-së.

Fjalori i këtillë nxiti reagimin e deputetëve të partisë së Ahmetit, BDI-së, të cilët vërejtën se kjo nuk i ndihmon përpjekjet për të përmbyllur temat që brengosin qytetarët edhe 10 vite pas konfliktit. “E dini çfarë dëshironi ju, të mos kaloj interpretimi autentik, nesër të bjerë qeveria, LSDM të marrë mandat jo interpretim autentik, por… do të jeni të gatshëm edhe shumë çështje tjera t’I jepni, megjithatë vullneti i popullit nuk është në anën tuaj. Të nderuar miq e di se çfarë keni diskutuar me mua, çfarë keni diskutuar edhe me Ahmetin. Mos ju lutem, mos u shitni për atë që nuk jeni, ju njoh ndryshe dhe ju respektoj, sot nuk jeni ata. Me keqardhje ju them në radhët e BDI-së mua më vlerësojnë si të prirur në linjën e LSDM-së, andaj mos më dëshpëroni”, deklaroi Xhevat Ademi nha BDI.

Edhe Tito Petkovski i PRDSD-së u shpreh kundër. “Mendoni vërtetë se me interpretimin autentik do të zgjidhet problemi? Unë si jurist dhe si deputet mendoj se jo pasi këto lloje të veprave penale nuk vjetërsohen, këtë ju e dini. Nesër do vijë një pushtet përgjegjës dhe prokuror i cili do ta respektoj ligjin dhe të drejtën dhe do t’i procesuoj sërish”, tha Petkovski.

“Është e turpshme që një parti duke shkelur të drejtat njerëzore dëshiron që sot të promovohet si mbrojtëse e tyre. Është e turpshme që partia e cila në shpin bart kushtetutën e vitit 91 për të cilin lideri i juaj Branko Cërvekovski ka pranuar se ajo kushtetutë është gjeneratori kryesor për tensionet në Maqedoni dhe ajo kushtetutë ka kontribuar që të ndodh konflikti në vitin 2001, për të cilin sot debatojmë dhe i cili duhet të vendoset ‘ad-akta’ në historinë e këtij populli dhe të fillojmë një proces normal të bashkëjetesës dhe të mos nxisim tensione ndëretnike në Maqedoni”, deklaroi Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE, që edhe ishte regimi i vetëm i partisë së Gruevskit në debatin e sotëm.

Suzana Saliu, nënkryetare e Parlamentit të Maqedonisë, duke diskutuar për nevojën e interpretim autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti, kërkoi nga të gjithë deputetët që ta mbështesin këtë propozim dhe njëherë e përgjithmonë ta mbyllin këtë çështje, e cila siç tha ajo, ende po i mban gjakrat e nxehtë midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Partitë politike shqiptare treguan unifikim të qëndrimeve të tyre. Iniciativa u mbështet edhe nga opozita shqiptare PDSH e RDK.

Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri u shpreh se partia e tij do të mbështes miratimin e këtij propozimi me të vetmin qëllim – të mbyllen rastet, të cilat kanë për qëllim të burgosin të rinjtë shqiptarë. “Ne do ta mbështesim propozimin për interpretim autentik të nenin 1 të Ligjit për amnisti me qëllim që njëherë e përgjithmonë t’u jepet fund armiqësive që ende ekzistojnë midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Por kërkoj që deputetët e BDI-së publikisht të dalin dhe tu kërkojnë falje të gjithë atyre të akuzuarve për këto raste, që ende janë larg familjeve të tyre për shkak se këto procese, nuk i kanë mbyllur më herët”, tha Zeqiri.

Po ashtu, edhe deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela u shpreh se deputetët e partisë së tij do ta përkrahin miratimin e këtij propozimi, sepse në 2008, interpretimi autentik i Ligjit për amnisti ishte propozim i tyre. “Do ta mbështesim miratimin e propozimit për interpretim autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti, e jo siç e bëri të kundërtën atë kohë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti duke mos e përkrahur propozimin tonë”, tha Sela. I menjëhershëm ishte reagimi e deputetes Mehmeti, duke e përkujtuar Selën se në shërbimet e Parlamentit ekzistojnë stenograme ku mund të sheh se ajo asnjëherë nuk është shprehur kundër këtij Propozimi.

Me interpretimin autentik të këtij Ligji, amnistia përfshin katër rastet e Hagës si udhëheqësia e UÇK-së, penda e Likovës, rastet e Mavrovës dhe 12 të zhdukurit. Interpretimi autentik i Ligjit për amnisti është pika e tretë e marrëveshjes Ahmeti-Gruevski.

Gjithashtu lexo

Gjykata refuzon ankesat e të akuzuarve në lëndën “Trezor”

Këshilli për vlerësimin e aktit prokuror në Gjykatën Penale, në lëndën e PSP-së të njohur …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *