Home / Lajme / Maqedoni / Amerikanët kritikojnë mosjetësimin e M.O

Amerikanët kritikojnë mosjetësimin e M.O

8 gusht-
Një sërë kritikash për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerësime politike të Ambasadës amerikane në Shkup, janë pjesë e depeshesë të publikuar në rrjetin e internetit “Wikileaks”.

“Wikileaks” vazhdon me publikimin e depesheve të dala nga Ambasada amerikane në Shkup. Në dokumentin e siguruar nga gazeta FAKTI, theksohen kritikat e shumta të amerikanëve dhe vlerësimet jo të volitshme për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nga ana e Qeverisë. Kritikat kanë të bëjnë me mënyrën e sjelljes dhe të formulimit të Ligjit për gjuhë, ngecjet në Ligjin për decentralizim dhe diskriminimin e komunave shqiptare, si dhe mungesën e një tabloje të saktë për përfaqësimin e bashkësive joshumicë në administratën shtetërore.

Një sërë kritikash për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë së Ohrit (MKO) dhe vlerësime politike të Ambasadës amerikane në Shkup, janë përmbledhur në depeshen e kësaj të fundit të publikuar në rrjetin e internetit “Wikileaks”.

Dokumenti, i cili është i nënshkruar nga zyrtari amerikan, Tom Navratil, dhe që është i evidentuar si “senzitivë, por jo i klasifikuar” dhe që sugjeron për “ruajtjen e tij në mënyrë të përshtatshme”, është i krijuar më 6 janar të vitit 2010.
Në të, mund të lexohen vërejtjet e shumta amerikane lidhur me veprimet e Qeverisë së Maqedonisë, në sjelljen e ligjeve të dala nga MKO-ja dhe zbatimin e ngeshëm të tyre në praktikë, defektet e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, mungesën e vullnetit politik tek VMRO-DPMNE-ja për involvimin e saj në procesin e implementimit të këtij dokumenti, si dhe hedhjen poshtë të alternativave të reja të MKO-së. Dokumenti, në radhë të parë tregon se zbatimi i disa pjesëve të MKO-së është i kënaqshëm, por se ngecje haset në disa segmente, si­ç është Ligji për përdorimin e gjuhëve, Ligji për decentralizim të komunave dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në administratën shtetërore dhe publike.

Nuk respektohet Ligji për gjuhë, shqipja anashkalohet

Madje, për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, amerikanët – gjithnjë sipas Wikileaks, kanë qenë të rezervuar sa i përket mënyrës së sjelljes dhe formulimit të projekt-ligjit, ndonëse shprehen të kënaqur për faktin se brenda kësaj periudhe janë sjellë pothuajse të gjitha ligjet dhe amendamentet kushtetuese, të parapara nga MKO-ja.

“Qeveritë e njëpasnjëshme të Maqedonisë, kanë realizuar dhe sjellë me sukses të gjitha ligjet dhe amendamentet kushtetuese të kërkuara nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Megjithatë, në rastin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, Qeveria e Maqedonisë e ka miratuar me ngutje këtë ligj, në një version, i cili sipas vëzhguesve ndërkombëtarë dhe disa të tjerëve brenda qeverisë, ishte keq i formuluar dhe më i dëmshëm sesa pozitiv. Në rastet tjera, në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, Qeveria e Maqedonisë ka hartuar pjesën më të madhe të ligjeve dhe ka bërë përpjekje të gjejë një konsensus politik për miratimin e tyre”, thuhet në kabllon e publikuar nga “Wikileaks”. Edhe sa i përket zbatimit të këtij ligji, amerikanët vërejnë se në komunat të përziera etnikisht, ku bashkësia etnike plotëson kushtin e 20 përqindëshit, janë bërë shkelje ligjore dhe në mënyrë burokratike është pamundësuar që pjesëtarët e asaj bashkësie të komunikojnë në gjuhën e tyre, ashtu siç e kërkon Ligji.

“Megjithatë, një anketë e Misionit të OSBE-së tregon se vetëm 4 për qind nga të anketuarit, janë shprehur se kanë probleme gjuhësore gjatë komunikimit me udhëheqjen e komunës”, thuhet më tej në dokumentin e publikuar nga Wikileaks.

Pos këtyre vërejtjeve, nuk është lënë pa u theksuar edhe mungesa e mbishkrimeve në gjuhën shqipe, në ndërtesat publike dhe të qeverisë.

“Në fakt, shumë nga mbishkrimet publike të ndërtesave të qeverisë, maqedonishtja është e shoqëruar me përkthim vetëm në anglisht, duke e anashkaluar kështu gjuhën shqipe”, shkruhet më tej në po këtë dokument.

Sekretariati për MKO, pa pushtet

Përpjekjet e qeverisë për zbatimin e ligjeve të miratuara, sipas kabllos së publikuar në Wikiliks, janë gjysmake. Zbatimi i tyre për lidershipin maqedonas është një gjë e padëshiruar dhe e imponuar nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe nga “kërcënimet e shqiptarëve për një konflikt të ri”.

Lidhur me funksionimin e Sekretariatit për implementimin e MKO-së, organit kyç për zbatimin e këtij dokumenti, thuhet se ai lëngon nga mungesa e pushtetit dhe se, është nën udhëheqje ekskluzive dhe përgjegjësi vetëm të shqiptarëve.

“Që nga fillimi me punë, Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit i është dhënë shumë pak pushtet dhe ai është lënë vetëm në duart e lidershipit shqiptar, përderisa lidershipi maqedonas ka dëshmuar fare pak sens për përgjegjësi, për suksesin apo dështimin e tij. Madje, disa nga politikanët maqedonas (sidomos ata të VMRO-së), thonë se zbatimi i MKO-së është një detyrë vetëm e shqiptarëve dhe se duke u dhënë atyre këtë institucion dhe zv/kryeministrin për MKO, ata kanë përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjes”, shkruan Wikileaks.

Diskriminohen komunat në baza etnike

Vënia në praktikë e Ligjit për decentralizim të komunave, ndodhet në fokusin e kritikave të ambasadës amerikane, sidomos në zbatimin e fazës së decentralizimit fiskal, ku theksohet kthimi i një përqindjeje të vogël të tatimeve të qytetarëve njësive lokale. Në këtë drejtim, vërehet kthimi i pabarabartë i këtyre mjeteve komunave, në bazë të vijës etnike.

Ndërkaq, sa i përket përfaqësimit të drejtë të pjesëtarëve të bashkësive etnike joshumicë, në kabllon e publikuar nga Wikileaks thuhet se, “ende nuk ekziston një sistem i besueshëm për vlerësimin e përfaqësimit të barabartë”, por se sipas shifrave që publikohen, ekziston një rritje pozitive e këtij përfaqësimi, ndonëse vazhdon të jetë e ulët krahasuar me përfaqësimin e popullatës maqedonase.

Gjithashtu, në këto vlerësime rreth punësimeve, është konstatuar edhe keqpërdorimi i tyre për poena politik nga ana e partisë shqiptare në pushtet.

“Tendenca e partisë shqiptare në pushtet, është të krijojë vende artificiale të punës, nën vellon e përfaqësimit adekuat, dhe t’i shfrytëzojë këto punësime për të blerë mbështetje partiake”, thuhet në këtë dokument.

MKO-ja, rruga e vetme e logjikshme

Sipas depeshes amerikane të publikuar në Wikileaks, Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdon të ketë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, si rruga e vetme e logjikshme për vendin. Amerikanët, megjithatë vërejnë hipokrizinë e qeveritarëve maqedonas, kur bëhet fjalë për zbatimin e këtij dokumenti paqeruajtës.

“Në përgjithësi, drejtuesit maqedonas të qeverisë, zyrtarisht i mirëkuptojnë pritjet e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me zbatimin e MKO-së, dhe deklaratat e tyre publike e reflektojnë këtë mirëkuptim. Megjithatë, veprimet dhe vlerësimet e tyre private shpesh e thonë të kundërtën e atyre deklaratave. Përderisa anketat e IRI-t tregojnë se 52 për qind e qytetarëve të Maqedonisë e mbështesin MKO-në dhe besojnë se implementimi i tij e bën vendin më stabil, shumë maqedonas besojnë se MKO-ja paraqet një lëshim i madh kundrejt shqiptarëve dhe një simbol i humbjes poshtëruese të forcave të sigurisë, nga ana e ‘terroristëve’”, theksohet më tej në këtë dokument.

Pjesë e këtij dokumenti, është edhe vlerësimi i ambasadës amerikane për deklaratat e zyrtarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, të cilët, siç thuhet, kanë shpallur MKO-në si të vdekur.

“PDSH, një parti e fuqishme formalisht, por luftarake (gjithashtu, një nga nënshkrueset e MKO-së), e ka shpallur plotësisht të dështuar MKO-në dhe po bën thirrje për një marrëveshje të re (të cilën, ata tanimë e kanë të përgatitur). Kjo fushatë nuk ka bërë pothuajse asnjë tërheqje jashtë rrethit të brendshëm të PDSH-së”, thuhet në fund të këtij dokumenti, i cili përmbyllet me riafirmimin e mbështetjes ndërkombëtare dhe të ambasadës amerikane për MKO-në.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *