Home / Sport / Arian Beqaj mbyll karrierën

Arian Beqaj mbyll karrierën

Portieri i kombëtares shqiptare të futbollit, Arian Beqaj, i ka dhënë fund karrierës si futbollist aktiv, duke gjetur pensionimin në prag të 36-vjetorit të lindjes.

Ish-numri 1 tashmë nuk do të dalë më në fushën e blertë. Nuk do të vendoset në zonën e vogël të rreptësisë mes dy shtyllave të portës. Kombëtarja shqiptare ka humbur një tjetër përvojë të madhe, pasi Arian Beqaj, portieri 36-vjeçar nga Kosova vendosi ta mbyllë karrierën e tij futbollistike.

Një vendim i vështirë, por i kuptueshëm pas 2 vitesh tepër të vështira, ndonëse në grumbullimin e skuadrës kombëtare për ndeshjen ndaj Malit të Zi, nuk u duk ndonjë shenjë e këtij largimi, edhe pse Beqaj ishte ndër ata që dolën para mediave.

Gjithsesi, më i rëndësishëm është fakti që djaloshi nga Prizreni, 1.88 metra i gjatë, i dha fund karrierës pikërisht 9 ditë para se të mbushte 36 vjeç, ndërsa ditëlindjen e ka më 25 gusht. Pasi mbrojti portën e Partizanit në Shqipëri në vitet 1994-1997, Beqaj provoi fatin jashtë vendit duke luajtur tek OFI i Kretës dhe Ionikos në Greqi, për të kaluar më pas tek Anorthosis i Famagustës dhe Olimpiakos i Nikozisë në Qipro.

Ndalesa e fundit ishte emri i vogël, Ermis Aradipu, sërish në ishullin e Afërditës, në Qipro. Por aty erdhi fundi, me vetëm 5 ndeshje zyrtare në 2 vjet.

Tashmë, dorezat janë hequr dhe ato nuk do të vishen më. Arian Beqaj do të mbahet mend për një karrierë të suksesshme si kuqezi, por edhe si portier klubi, ndërsa trashëgimia është gjithashtu e shkëlqyer, pasi dorezat i ka marrë një tjetër kosovar, Samir Ujkani.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *