Home / Sport / Gjithçka nën hije të derbit Renova-Shkëndija

Gjithçka nën hije të derbit Renova-Shkëndija

Liga e Parë e Maqedonisë ka arritur në javën e pestë, ndërsa të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje janë nën hijen e derbit tetovar mes Renovës dhe Shkëndijës. Rivalët e mëdhej do të përplasen të dielën mes veti në një ndeshje ku të dy palët kërkojnë suksesin. Renova shpreson që me trajerin e ri të nisin me fitore, ndërsa Shkëndija kërkon tre pikë për të konfirmuar se po kthehet në formë.

Qëndrimi i ‘gjatë’ i Rabotniçkit në Evropë, por edhe disa probleme të ndryshme të skuadrave ka bërë që ky fillim kampionati të sjellë orare të pazakonta të zhvillimit të ndeshjeve. Kështu, si disa herë më parë, ndeshjet e javës së pestë do të zhvillohen në tre ditë, pasi e shtuna do të sjellë tre përballje, të dielën në Tetovë zhvillohet derbi lokal mes Renovës dhe Shkëndijës, ndërsa dy takime në program do të jenë të martën. Të shtuën skuadra e Metalurgut do të ketë test të vështirë në Kërçovë ku do të përballet me Napredokun. Ohrid 2004 do të kërkojë maksimumin ndaj Vardarit, ndërsa në Kratovë do të përballen Sileksi me Bregallnicën. Takimet e lartëpërmendura, si dhe ato të së martës mbesin nën hijen e super-duelit të së dielës, kur në stadiumin e qytetit në Tetovë, Renova do të presë Shkëndijën. Dueli i dy kampionëve të fundit të Maqedonisë zgjon interes të madh në publik, ndërsa të dyja skuadrat kërkojnë tre pikë, për të lënë pas disa rezultate zhgënjyese. ‘Jemi të vetëdijshëm se na pret detyrë e vështirë, pasi do të kemi përballë ekipin më të fortë në ligë, mirëpo edhe ne nuk jemi pa kualitete. Respektojmë Shkëndijën, por nuk kemi ndërmend të dorëzohemi para kohe. Do të japim gjithçka nga vetja për të marrë rezultat të favorshëm nga ky duel’, foli me optimizëm mesfushori shkupjan i Renovës, Muharem Bajrami, i cili potencoi se edhe Vardari javën e shkuar shihej si favorit kundër xheçishtasve, mirëpo në fund rezultati ishte i barabartë. Në anën tjetër në taborin e Shkëndijës në një atmosferë të relaksuar as që mendojnë për rezultat tjetër përveç fitores, mirëpo njëkohësisht askush nuk vlerëson ndeshjen e të dielës si të lehtë. ‘Normal që do luajmë për fitore, ashtu si luan Shkëndija gjithnjë në tre vitet e fundit. Neve na duhen shumë këto tre pikë, mirëpo jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Renova ka në përbërje futbollistë cilësorë ndërsa me ardhjen e trajnerit Kostov ata kanë fituar një kualitet shtesë. Mirëpo këto janë punë të tyre, ndërsa e jona është që të japin maksimumin në fushë dhe nëse bëjmë këtë, nuk dyshoj se Shkëndija do të dalë fituese nga ky duel’, deklaroi mbrojtësi i djathtë i Shkëndijës, Ilir Elmazovski. Shkëndija në ndeshjen e të dielës nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mbrojtësit Sedat Berisha për shkak të kartonit të kuq, ndërsa te Renova në pikëpyetje është paraqitja e Ismailit dhe Statovcit. Ndeshja Renova-Shkëndija zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 16:30. Ndërkohë dy takimet e fundit të javës së 5-të në program janë të martën. 11 Oktomvri në Prilep do të presë Teteksin, ndërsa Rabotniçki pas eliminimit nga Europa Liga u kthehet detyrave në kampionat, kur në Shkup do të presë Horizont Turnovën.

Dyshet e javës së 5-të:
E shtunë:
Napredoku-Metalurgu,
Ohrid 2004-Vardari,
Sileksi-Bregallnica,
E dielë:
Renova-Shkëndia,
E martë:
11 Oktomvri-Teteksi,
Rabotniçki-Horizont T.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *