Home / Lajme / Maqedoni / Ja sa ‘peshojnë’ deputetët shqiptarë

Ja sa ‘peshojnë’ deputetët shqiptarë

8 gusht-Banesa, shtëpi në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, tokë bujqësore, livadhe, vetura Mercedesë e Audi, por edhe borxhli nëpër banka… Antikorrupsioni ka paraqitur pasurinë e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë. Nga lista e prezantuar nga Antikorrupsioni, rezulton se deputeti i BDI-së nga Struga, Arben Labënishti kryeson me pasuri më të madhe familjare ndaj kolegëve tjerë shqiptarë

Drejtojnë “Mercedesë”, “Audi”, jetojnë në banesa, por edhe në shtëpi të mëdha, ka të tillë që kanë truall jashtë Maqedonisë, përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe të tillë që kursejnë jashtë shtetit dhe që japin qindra mijëra euro për piktura artistike. Bëhet fjalë për deputetët shqiptarë, për të cilët mund të thuhet se klasifikohen në pjesën e popullatës me pasuri të majme. Ditëve të fundit, deputetët e përbërjes së re parlamentare kanë parashtruar listat anketuese, në të cilat kanë shënuar pasurinë që posedojnë, e luajtshme dhe e paluajtshme, që figuron në emër të tyre, por edhe në emër të prindërve dhe të afërmve të tyre.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në listën anketuese ka paraqitur një shtëpi me vlerë prej 150 mijë euro dhe tokë bujqësore në sipërfaqe prej 700 metra katrorë që gjendet në Shqipëri, e cila është vlerësuar në 30 mijë dollarë. Po ashtu, Ahmeti ka paraqitur një shtëpi në rajonin e Kërçovës, me sipërfaqe prej 254 metrave katrorë, që kushton 100 mijë dollarë. Një tjetër truall që gjendet në rajonin e Kërçovës me sipërfaqe prej 7.668 metra katrorë është vlerësuar në shumë prej 153 mijë euro. Përveç pronës së paluajtshme, Ahmeti në listën anketuese ka paraqitur një “Opel Astra” të vitit 1988 që kushton jo më shumë se 3.500 euro.

Ndër të tjerash, lideri i BDI-së ka paraqitur edhe 134 mijë denarë që i posedon në një llogari bankare. Deputeti i së njëjtës parti, Behixhudin Shahapi, i cili nuk ka marrë pjesë në përbërjen e kaluar si deputet, po që ka ushtruar post shtetëror, si pasuri të paluajtshme ka paraqitur një shtëpi në Tetovë që kushton 12 milionë denarë ose rreth 200 mijë euro. Në një llogari në “Komercialna Banka”, Shehabi ka 250 mijë denarë. Kolegia e tij, Dëshira Imeri ka paraqitur një shtëpi të prindërve të saj, e cila është vlerësuar në 8 milionë denarë, me sipërfaqe prej 272 metra katrorë që gjendet në Gostivar. Ajo, në “Ik Banka” ka një depozitë prej dy mijë eurove. Kolegu i saj, Irfan Deari gjithashtu ka paraqitur një pronë të paluajtshme në pronësi të prindërve të tij. Deari ka shënuar një tokë ndërtimore në fshatin Sedllarcë e Sipërme që kushton 1.8 milionë denarë.

I pari Arben Llabënishta

Po ashtu, ka paraqitur një tokë bujqësore që figuron në emër të prindërve që kushton 1.2 milionë denarë dhe një shtëpi që gjithashtu figuron në emrin e prindërve të tij, kushton 4.3 milionë denarë. Si pronë personale, deputeti Irfan Deari ka paraqitur një “Ford Mondeo” që kushton mbi 2000 euro dhe një “Mercedes” që vlerësohet në rreth 10 mijë euro. Deputeti Rexhail Ismaili si pasuri ka paraqitur një banesë që kushton 30 mijë euro në Kumanovë, me sipërfaqe prej 47 metrave katrorë dhe një veturë “Audi” e vlerësuar në 10 mijë euro. Kolegu i tij, Talat Xhaferi në listën anketuese si të tijën ka paraqitur një shtëpi me sipërfaqe prej 340 metra katrorë që gjendet në fshatin Forinë, me vlerë prej 11 milionë denarë. Gjithashtu, ai ka paraqitur edhe rrogën e së shoqes, në shumë prej 17 mijë denarësh. Kolegu i tij, Arben Labënishti si pronë personale ka paraqitur një banesë të vlerësuar deri më 50 mijë euro, me sipërfaqe 49 metrave katrore, që gjendet në Tiranë. Deputeti nga Struga ka paraqitur edhe një shtëpi që figuron në emrin e prindërve të tij. Shtëpia gjendet në fshatin Radolishtë të Strugës dhe është vlerësuar në 3 milionë denarë.

Në të njëjtin fshat, prindërit e tij kanë kullosa me sipërfaqe prej 7.712 metra katrorë që kushtojnë mbi 4 milionë denarë ose mbi 65 mijë euro. Një sipërfaqe me pyje që gjithashtu figuron në emër të prindërve të deputetit Labënishti është vlerësuar në 2.2 milionë denarë, një tokë bujqësore prej 12 milionë denarëve, një tjetër pronë në Radolishtë është vlerësuar në 3 milionë denarë, ndërsa një livadh në 7 milionë denarë. Përveç pasurisë së madhe në pronë të paluajtshme, deputeti Labënishti, i cili rezulton të jetë deputeti më i pasur shqiptar në përbërjen e tanishme parlamentare, bashkë me të afërmit e tij ka një sërë veturash luksoze, midis të cilave mund të përmenden një “Mercedes”, një “Opel Astra”, një “Citroen”, “Opel Agila”, “Shkoda Oktavia” dhe një “Audi A4”. Po ashtu, Labënishti ka marrë edhe një kredi në shumë prej 57 mijë eurosh.

Kredinë bankare rezulton të ketë marrë edhe kolegu i tij, Muhamet Nuredini, i cili rezulton të ketë marrë hua me kamatë nga banka në shumë prej 1.2 milionë denarësh, megjithëse në emrin e prindërve të tij figuron një banesë, një shtëpi, tokë bujqësore, livadhe në rajonin e Kërçovës dhe një tjetër shtëpi në Kërçovë. Ermira Mehmeti-Devaja në listën anketuese ka paraqitur banesën e të shoqit që gjendet në Shkup, me vlerë prej 3.6 milionë denarësh. Si pronë personale, Mehmeti-Devaja ka paraqitur një veturë të tipit Tojota Jaris që i kushton 1.2 milionë denarë. Po ashtu, ajo ka paraqitur edhe veturën e të shoqit, të tipit Ford Fokus.

Thaçi me pasuri të njëjtë

Në bankë, Mehmeti-Devaja ka një kursim prej një mijë dollarësh, por në emrin e saj figuron edhe një kredi prej 15 mijë eurosh. Deputeti Nexhat Jakupi ka paraqitur shtëpinë e prindërve të tij në Gostivar, ndërsa në emrin e tij figuron një veturë “Folksvagen Polo” dhe një kredi prej 6 mijë euro. Në emrin e nënkryetares së Parlamentit, Suzana Saliu, figuron një barakë që kushton 30 mijë euro, ndërsa një shtëpi që kushton 100 mijë euro figuron në emrin e të shoqit. Ajo ka edhe një veturë “Daevu Matiz”, por edhe një kredi prej 5 mijë euro. Deputeti Xhevat Ademi gjendet midis deputetëve që posedojnë shtëpi të mëdha. Në emrin e tij është regjistruar një shtëpi prej 112 metra katrore që gjendet në Reçicë të Madhe dhe që kushton 6.5 milionë denarë, ndërsa vetëm oborri i kushton rreth gjysmë milion denarë. Po ashtu, Xhevat Ademi ka një banesë në Tetovë që kushton 4.5 milionë denarë, me sipërfaqe prej 115 metrave katrorë. Në emrin e tij, gjithashtu është regjistruar edhe një tokë bujqësore që është vlerësuar në 200 mijë denarë.

Deputeti Ademi rezulton të ketë marrë edhe një kredi bankare prej 5 mijë eurosh. Deputetët rivalë të Partisë Demokratike Shqiptare, gjithashtu rezultojnë të jenë të pasur. Ish lideri i kësaj partie, njëherësh kryetar nderi i Kuvendit të PDSH-së, Arbër Xhaferi në listën anketuese ka paraqitur një shtëpi prej 180 metrave katrore që gjendet në Kosovë dhe që kushton 200 mijë euro. Xhaferi gjithashtu ka edhe një veturë “Mercedes” që kushton rreth 20 mijë euro. Lideri i partisë, Menduh Thaçi, njëjtë sikur mandatin e kaluar, në listën anketuese ka paraqitur një shtëpi me oborr, një BMW që kushton 50 mijë euro. Thaçi në një llogari bankare ka një depozitë prej 60 mijë eurove, ndërsa në denarë ka 1.6 milionë. Midis deputetëve më të pasur gjendet edhe Orhan Ibrahimi, i cili përveç shtëpisë në listën anketuese, ka paraqitur edhe shumë tokë.

Deputeti Imer Aliu jeton në shtëpinë e prindërve të tij, e cila kushton një milion denarë, ndërsa në ndërtim e sipër ka një tjetër shtëpi që kushton 2 milionë denarë. Në shtëpinë e prindërve jeton edhe kolegia e tij, Meral Uzeiri-Ferati. Ajo ka paraqitur një shtëpi prej 250 metrave katrorë në Tetovë, që kushton 1.8 milionë denarë dhe që rezulton të jetë në emrin e prindërve të saj. Bashkëshorti i saj posedon një lokal të vogël afarist. Në një shtëpi që kushton 70 mijë euro jeton deputeti Bekim Fazliu. Ai, ndër të tjerash ka paraqitur edhe një tokë që kushton 50 mijë euro, në emër të prindërve, ndërsa ai drejton një veturë “Audi A4”. Ndërkaq, dy kolegët e tyre të RDK-së, deputeti Izet Zeqiri dhe kolegia e tij, Flamure Demiri-Kreci kanë pasuri të mirë të patundshme, shtëpi dhe truall. Ndër të tjerash, Zeqiri kursen në Kosovë, ndërsa kolegia e tij është e pasionuar pas pikturave artistike, për të cilat ka shpenzuar mbi pesë milionë denarë.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *