Home / Lajme / Rajon / Katër vite pa Faruk Begollin

Katër vite pa Faruk Begollin

24 gusht-Në katërvjetorin e humbjes së këtij artisti të madh Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës sot (e martë) në orën 10:00 organizojnë homazhe te varri i të ndjerit, ndërsa nga ora 11:00 në kujtim të Begollit do të mbahet një takim në foajenë e Teatrit Kombëtar, ku do të jetë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi.

Kanë kaluar katër vjet që Faruk Begolli që ka ikur në amshim, duke lënë një zbrazëti jo të vogël në skenën e teatrit dhe kinematografisë kosovare. Regjisori dhe aktori i njohur kosovar Faruk Begolli ka qenë një figurë ndritëse e artit shqiptar dhe atij jugosllav ndër vite.

Arben Zharku, kryetar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, që dikur ka qenë student në klasën e të ndjerit Faruk Begolli, e kujton atë si një njeri të madh, qëndrimi afër të cilit ka qenë dhe mbetet një privilegj.

“Është humbje e madhe. Unë jam rritur e edukuar në kohën kur ai ka qenë profesor, më pas kam punuar me të në ‘Dodonë’, dhe suksesi i festivalit ‘Skena UP’ është meritë e tij. Ai ka qenë qendra ku ne të gjithë jemi mbledhur, dhe ajo qendër tani mungon”, kujton Zharku, duke u ndier krenar që ka punuar me Faruk Begollin.

Në katërvjetorin e humbjes së këtij artisti të madh Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës sot (e martë) në orën 10:00 organizojnë homazhe te varri i të ndjerit, ndërsa nga ora 11:00 në kujtim të Begollit do të mbahet një takim në foajenë e Teatrit Kombëtar, ku do të jetë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi.

Me qëllim të kujtimit të kësaj figure të madhe të kinematografisë shqiptare, TKK dhe QKK e organizojnë këtë ceremoni solemne për të gjithë miqtë, kolegët dhe dashamirët, sqarohet në komunikatën e dërguar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Shasivar Haxhijaj, këshilltar politik i ministrit Krasniqi, pohon se figura e Begollit meriton edhe më shumë, sepse ishte dhe mbetet e pakrahasueshme. “Ai ishte aktor dhe njeri i madh, prandaj Ministria dhe institucionet kulturore mund ta bëjnë gjënë më të vogël për të, duke e çmuar figurën e tij me këso lloj organizimesh simbolike”, pohon Haxhijaj.

Afër Faruk Begollit gjatë një rrugëtimi shumëvjeçar ka qëndruar edhe aktorja e regjisorja Melihate Qena, sipas së cilës, figura e tij është dashur të respektohej më shumë sa ishte gjallë.
“Do të duhej më shumë respekt. Njerëzit që dikur e kanë vizituar teatrin, kur vinë tani në ‘Dodonë’ e shohin se diçka mungon, dhe ky është zëri i Farukut. Gjeneratat e reja do ta kuptojnë se kanë humbur një njeri të madh dhe me vlera”, shton Qena.

Ndërsa drejtoresha e TKK-së, Burbuqe Berisha, thotë se ky organizim është minimal në krahasim me karakterin e fortë siç ishte Begolli. “Të gjitha gjeneratat e reja që sot krijojnë art dhe kultivojnë art, janë fryt i dorës së Farukut. Me humbjen e tij, ka humbur teatri dhe skena, por kemi humbur edhe ne. E kemi humbur afërsinë që ky njeri modest ka pasur me të gjithë ne”, thotë Berisha.

Faruk Begolli, në vitet ‘90 së bashku me Enver Petrovcin themeloi teatrin “Dodona” në Prishtinë, ku ai punonte me studentët dhe aktorë të tjerë, duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrore. Roli i fundit filmik i Begollit ishte ai në filmin “Etjet e Kosovës”. Faruk Begolli vdiq më 24 gusht 2007, pasi vuante nga kanceri.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *