Home / Sport / Liga e Europës, Shalke e Roma u mposhtën në ndeshjet e para eleminatore

Liga e Europës, Shalke e Roma u mposhtën në ndeshjet e para eleminatore

Një tur eleminator jo aq i lehtë për të fortët e Europës. I tillë ishte turi i fundit para fazës së grupeve në Ligën e Europës ku disa prej skuadrave të ligave të mëdha vuajtën dhe humbën. Shtangien më të madhe e pësoi Shalke, skuadra gjermane që ishte gjysmëfinaliste e vjetshme e Ligës së Kampionëve. Ekipi i trajnerit Rangnik u rrëzua në Finlandë, ku u mund 2-0 nga HJK vendas, ku ra në sy sidomos njëri nga golat që ishte shumë i bukur.

Të vështirë e pati edhe Roma, e cila u mposht 1-0 në fushën e Sllovanit të Bratisllavës, pas një goli të shënuar 10 minuta para fundit të ndeshjes nga Dobrotka. Ndonëse verdhekuqtë kishin në fushë Stekelenburgun, Sisinjon, Burdison, Brigin dhe Bojanin, sërish nuk e shmangën dot humbjen.
Fat i ndryshëm për Lacion që fitoi 6-0 ndaj maqedonasve të Rabotniçkit. Lorik Cana nuk ishte në fushë në një sukses që i garanton kryeqytetasve italianë kalimin për në fazën e grupeve. Hernanes shënoi golin e parë dhe pastaj erdhi goli i Maurit, dy të Sisesë, ai i Rokit dhe Kloses.

Skuadrat angleze fituan. Stouk Siti mposhti 1-0 Tunin zviceran brenda në Zvicër me një gol të bukur shënuar shpejt nga Pug që në minutën e 19-të. Fulham fitoi 3-0 ndaj Dnipros ukrainase, një sukses që ia afron kualifikimin pas golave të Hjuzhsit dhe dy herë të Dempsit. Po nga anglezët, Totenham fitoi pastër 5-0 në Skoci me Harts të Midlotianit, duke mos hasur asnjë rezistencë nga vendasit.

Në Ukrainë, u luajt Vorskla-Dinamo Bukuresht, ndeshje që përfundoi 2-1. Për ukrainasit në fushë ishte Dallku dhe në pjesën e dytë hyri edhe sulmuesi Januzi, ndërsa Elis Bakaj u mbajt në stol nga trajneri i Dinamos, Andone. Vorskla fitoi me një gol të minutave të fundit shënuar nga Rebenok.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *