Home / Lajme / Maqedoni / Marrëveshja e Ohërit vendosi paqën

Marrëveshja e Ohërit vendosi paqën

12 gusht-“Kur mendoj për MO-në mendoj edhe për Haraçinën, ndodhitë atje para firmosjes së marrëveshjes, forcat nën udhëheqjen e Ali Ahmeti. Ata përparonin në ato pika. Pas kësaj negociuam me komandantët e UÇK-së për një tërheqje nga Haraçina dhe dorëzimi i armëve e cila rezultoi me përfundimin e konfliktit”, ka thënë Fejt.

Urim Hasipi
Ohër-Nëse më pyetni se si ndjehem tani, unë sot jam qytetar më lojal ndaj shtetit, pasi shteti im është më lojal ndaj mua dhe ndaj bashkësisë së cilës i takoj, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti nga foltorja e Konferencës, kushtuar 10-vjetorit nga Marrëveshje e Ohrit, që mbahet në Ohër.

“Unë tani jam më lojal ndaj shtetit tim, unë sot kam shkollat, kam gjuhën, flamurin, ashtu që vetëm 170 shqiptarë kanë qenë para konfliktit të punësuar në polici, tani kemi mbi 2.000 mijë. Para vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë mundur ta përdorin gjuhën e tyre amtare, sot ajo gjuhë përdoret nëpër institucione. Unë nuk them se gjithçka është si duhet, fajin nuk duhet ta kërkojmë vetëm tek pala maqedonase, atë duhet ta kërkojmë edhe te vet ne, të gjithë ne duhet të punojmë në realizimin e kësaj marrëveshje”, ka nënvizuar lideri i BDI-së.

Ai para të pranishmive tha se shpesh ka dëgjuar analiza të shumta se a duhej të ndodhte konflikti i vitit 2001 apo jo.

“Unë kam patur shumë takime në prag të konfliktit të vitit 2001 dhe kontaktet e para i kam pasur me njerëz të cilët investonin për paqen dhe kryesisht këta ishin nga SHBA-ja dhe BE-ja, njerëz të cilët drejtonin NATO-n”, tha komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Por, pohon Ahmeti, “të gjithë këtyre personave u interesonin kërkesat politike të UÇK-së”.

“I sigurova ata që ne kërkojmë të drejtat tona për barazi, ne nuk kërkojmë as ndarje, as demarkacione, por kërkojmë të jemi të barabartë dhe të trajtohemi si njerëz të barabartë, e jo të rendit të dytë”, theksoi Ahmeti.

Ai gjithashtu përmendi se gjatë shekullit që e lamë pas, ndodhën shumë përjetime për shqiptarët, ata nuk përjetuan vetëm gjenocid fizik, por edhe gjenocid kulturor, të shpërnguljeve pasiqë gjenocid është që t’i detyrosh ata që të largohen nga vatrat e tyre.

“Edhe pas viteve të nëntëdhjeta vazhdoi ky poshtrim, lindën shpresa me pluralizmin se të gjitha problemet do të rregullohen, por sërish shqiptarët kërkonin respektimin e të drejtave të tyre, ata kërkonin të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ata u gjakosën dhe u burgosën dhe ishin të detyruar që ajo revolt e madhe njëherë të shpërthejë. NATO ishte ajo që shpëtoi ndarjen e Maqedonisë dhe që shpëtoi nga lufta civile, i hapi rrugë negociatave për të arritur deri tek MO-ja. Pra, çdo dialog dhe avancim i MO-së është në të mirë të Maqedonisë, ai dokument nuk u takon vetëm shqiptarëve, por të gjitha bashkësive që jetojnë në Maqedoni. Ajo krijoi rrethana të reja për Maqedoninë krijoi kushte për një shtet më të pranueshëm nga ana e qytetarëve të Maqedonisë që edhe ata këtë shtet ta përjetojnë si shtet të tyre”, tha Ahmeti.

Njëherësh, lideri i BDI-së Ahmeti nga sekretari i përgjithshëm i KB-së, Ban Ki-mun kërkon që të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit mes Athinës dhe Shkupit.

Paraprakisht, presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, i cili e hapi Konferencën në Ohër, tha se historia na mësoi se është e domosdoshme fillimisht të arrihet paqe, që të mundësohet zhvillim i demokracisë.

“Pikërisht këtë e arriti Marrëveshja e Ohrit. Demokracia dhe multietnia kanë një karakteristikë të përbashkët: gjithmonë është më mirë të burojnë në brendi, nga vetë shoqëria, që të jenë me të vërtetë efikase. Më pas demokracia në një shoqëri multietnike është e mundshme derisa liderët politikë insistojnë të sjellin vendime të cilat çojnë drejt lidhjes (bashkimit), e jo drejt përplasjeve (konflikteve)”, tha presidenti Ivanov.

Ivanov theksoi se Marrëveshja e Ohrit ishta baza për ndryshime në Kushtetutë, legjislaturë, decentralizimin e fuqisë, përfaqësimin e drejtë në administratën shtetërore, mundësimin e arsimit në gjuhën amtare, përdorimin e gjuhëve, shprehjen e identitetit.

“Që atëherë arritëm një nivel të mirëkuptimit më të madh, respektimin dhe tolerancën për diversitetet. Gjatë viteve të kaluara, duke e plotësuar gjithë atë që doli nga Marrëveshja e Ohrit i përmbushëm edhe kriteret për anëtarësim në NATO dhe jemi të gatshëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Por, në procesin e këtij afrimi euro-atlantik u bëmë bartës të edhe një vlere – model i cili synon të integrojë, e jo të asimilojë”, tha presidenti Ivanov.

Ai më pas theksoi se modeli i Maqedonisë ka rol të dyfishtë – paraqitet si instrument me të cilin sigurohet besimi i qytetarëve në shtet dhe në institucionet e shtetit, simbolet e saj, por edhe si bazë për ndërtimin dhe zhvillimin e besimit ndëretnik.

“Kjo është rruga jonë në ndërtimin e bashkëjetesës multietnike funksionale. Angazhimet tona në të ardhmen duhet t’i drejtojmë drejt asaj që t’ju mundësojmë qytetarëve zhvillim ekonomik, arsim të integruar kualitativ i cili do të prodhojë kuadro të reja të suksesshme dhe ambicioze, por edhe zhvillimin e vetëdijes dhe ndërgjegjes qytetare. Gjegjësisht, nga politika multietnike të kalojmë në ekonomi multietnike”, porositi presidenti, njëherësh duke e theksuar nevojën e interpretimit preciz të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

“Ky interpretim duhet ta shpreh burimin e qëllimeve dhe atë që u dakordua para dhjetë viteve. Është e nevojshme gjithmonë ta kemi parasysh unitetin dhe kohezionin e shtetit. Është e nevojshme të kemi kujdes për të drejtat e qytetarëve dhe për faktin se asnjë e drejtë kolektive nuk guxon t’i rrezikojë të drejtat individuale”, tha Ivanov.

Lidhur me tentimet për keqpërdorimin politik të Marrëveshjes së Ohrit, emrit tonë dhe të ardhmes tonë evropiane, sipas Ivanovit më e rëndësishme është që në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, qytetarët e Maqedonisë treguan pjekuri të lartë demokratike dhe nuk lejuan të manipulohen, ndërsa sa i përket manipuluesve, u pa se ata keq kalojnë në zgjedhje.

“Në këtë kuptim, është veçanërisht e rëndësishme ajo që zbatimi i obligimeve të cilat dolën nga Marrëveshja e Ohrit ishte detyrë kyçe e rrugës tonë evropiane dhe euroatlantike. Tani, kur ato obligime janë plotësuar, qytetarët e Republikës së Maqedonisë me të drejtë e presin vlerësimin e pjesës së zbatuar. Por, në vend se Maqedonia të shpërblehet, gjithnjë e më shumë duket se është dënuar, nënvizoi presidenti Ivanov, duke theksuar se e vërteta herët ose vonë del në shesh, ndërsa historia është ajo që do të gjykojë.Ish ambasadori i NATO-s në Maqedoni gjatë vitit 2001 Piter Fejt i është drejtuar të pranishmëve në konferencën e Ohrit i cili njëherësh ishte drjtëpërdrejt i kyçur në bisedat me udhëheqësin e atëhershëm të ish UÇK-së.

“Kur mendoj për MO-në mendoj edhe për Haraçinën, ndodhitë atje para firmosjes së marrëveshjes, forcat nën udhëheqjen e Ali Ahmeti. Ata përparonin në ato pika. Pas kësaj negociuam me komandantët e UÇK-së për një tërheqje nga Haraçina dhe dorëzimi i armëve e cila rezultoi me përfundimin e konfliktit”, ka thënë Fejt.

Sipas tij, kjo marrëveshje ishte një dokument i cili më pas u shfrytëzua nga më shumë vende si model i mirë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Objektivi i tij, ishte që të negociojë rreth përfitimeve në teren përkundë lëshimeve politike dhe siç pohon, “mendoj se MO ja ndihmoi në arritjen e kompromisit”. Pas përfundimit të fjalimit të presidentit të shtetit Ivanov dhe ndërmjetësve Leotar dhe Perdju është hapur debat në të cilin të pranishmit kanë pasur të japin komentet apo të drejtohen me pyetjet e tyre.

Duke u përgjigjur në pyetjen se sa është I kënaqur ndërmjetësi Perdju me implementimin e marëveshjes së Ohrit dhe të rreth origjinalitetit këtij dokumenti I cili është në gjuhën angleze, Perdju ka thënë se e vetmja arsye se pse ky dokument është në gjuhën angleze ishte neutralizimi me qëllim të tejkalimit të mospajtimeve eventuale nga palët në negociata.

“Në mënyrë thelbësore ajo po zbatohet, edhe pse nuk është e përkryer , Liderët politik jo vetëm që aritën marrëveshje por edhe ta implementojnë me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë.

Sa I përket asaj se ai është në gjuhën angleze ajo ndodhi për shkak të neutralizimit. MO-ja po bëhet një model ndërkombëtarë, nuk jam i sigurt se Maqedonia e ka tërësisht të qartë se çfarë ka bërë , unë jam I shqetësuar sinqerisht të them se pse ajo nuk është krenare me këtë marrëveshje”, ka thënë Perdju.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *