Home / Lajme / Maqedoni / Mbijetojnë me 500 denarë

Mbijetojnë me 500 denarë

14 gusht-Shumica e punëtorëve të krahut që dalin te Posta e Tetovës janë nga fshatrat malore të Komunës së Zhelinës, ndërsa të gjithë janë rate sociale dhe me punë krahu mezi mbajnë familjen

Tetovë – Për më shumë se 5 vite, udhëkryqi te Posta e Tetovës është vendi ku dhjetëra punëtorë krahu nga orët e mëngjesit presin se kush do t`ju ofrojë punë për një mëditje. Këta hallexhinj duke mos patur rrugëdalje tjetër, kanë zgjedhur rrugën për të kërkuar punë dhe për të nxjerrë kafshatën e bukës për familjet e tyre. Pjesa dërmuese e tyre kanë nga katër anëtarë e më shumë, të cilët presin në mbrëmje kafshatën e bukës. Mirëpo, ndonjë ditë edhe nuk gjejnë punë. “Ndodh të mos kemi punë. Unë jam prej Rogle dhe ka dy ditë që s`punoj. Nga 500 denarë fitojmë në ditë sikundër është puna. Kemi punë nëpër shpija, pastaj këtu dalim pa punë kur jemi”, thotë Metmi Shahini, një punëtor krahu nga fshati Rogle i Komunës së Zhelinës. Një pjesë e këtyre punëtorëve janë nga pjesa e Dervenit, respektivisht fshatrat që hyjnë në Komunës së Zhelinës. “Ne jemi që moti këtu, presim punë por nuk ka shumë. Një ditë punojmë dhjetë nuk punojmë, katastrofë është. Unë jam vetë i treti, punë nuk kam, ndihma sociale shumë dobët. Këtu nga mëngjesi jemi dhe numri i atyre që kërkojnë punë ndonjëherë arrijnë afërsisht 30 persona”, thotë një tjetër punëtor krahu që dëshiron të mbetet anonin. “Me ardhjen e mërgimtarëve ka ndonjë lëvizje, por ama jemi shumë në numër dhe s’ka për të gjithë”, thonë punëtorët e krahut. Më së shpeshti punohet punë fusha, por nuk mungojnë edhe punët për mirëmbajtje të shtëpive apo çarja e druve. Ata shprehen se shteti ndaj tyre është sjellë sikur njerkë dhe nuk u siguron punë si edhe tjerëve, andaj janë të detyruar që në këtë mënyrë të gjejnë punë dhe të sigurojnë një mëditje shumë të dobët. Në mesin e këtyre punëtorëve ka edhe të rinj, të cilët duke mos pasur mundësi të shkollohen, në këtë formë mbijetojnë dhe mbajnë familjet e tyre , ndërsa shprehen se edhe ata nuk e kanë lehtë të dalin publikisht dhe të flasin për hallet e tyre dhe arsyet se pse kanë zgjedhur që bukën ta kërkojnë në këtë formë. “Ne si raste sociale asnjëherë nuk jemi trajtuar nga shteti”, thonë ata. Punëtorët e krahut nuk ngurojnë të punojnë, por më vështirë e kanë kur nuk kanë asnjë ofertë dhe kthimin në mbrëmje te familja pa asnjë dinarë, e kanë shumë të vështirë. “Presin fëmijët, pret familja se çka do ju dërgojmë në mbrëmje. Ndërsa ne vështirë e nxjerrim bukën. Është krizë në vend, por edhe ne jemi pjesë e këtij shteti dhe duhet të trajtohemi njësoj si të gjithë dhe jo të lihemi si jetim”, shprehet një tjetër punëtorë. Punëtorët e krahut apelojnë që shteti seriozisht të merret me gjendjen e tyre sociale, ngase e ardhmja e tyre është e pasigurt.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *