Home / Lajme / Maqedoni / Një dekadë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Një dekadë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

13 gusht-Marrëveshja e Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001, pas harmonizimeve disaditore në Ohër, u nënshkrua në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski dhe liderët e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PDSH-së Arbën Xhaferi dhe të PPD-së, Imer Imeri. Në cilësinë e garantuesve u nënshkruan edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Letoar dhe Xhejms Perdju

Sot mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit me të cilin iu dha fundi konfliktit në vitin 2011 dhe u vendos kornizë për bashkëjetesën ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të shtetit.

Marrëveshja e Ohrit edhe pas një dekade e gëzon mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga pjesët më të mëdha të partive politike, si korniza e vetme për zhvillim të shtetit.

Në kuadër të shënimit të një dekade nga Marrëveshja e Ohrit, ngjarja qendrore është konferenca dyditore që prej dje po mbahet në Ohër, në organizim të Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIOFA).

Konferencën e hapi presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, ndërsa fjalim pati edhe zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi.

Presidenti Ivanov theksoi se Marrëveshja e Ohrit ishta baza për ndryshime në Kushtetutë, legjislaturë, decentralizimin e fuqisë, përfaqësimin e drejtë në administratën shtetërore, mundësimin e arsimit në gjuhën amtare, përdorimin e gjuhëve, shprehjen e identitetit.

“Që atëherë arritëm një nivel të mirëkuptimit më të madh, respektimin dhe tolerancën për diversitetet. Gjatë viteve të kaluara, duke e plotësuar gjithë atë që doli nga Marrëveshja e Ohrit i përmbushëm edhe kriteret për anëtarësim në NATO dhe jemi të gatshëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Por, në procesin e këtij afrimi euro-atlantik u bëmë bartës të edhe një vlere – model i cili synon të integrojë, e jo të asimilojë”, tha presidenti Ivanov.

Ai më pas theksoi se modeli i Maqedonisë ka rol të dyfishtë – paraqitet si instrument me të cilin sigurohet besimi i qytetarëve në shtet dhe në institucionet e shtetit, simbolet e saj, por edhe si bazë për ndërtimin dhe zhvillimin e besimit ndëretnik.

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i obliguar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi theksoi se Marrëveshja e Ohrit i vendosi bazat për të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe me të iu tha “jo” diskriminimit, përdorimit të forcës dhe ndarjeve etnike.

“Dikush e definoi atë si marrëveshje paqësore e politike, dikush kompromis për shkak të ndërprerjes së luftimeve. Por mund të them lirisht se, definicioni më gjithëpërfshirës për këtë marrëveshje është – Marrëveshje për ardhmërinë e Republikës së Maqedonisë. Kjo marrëveshje dha një mesazh të qartë, ajo që në fillim iu tha ‘jo’ diskriminimit, përdorimit të dhunës, ndarjes etnike dhe territoriale, ndërsa ju tha ‘po’ tolerancës dhe bashkëjetesës multietnike, si dhe barabarësisë mes komuniteteve të ndryshme etnike”, tha Xhaferi.

Më pas ai theksoi se nga viti 2001 Marrëveshja e Ohrit zbatohet me dinamikë të caktuar, në të gjitha sektorët shoqërorë, me qëllim të ndërtimit të shoqërisë së re dhe modelit të shtetit të ri multietnik, me çka në tërësi eliminohen shkaqet për konfliktin.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij tha se nëse e pyetni se si ndjehet tani, ai do të thotë se është qytetar më lojal ndaj shtetit, pasi shteti është më lojal ndaj tij dhe ndaj bashkësisë së cilës i takon.

“Unë tani jam më lojal ndaj shtetit tim, unë sot kam shkollat, kam gjuhën, flamurin, ashtu që vetëm 170 shqiptarë kanë qenë para konfliktit të punësuar në polici, tani kemi mbi 2.000 mijë. Para vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë mundur ta përdorin gjuhën e tyre amtare, sot ajo gjuhë përdoret nëpër institucione. Unë nuk them se gjithçka është si duhet, fajin nuk duhet ta kërkojmë vetëm tek pala maqedonase, atë duhet ta kërkojmë edhe te vet ne, të gjithë ne duhet të punojmë në realizimin e kësaj marrëveshje”, ka nënvizuar lideri i BDI-së.

Ai para të pranishmive tha se shpesh ka dëgjuar analiza të shumta se a duhej të ndodhte konflikti i vitit 2001 apo jo.

“Unë kam patur shumë takime në prag të konfliktit të vitit 2001 dhe kontaktet e para i kam pasur me njerëz të cilët investonin për paqen dhe kryesisht këta ishin nga SHBA-ja dhe BE-ja, njerëz të cilët drejtonin NATO-n”, tha komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“I sigurova ata që ne kërkojmë të drejtat tona për barazi, ne nuk kërkojmë as ndarje, as demarkacione, por kërkojmë të jemi të barabartë dhe të trajtohemi si njerëz të barabartë, e jo të rendit të dytë”, theksoi Ahmeti.

“Edhe pas viteve të nëntëdhjeta vazhdoi ky poshtrim, lindën shpresa me pluralizmin se të gjitha problemet do të rregullohen, por sërish shqiptarët kërkonin respektimin e të drejtave të tyre, ata kërkonin të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ata u gjakosën dhe u burgosën dhe ishin të detyruar që ajo revolt e madhe njëherë të shpërthejë. NATO ishte ajo që shpëtoi ndarjen e Maqedonisë dhe që shpëtoi nga lufta civile, i hapi rrugë negociatave për të arritur deri tek MO-ja. Pra, çdo dialog dhe avancim i MO-së është në të mirë të Maqedonisë, ai dokument nuk u takon vetëm shqiptarëve, por të gjitha bashkësive që jetojnë në Maqedoni. Ajo krijoi rrethana të reja për Maqedoninë krijoi kushte për një shtet më të pranueshëm nga ana e qytetarëve të Maqedonisë që edhe ata këtë shtet ta përjetojnë si shtet të tyre”, tha Ahmeti.

Njëherësh, lideri i BDI-së Ahmeti nga sekretari i përgjithshëm i KB-së, Ban Ki-mun kërkon që të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit mes Athinës dhe Shkupit.

Para pjesëmarrësve në Konferencën në Ohër fjalime mbajtën edhe Filip Riker, zëvendës nënsekretar shtetëror i SHBA-së, Xhejms Perdju, lehtësues i Marrëveshjes së Ohrit dhe Alen Le Roa, nënsekretar i përgjithshëm për operacione paqësore në kuadër të KB-së.

Ekzistojnë shumë çështje lidhur me marrëveshjen, nëse ajo është e suksesshme, nëse respektohet, por mendoj se këto dilema duhet lënë anash dhe duhet shikuar përpara drejt së ardhmes. Pyetja është se çka dëshirojmë dhe si dëshirojmë të jetë ky vend, nëse me të vërtetë jemi të përkushtuar drejt integrimeve euroatlantike, si të arrijmë deri te ato. Si ta maksimizojmë benefitin nga potencialet që një vendi ia jep multietniteti, siç e bën SHBA-ja, deklaroi Filip Riker.

“Marrëveshja e Ohrit e parandaloi luftën civile. Kjo marrëveshje ishte rast i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve”, shtoi Riker, duke përkujtuar se viti 2011 është vit i jubileve si në Republikën e Maqedonisë, ashtu edhe në SHBA edhe ato 10-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, 20-vjetori i pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, 150-vjetori i luftës civile në SHBA, 50-vjetori i USAID-it, 10-vjetori i sulmeve terroriste në SHBA.

Lehtësuesi i cili ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në negociatat dhe krijimin e MO-së, Xhejms Perdju theksoi se Maqedonia siç është sot, nuk do të ekzistonte në rast se dështonte procesi paqësor, i cili udhëhiqej këtu në vitin 2001. Implementimi i saj i suksseshëm, shtoi, e bëri model për zgjidhjen e konflikteve etnike në botë dhe konfirmoi se nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për konfliktet etnike.

“Ndoshta një ndër sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Maqedonia është izolimi ndërkombëtar i shkaktuar nga problemi me emrin me Greqinë. Kjo është pengesë e vazhdueshme për integrimin e saj në institucionet veriperëndimore, ndërsa Maqedonia këtë gjë e dëshiron shumë. Unë isha këtu në vitin 1995 me Hollbrukun kur erdhi të negocojë me Maqedoninë dhe Greqinë dhe ishte personalisht i kyçur në Procesin e Ohrit për parandalimin e luftës. Ndoshta do të nevojitet ndihma ndërkombëtare që të zgjidhet Nyja e Gordit, ndoshta po afrohet koha kur SHBA-ja dhe Evropa duhet të bëjnë përpjekje të tilla deri te liderët e dy shteteve të kyçura në kontest”, tha Perdju.

Alen Leroa si ish-përfaqësues i BE-së, theks të veçantë ka vënë në rëndësinë që kishte kjo marrëveshje në parandalimin e luftës civile.

“Maqedonia ishte vendi i parë që nënshkroi Marrëveshjen e stabilizim – asociimit, dhjetë vjet pas nënshkrimit vendi i juaj ka përparuar shumë në rrugën e saj euroatlantike. Unë jam optimist se Maqedonia së shpejti do të jetë anëtare e BE-së”, ka thënë Leroa.

Në temën “Evaluimi i Marrëveshjes së Ohrit” në ditën e dytë të konferencës pritet të flasin ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, Piter Sorensen, udhëheqës i Delegacionit evropian në Republikën e Maqedonisë, Ralf Bret, udhëheqës i misionit të OSBE-së në RM, Brajan Ageler si u.d. ambasador i SHBA-së në Maqedoni dhe ambasadori britanik, Kristofer Ivon.

“Hapat e ardhshëm dhe pritjet” do të jetë titulli i fundit në të cilin kryesisht do të debitojnë ekspertë vendor dhe të huaj. Në mesine tyre janë paralajmëruar, Daniel Server, eksperti akademik amerikan dhe ligjërues për menaxhmentin konfliktuoz dhe Abdilaqim Ademi, ministri aktual i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish zëvendës-kryetar i Qeverisë i përgjegjshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Fransoa Leotar, i cili në vitin 2011 ishte i dërguar i BE-së si “lehtësuesi” i saj, në një intervistë për MIA-n për herë të parë flet për atë periudhë dhe thekson se Marrëveshja e Ohrit dhe atë që e ka bërë gjatë mandatit të tij në Maqedoni është një nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij politike. Marrëveshja e Ohrit ishte vepër e përbashkët, potencoi ai, duke vlerësuar se ishte sukses i shkëlqyeshëm i bashkimit Evropian dhe për herë të parë diplomacia e vërtetë evropiane erdhi në shprehje.

“Në një situatë si kjo e sodit, kur monedha e përbashktë evropiane është e rrezikuar, duhet të përkujtohemi se evropianët gjithmonë, kur kanë shfaqur interes që të zgjidhin ndonjë problem, kanë mundur ta bëjnë këtë. Edhe atë nga tre shkaqe: kemi ushtarë, kem i para dhe kemi diplomatë”, thotë mes tjerash Leotar.

Leotar konsideron se me Marrëveshjen e Ohrit mbisundoi urtësia në Maqedoni, gjegjësisht se personat udhëheqës, madje ata të cilët kanë qenë të plotësuar me urrejtje ndaj bashkësisë kundërshtuese, kanë kuptuar se lancimi i ideve për ndarje të territorit, që ka qenë rast në momentin kur ka ardhur në Maqedoni, paraqet qorrsokak.

“Pajtohuni mes jush, respektojeni fqiun tuaj pa dallim të fesë apo fytyrës së tij. Besoni në të ardhmen e Maqedonisë dhe tregoni se edhe pse nuk i njihni politikanët aktualë, besoni në suksesin e tyre ekonomik dhe social dhe në identitetin e tyre kombëtar”, është një nga mesazhet e Leotarit”, të dhëna në intervistë.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore dhe plotësime janë miratuar në 10 vitet e fundit nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, nga të cilët pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Ky është konkluzioni i njërës nga 19-të studimet të prezantuara në publikimin e Qendrës për bashkëpunim ndërkombëtar të Maqedonisë, në të cilën ofrohet shqyrtim gjithëpërfshirës i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Autori i studimit Fisnik Shabani vlerëson se institucionet shtetërore akoma nuk posedojnë dhe nuk mbajnë evidencë se sa ligje janë ndryshuar ose plotësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit ose nuk kanë qenë mjaft kooperative lidhur me të.

Marrëveshja e Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001, pas harmonizimeve disaditore në Ohër, u nënshkrua në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski dhe liderët e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, të PDSH-së Arbën Xhaferi dhe të PPD-së, Imer Imeri. Në cilësinë e garantuesve u nënshkruan edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Letoar dhe Xhejms Perdju.

Marrëveshja e Ohrit është tregim i suksesshëm, theksoi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, në panel-diskutimin kushtuar evaluimit të Marrëveshjes së Ohrit, që po mbahet në ditën e dytë të Konferencës në Ohër kushtuar dhjetëvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes.

Konstatimi i këtillë del nga sondazhet e zbatuara interne të opinionit publik te diplomatët e Maqedonisë, në të cilat analizohen arritjet e deritanishme nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe pritjet për të ardhmen.

Si katër aspekte kyçe të realizuara me Marrëveshjen e Ohrit ai i theksoi shmangien e vazhdimit të praktikës që solucionet territoriale të ofrohen si zgjidhje të problemeve etnike, është shmangur dhuna si zgjidhje e mundshme, marrëveshja kontribuon drejt ndërtimit të kulturës së tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë dhe besimit.

“E gjithë kjo është në nivel shumë më të lartë se para dhjetë viteve. Nëse i shqyrtojmë këto pikëpamje për të cilat të gjithë ndajmë perspektivë të njëjtë, mund të tingëllojë si botë idelae, por kjo gjë nuk është rast. Po ballafaqohemi me shumë joidealizime dhe mendoj se disa indikatorë na mundësojnë të shohim se çfarë është ajo hapësirë për ta përmirësuar në periudhën e ardhshme”, theksoi shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Si një ndër rreziqet kyçe që ka dalë nga anketa interne, ndërsa që përkon me pikëpamjet e anketave të qytetarëve, është ekzistimi i rrezikut që koncepti civil të zëvendësohet me atë etnik.

“Fokusi duhet të drejtohet nga kuantiteti drejt kualitetit në sigurimin e përfaqësimit të barabartë në institucionet, në të cilën nuk guxon ta rrezikojë sistemin e arritjes së rezultateve. Gjetja e bilancit të drejtë këtu është sfidë jashtëzakonisht e rëndë, por me politika të drejta, të realizuara në afat të gjatë, kjo mund të arrihet” theksoi Poposki.

Euroambasadori Peter Sorensen në fjalimin në tribunë theksoi se mbështetja e lartë e qytetarëve për integrim evropian, gjegjësisht rezultatet nga anketat e zbatuara në të cilat 1,3 milionë qytetarë të Maqedonisë janë për anëtarësim në BE, janë vetëm konfirmim se Brukseli me të drejtë e ka mbështetur Marrëveshjen e Ohrit.

Më pas Sorensen iu referua deklaratës së kryetarit të KE-së Zhoze Manuel Baroso, i cili gjatë vizitës në Maqedoni tha se është vend me lokacion evropian me rrënjë të thella, pavarësisht sfidave të njohura të cilat duhet të tejkalohen, dhe të tjerat të cilat do të formohen në procesin e eurointegrimit.

“Unë jam totalisht i bindur se do t’i tejkaloni çështjet të cilat qëndrojnë para jush. Zbatimi i vazhduar i Marrëveshjes së Ohrit e demonstron përkushtimin e vendit drejt së ardhmes evropiane. Fuqimisht besoj se sfidat të cilat qëndrojnë para nesh do të tejkalohen në mënyrë të njëjtë. Që këtu analiza ime me vlerësimet, ka disa leksione të cilat duhet nxirren, ndërsa duhet të zbatohen në një mënyrë jokonfliktuoze, ajo është BE-ja, pronësi lokale, guxim dhe shikim përpara”, tha euroambasadori Sorensen.

Brajan Ageler u.d. ambasador i SHBA-së në fjalim tha se Marrëveshja e Ohrit nuk është dokument i përkryer dhe se implementimi i saj nuk është zbatuar në tërësi, por nënshkrimi i saj hapi kufinj të rinj dhe gjurmon drejt afrimit të bashkësive.

“Nevojitej guxim që njerëzit me pikëpamje të ndryshme të bashkohen që ta nënshkruajnë këtë marrëveshje, që ta përfundojnë konfliktin dhe t’i vendoset kornizë që të ndërtohet një Maqedoni më e mirë nga e cila dobi do të kenë të gjithë qytetarët e saj. Guximi akoma kërkohet te liderët e të gjitha bashkësive në përfundimin e të pambaruarës, që të bëhet edhe në letër edhe në praktikë marrëveshja realitet”, tha Ageler.

Ai e përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se me implementimin e Marrëveshjes është arritur zhvillim i rëndësishëm, si dhe se ajo mbetet bazë për paqen në Maqedoni dhe zhvillimin e saj të mëtejmë demokratik, me qëllim që shteti ta marrë vendin e plotfuqishëm në BE.

Udhëheqësi i Misionit të OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret, theksoi se multietniteti nuk është problem, por në atë duhet shikuar si pasuri dhe mundësi e cila e pasuron vendin. Ai u përqëndrua edhe në problemin në arsim në të cilin, siç thotë, prioritet ti tyre është promovimi i kohezionit në bashkësitë përmes reformave në arsim, sferë në të cilën janë vërejtur rreziqe të caktuara për shkak të ekzistimit të ndarjes gjuhësore midis bashkësive.

“E drejta e arsimit në gjuhën amtare është e pakontestueshme, por nuk duhet të krijojë ndarje apo të çimentojë stereotipe, gjegjësisht t’i pengojë lidhjet të cilat ekzistojnë midis bashkësive”, shtoi Bret dhe e theksoi mbështetjen të cilën ia japin strategjisë së Qeverisë për reforma në sistemin edukativ.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *