Home / Lajme / Maqedoni / Pas iftarit, direkt në spital

Pas iftarit, direkt në spital

Korrik-Për të sëmurit kronik dhe ata që agjërojnë, duket se të qëndruarit gjatë pa ujë dhe pa bukë, ndikon keq pas ngrënies së iftarit. Kështu të paktën tregojnë shifrat e pacientëve që pranohen në shërbimin e Ndihmës së parë në Tetovë, ku sipas mjekëve rreth 200 pacientë vetëm brenda natës kërkojnë ndihmë

Tetovë, 9 gusht – Temperaturat e larta dhe Muaji i Ramazanit, kanë rritur numrin e pacientëve në repartin e Ndihmës së parë në Tetovë. Për të sëmurit kronik dhe ata që agjërojnë, duket se të qëndruarit gjatë pa ujë dhe pa bukë, ndikon keq pas ngrënies së iftarit. Kështu të paktën tregojnë shifrat e pacientëve që pranohen në shërbimin e Ndihmës së parë në Tetovë, ku sipas mjekëve rreth 200 pacientë vetëm brenda natës kërkojnë ndihmë. “Nga ora 21.00 deri në orën 07.00 të mëngjesit numri është rreth 200 pacientë nga rajoni i Pollogut. Vijnë tek ne të sëmurë kronik, pacient me shtypje të lartë, të sëmurë nga mushkëritë, dhe me sëmundje të lukthit”, thotë Afrim Aliu, mjek kujdestar në Ndihmën e parë në Tetovë. Sipas tij, në kohën e iftarit te shumica njerëzve rritet sasia e konsumit të ushqimit dhe në shumë raste ka edhe ushqim me yndyra, që për disa është edhe e papërballueshme dhe drejtohen tek ne për ndihmë. Mjeku Aliu thotë se nuk ka raste të rënda, por shumica pas marrjes së ndihmës së parë lëshohen në shtëpi. “Tash kur temperaturat janë të larta, personat me sëmundje kronike duhet të marrin terapinë e nevojshme në kohë, ndërsa ata që agjërojnë të mos konsumojnë shumë ushqim në kohën e iftarit, dhe ushqimi të mos jetë me yndyrë”, thotë mjeku Aliu. Mjekët shprehen se një pjesë e madhe e pacientëve të cilët drejtohen gjatë natës në ndihmën e parë, nuk marrin këshilla dhe nuk u drejtohen mjekëve amë gjatë Muajit të Ramazanit në lidhje me agjërimin, por drejtohen direkt në ndihmën e parë dhe kjo dukshëm ndikon në punën e këtij shërbimi, pasi që siç thonë mjekët nga numri i madh i pacientëve nuk mund t`ju përgjigjen thirrjeve në mënyrë urgjente. Pas fillimit të muajit të Ramazanit mjekët kanë këshilluar besimtarët të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike që të jenë shumë të kujdesshëm. Sipas tyre, të sëmurët kronikë mund të mbajnë dietë të rekomanduar nga mjeku që ndjek kronologjinë e sëmundjes së tyre, por kurrsesi nuk duhet të rinë pa ngrënë për orë të tëra. Mjekët këshillojnë të gjithë besimtarët myslimanë që vuajnë nga diabeti, zemra, veshkat e që marrin medikamentet përkatëse, të mos agjërojnë gjatë këtij muaji. I njëjti rekomandim shkon dhe për gratë shtatzëne që, sipas tyre, duhet të hanë shpesh gjatë ditës.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *