Home / Lajme / Maqedoni / Qeveria në pushim, drejtorët presin javën e ardhshme

Qeveria në pushim, drejtorët presin javën e ardhshme

4 gusht-Sipas burimeve të Qeverisë, deri në fund të kësaj jave nuk do të ketë asnjë lloj seance, por ministrat dhe vartësit e tyre të sapoemëruar po e shfrytëzojnë sa për konsultime, po aq edhe për në pushime. Drejtorët do të presin të ulen nëpër postet e tyre gjatë javës që vjen, ose në fillimin e javës së tretë të gushtit

Vendet vakante të krerëve të drejtorive dhe agjencive do të duhet të presin që të plotësohen deri në javën e ardhshme. Sipas burimeve të Qeverisë, deri në fund të kësaj jave nuk do të ketë asnjë lloj seance, por ministrat dhe vartësit e tyre të sapoemëruar po e shfrytëzojnë sa për konsultime, po aq edhe për në pushime. Drejtorët do të presin të ulen nëpër postet e tyre gjatë javës që vjen, ose në fillimin e javës së tretë të gushtit.

Sa i takon vendimeve të dhëna deri tani dhe sistemimit të ministrave dhe sekretarëve shtetëror në vendet e tyre, BDI është përcaktuar edhe për emrin e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ku tashmë Jahi Jahiu ka marrë edhe zyrtarisht këtë post. Në seancën e ardhshme të Qeverisë pritet të miratohen vendimet për 32 postet drejtuese të funksionarëve të BDI-së që do të udhëheqin me drejtoritë dhe agjencitë e ndryshme.

Në listën me kandidatura të sigurta për të marrë mandatin janë Rafiz Aliti, si drejtor i Postave të Maqedonisë, Nazif Bushi si drejtor i shërbimeve të aeroportit, Bekim Neziri në Fondin Pensional, Xhemali Mehazi në Fondin e Shëndetësisë, Zulfli Adili nga zëvendësdrejtor i Qendrës për menaxhim me kriza do të emërohet drejtor, Ejup Rustemi te Rezervat e Naftës…

Burime konfidenciale brenda integristëve thonë se lista e kuadrove të saj është drejt konfigurimit, ndryshimet dhe plotësimet në të varen edhe nga propozimet që vijnë nga degët e partisë në rrethe, po aq sa edhe nga kujdesi për të ruajtur balancat e profilit gjeografik të kandidatëve, në mënyrë që “lëshimet” e bëra gjatë përzgjedhjes së emrave në eshalonin e parë dhe të dytë të kompensohen në këtë sferë. Në BDI nuk kanë asnjë ndonjë datë sa i takon mbledhjes së Kryesisë së saj, e cila do të japë edhe verdiktin final sa i takon nominimeve në postet e eshalonit të tretë. Mes tyre do të ketë edhe emra të rinj, por edhe do të qarkullojnë kuadrot ekzistues nga njëra drejtori në tjetrën. Deri tani, Qeveria ka miratuar vendimet për emërimin e pesë sekretarëve shtetëror nga BDI, ashtu si edhe të dy zëvendëskryeministrave, pesë ministrave dhe katër zëvendësministrave.

Hoxha sërish zëdhënës

Zëdhënësi aktual i Qeverisë, Muhamet Hoxha do të qëndrojë në postin që ka edhe gjatë mandatit të ardhshëm, së bashku me zëdhënësin tjetër Martin Martinovski. Riemërimi i tij do të presë deri në mbajtjen e seancës së radhës, ku Hoxha këtë post do ta marrë për herë të dytë, pas zgjedhjes së tij në vitin 2010, kur BDI shkarkoi nga detyra paraardhësin e tij, Shefik Durakun. Hoxha, emri i të cilit ishte në listat e BDI për tu emëruar si sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës, ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit për marrëdhënie me opinionin në kabinetin e ish-zëvendëskryeministrit, Abdilaqim Ademi.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *