Home / Sport / Renova-Kurtishi 0:2, Shkëndija triumfoi në derbin e Tetovës

Renova-Kurtishi 0:2, Shkëndija triumfoi në derbin e Tetovës

Tetova është veshur ‘kuqezi’ pasi Shkëndija të dielën mundi Renovën me rezultatin 2:0 në ndeshjen më interesante të javës së 5-të të elitës së futbollit vendor. Përforcimi i fundit i Shkëndijës Mensur Kurtishi me dy gola të shënuar bëri diferencën, megjithse skuadra kampione kishte dominim të plotë gjatë 90-të minutave. Vllatko Kostov kishte rrikthim të passuksesshëm në pankinën e Renovës dhe pikët e parë do t’i kërkojë në takimet e rradhës.

Sulmuesi kumanovar i Shkëndijës Mensur Kurtishi ka sjellë tjetër performansë të shkëlqyeshme në fanellën ‘kuqezi’, duke qenë figura qendrore e derbit të javës së pestë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë mes Renovës dhe Shkëndijës. Me dy golat e shënuar, Kurtishi thuajse vetë i solli ekipit tre pikë në derbin lokal, duke e çuar në pesë numrin e golave të shënuar në fanellën e Shkëndijës në tre takime të zhvilluara (Shënoi dy herë në fitoren 7:0 kundër Ohrit në kuadër të Kupës, realzoi një gol në fitoren 3:0 kundër Napredokut dhe së fundmi ‘tundi’ dy herë Renovën). Që në fillim të takimit Shkëndija hyri furishëm, duke sulmuar ashpër, për të bërë me dije se nga ky takim dëshiron vetëm fitore. Renova e tërhequr mbulonte mirë, megjithse sulmet e Shkëndijës nuk kishin të ndalur. Rastin më të mirë në 45 minutat e para e kishte Mensur Kurtishi, kur në mënyrë maestrale u lirua nga mbrojtja e Renovës dhe mposhti portierin Elezi, mirëpo topi u ndal në traversë. Renova në minutat e fundit të pjesës së parë sikur u lirua nga presioni i kundërshtarit dhe kishte disa sulme, që megjithatë nuk sollën rrezik për Shkëndijën. Në fillim të pjesës së dytë përsëri Kurtishi në qendër të vëmendjes kur kalon bukur dy futbollistë kundërshtarë, mirëpo në moment të fundit ndalet, ndërsa arbitri tregoi që loja të vazhdojë. Në minutën e 54 Hasani ishte në depërim të shpejtë dhe u ndal në mënyrë të parregullt, duke fituar goditje dënimi. Kjo ishte mundësi e mirë për Shkëndijën dhe të mësuar nga takimet paraprake pritej goditje e Hasanit, apo kapitenit Mustafi, mirëpo përgjegjësinë e mori Kurtishi, duke sjellë kryevepër të vërtetë, për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Ky moment solli erupcion të vërtetë në tribunat e stadiumit, ku të pranishëm ishin mbi 8 000 spektatorë të futbollit. E kënaqur me epërsinë Shkëndija mbante posedimin e topit, duke mos i dhënë shumë hapsirë Renovës për të kërkuar barazimin. Mirëpo me kalimin e kohës Renova dha shenja jete, duke nisur të sulmojë më guximshëm, ndërsa ishte Gafuri që u kanos me goditje precize, mirëpo Jovanovski ishte në nivel. Në anën tjetër ‘kuqezinjtë’ vazhdimisht kanoseshin duke kërkuar golin e qetësisë dhe të njëjtin e gjetën 12-të minuta para fundit, kur Emini bukur assistoi në zonë, ndërsa Kurtishi nuk fal nga pozita të këtilla. Paraprakisht Hasani kishte mundësi të 100 % për të shënuar, kur u gjet ballë-ballë me Elezin, mirëpo sikur deshti shumë kur tentoi ta driblojë dhe rasti shkoi në pa kthim. Deri në fund të ndeshjes Shkëndija administroi mirë lojën dhe me meritë i’u gëzua fitores së tretë sezonale, me të cilën arrin në kuotën e 9-të pikëve, për vendin e tretë në renditje. Shkëndija me sukses kreu punën e saj, ndërsa para syve të seleksionuesit të ri të Maqedonisë Xhon Toshak, përveç Kurtishit shkëlqeu Huseini i cili do të grumbullohet me kombëtaren në sfidat me Rusinë dhe Andorën, ndërsa Hasani edhe pse u mundua shumë, megjithatë nuk ishtë në nivelin e tij më të mirë. Sa i përket Renovës u pa qartë se ekipi ka nevojë për fyrmë të re dhe ndoshta ndonjë përforcim kualitativ në mesfushë dhe sulm do të ishte i mirëseardhur për trajnerin Kostov, nëse xhepçishtasit duan të jenë në mesin e skuadrave që pretendojne kreun e tabelës.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *