Home / Lajme / Maqedoni / Rritet pakënaqësia ndaj institucioneve

Rritet pakënaqësia ndaj institucioneve

8 gusht-Njëjtë si vitin e kaluar, edhe këtë vit banorët e rajonit të Tetovës dhe Gostivarit janë ankuar për stërzgjatjen e lëndëve gjykuese

Qytetarët e rajonit të Tetovës dhe të Gostivarit vazhdojnë të ankohen ndaj punës së gjykatave. Në këtë drejtim, qytetarët kanë ankesa në lidhje me stërzgjatjen e lëndëve, por edhe të proceseve gjyqësore, të cilët në disa raste – kalojnë më shumë vite në sirtarët e këtyre gjykatave. Në vit pranohen më shumë se 200 parashtresa, të cilët vijnë drejtpërsëdrejti nga ana e qytetarëve, të cilët nuk mund të realizojnë të drejtën e tyre ndaj institucioneve që cenojnë të drejtat e tyre. Njëjtë si vitin e kaluar, edhe këtë vit banorët e rajonit të Tetovës dhe Gostivarit janë ankuar për stërzgjatjen e lëndëve gjykuese, por edhe në mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve, mosrespektim të Ligjit për marrëdhënie për punë, (gjatë shpalljeve-konkurseve), në sferën e arsimit etj. Kohëve të fundit janë shtuar edhe parashtresat për të drejtat e konsumatorëve, ndërsa në këtë drejtim mangët nuk është as arsimi as shëndetësia.

Kështu tregojnë në zyrën e Avokatit të Popullit në Tetovë. Zëvendësavokatja e Popullit në këtë qytet, që përfshinë edhe rajonin e Gostivarit, Marina Obadiq, thotë se qytetarët më së shumti kanë ankesa në adresë të gjykatave për stërzgjatjen e proceseve gjyqësore, realizimin e së drejtës sociale, dhe për realizimin e të drejtës për pension. Nëse për dy muajtë e parë të këtij viti kishte vetëm 36 parashtresa, numri i qytetarëve deri në muajin gusht që kanë kërkuar intervenimin e Avokatit të Popullit është 145. Sipas Obadiq, ka rritje të parashtresave në sferën e denacionalizimit. Ajo sqaron se problem ngelet Komisioni për denacionalizim i shkallës së parë dhe i shkallës së dytë. “Ka lëndë, të cilët ekzistojnë nga viti 2002 apo nga viti 2003. Kemi kërkuar sqarim dhe përgjigja e tyre është se bëhet fjalë për një kuadër të vogël, i cili nuk mund të realizojë të gjitha lëndët në kohë”, thotë ajo. Në ndërkohë, sipas të dhënave në nivel të Republikës në Maqedoni, gjatë viti 2011 deri më tani – listës i prinë gjyqësia me 405 parashtresa, me pas vijnë parashtresat e konsumatorëve 362, të drejtat e punëtorëve – 204.

Në nivel të shtetit, një pjesë e parashtresave kanë të bëjnë me çështjet pronësoro- juridike (193), ndërsa 187 parashtresa kanë të bëjnë me burgjet, shtëpitë përmirësuese edukuese. Diku rreth 150 raste janë ndaj punës së policisë. Sipas të dhënave që i siguruam nga zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë, ka rritje të rasteve kur shkelet e drejta e sigurimit shëndetësor dhe invalidor (139 raste), mbrojtja shëndetësore (108 raste). Ndërkaq, rritje janë regjistruar edhe tek rastet e denacionalizimit ku lëndët stërzgjaten edhe me vite të tëra.

Ndryshe, në vitin 2009 ka pasur 277 parashtresa nga ana e qytetarëve në adresë të këtij institucioni, viti 2010 është përmbyllur me 232 raste. Bashkëpunimi me organet kompetente shkon shumë rëndë, thotë Obadiq, mirëpo kohën e fundit vërehet përparësi e dukshme, sepse institucionet sa vijnë e më seriozisht e kuptojnë rolin dhe punën e institucionit të Avokatit të Popullit.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *