Home / Lajme / Maqedoni / S’bëhet dasmë pa çifteli

S’bëhet dasmë pa çifteli

4 gusht-Edhe pse traditat e dasmave ndërrojnë për çdo vit, përsëri veglat muzikore tradicionale shqiptare janë të pranishme në dasma edhe pse të njëjtat tani gërshetohen me stilin modern.

Tetovë – Të bësh një dasmë tipike shqiptare në Maqedoni, e njëjta nuk mund të paramendohet pa instrumentet tradicionale shqiptare siç është defi, dajret çiftelia, tupanët, por edhe flamurin kombëtar. Edhe pse traditat e dasmave ndërrojnë për çdo vit, përsëri veglat muzikore tradicionale shqiptare janë të pranishme në dasma edhe pse të njëjtat tani gërshetohen me stilin modern. Mjeshtri i çiftelieve, Hamsi Abduramani, me vite të tëra punon në afërsi të sheshit të Tetovës dhe me tinguj e çiftelisë, ua kujton kalimtarëve traditën tonë muzikore.

“Për fat të mirë interesimi i qytetarëve për këtë instrument për çdo vit shënon rritje, kurse çmimet e çiftelisë lëvizin nga 10 deri në 100 euro. Mund të them se jam shumë i kënaqur që traditat tona nuk janë duke u harruar. Unë këtu shesh edhe plisa dhe sharkia, edhe për ato ka interesim. Zakonisht i blejnë mërgimtarët, të cilët duan ta ruajnë për qejf një instrument tradicional”, thotë mjeshtri i çiftelive nga Tetova, Hamsi Abduramani.

Ndërkohë, më pak të kënaqur janë tupanxhijtë, të cilët theksojnë se për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit nuk janë ftuar gjithaq nëpër dasma. “Këtë vit nuk ka patur shumë ftesa për dasma me tupan. Edhe ato pak që kanë qenë, kanë qenë të pakta dhe çmimi për një orë është ulur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar, pothuajse 50 për qind”, thotë me kusht anonimiteti një mjeshtër i tupanëve, i cili për çdo dit në orët e mëngjesit qëndron në sheshin e Tetovës, për të pritur ofertat për pjesëmarrje në dasma.

Ndërkohë, në qendër të qytetit, në rrugën që çon për nga e ashtuquajtura “Rrugë e butiqeve”, mund të shihet një atmosferë impozante nga shitësit e defave dhe flamujve. “Shitja e tyre është e ulët, por defat, dajret dhe flamujt janë pjesë e çdo shtëpie shqiptare pa të cilat nuk mund të paramendohet të bëhet një dasmë”, thotë njëri nga shitësit. Sezoni i dasmave është ka fundi për shkak të fillimit të Muajit të Ramazanit. (U.H)

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *