Home / Lajme / Maqedoni / Shpërfillja e mërgatës shqiptare

Shpërfillja e mërgatës shqiptare

2 gusht-Përpilimi i listës së mërgimtarëve që kanë investuar në Maqedoni është një ndër aktivitetet në të cilat punon Agjencioni i Emigracionit të Maqedonisë. Në përgatitje e sipër është edhe adresari i listës së mërgimtarëve afarist nga Maqedonia si investitorëve potencial në Maqedoni. Ndryshe, shpenzimet në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, turizëm, manifestime dhe ahengje familjare janë kryesisht mjetet që harxhohen nga ana e kurbetçarëve.

Mbi një miliardë euro që dërgojnë mërgimtarët nga jashtë mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë dhe banorët e saj. Të hollat e mërgimtarëve, sipas ekspertëve ekonomik, kryesisht shpenzohen për të ndihmuar mbijetesën e familjarëve të tyre, por jo edhe për investime.

Ndikimi më se pozitiv i mërgatës në mbijetesën e qytetarëve në vend sërish është konfirmuar në fillim të muajit korrik edhe nga analiza e Rrjetit global për zhvillim për ndikimin e mërgimtarëve në ekonominë e gjashtë vendeve, ku u përfshi edhe Maqedonia. Vitin e kaluar, në vend në emër të transfereve private kanë hyrë mbi një miliardë euro, ndërsa sivjet – deri në fillim të qershorit, 639 milionë euro apo 235 milionë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Maqedoni, përveç Bankës Popullore që regjistron transferet nga dhe jashtë vendit, institucionet e tjera si Enti i Statistikës nuk regjistrojnë dërgimin e të hollave nga jashtë. Me një rast, eksperti ekonomik, Abdylmenaf Bexheti, tha se është koha që më në fund kreatorët e politikës t’i kushtojnë vëmendje këtij potenciali që dukshëm mund t’i kontribuojë ekonomisë së vendit.

“Nuk kemi statistikë për të gjithë të hollat që hyjnë nga diaspora dhe kjo paraqet një lëshim serioz. Në Shqipëri, pesë deri gjashtë herë në vit kryhen hulumtime të tilla me përkrahje të shtetit”, theksoi Bexheti. Sipas tij, në asnjë nga masat antikrizë qeveritare të miratuara deri tani nuk përmenden të hollat e mërgimtarëve, ndonëse bëhet fjalë për një dimension të rëndësishëm ekonomik. Sipas ekspertit ekonomik, Vanço Uzunov, nga mërgimtarët në Maqedoni hyjnë shumë më shumë të holla se sa evidentohen zyrtarisht.

Sipas tij, pjesa më e madhe e të hollave që sjellin mërgimtarët në vend harxhohen në amvisëritë e vendit, për ekzistencën e familjarëve të tyre, për arsim, shëndetësi dhe më së paku për fillimin e biznesit për shkak të procedurave të ndërlikuara. “Mërgimtarët ankohen se barrierat e ndryshme administrative paraqesin pengesë për investim në vend dhe kërkojnë kushte minimale për tejkalimin e tyre. Të hollat e mërgimtarëve që mbulojnë gjysmën e eksportit të vendit me importin paraqesin dhuratë për qeverinë e vendit dhe ruajtjen e stabiliteti të ekonomisë saj”, thekson eksperti Vanço Uzunov.

Ambasadorët më të mëdhenj për tërheqjen e investimeve duhet të jenë mërgimtarët, tregojnë përvojat e vendeve të suksesshme si Izraeli, Irlanda, Koreja e Jugut, Kili etj. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore të Greqisë të para dy viteve, depozitat e emigrantëve shqiptarë në këtë vend ishin rreth 3 miliardë euro. Pesëdhjetë për qind e deficitit tregtar të Maqedonisë mbulohet me të hollat e mërgimtarëve, theksojnë ekspertët, duke ilustruar rëndësinë e të hollave që ata dërgojnë tek familjarët e tyre në Maqedoni. Deficiti tregtar në Maqedoni me shkëmbimin jashtë vendit rritet në vazhdimësi gati dy dekada, ndërsa vitin e kaluar – ai ishte rreth 2.4 miliardë dollarë.

Përpilimi i listës së mërgimtarëve që kanë investuar në Maqedoni është një ndër aktivitetet në të cilat punon Agjencioni i Emigracionit të Maqedonisë. Në përgatitje e sipër është edhe adresari i listës së mërgimtarëve afarist nga Maqedonia si investitorëve potencial në Maqedoni. Ndryshe, shpenzimet në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, turizëm, manifestime dhe ahengje familjare janë kryesisht mjetet që harxhohen nga ana e kurbetçarëve.

Edhe pse gjatë qëndrimit të tyre pranë familjeve sjellin mbi një miliardë euro në Maqedoni, mërgimtarët shqiptarë gjatë pushimeve të tyre ballafaqohen me probleme të ndryshme. Maltretimet fillojnë prej kufirit kur krijohen kolona të gjata, jo vetëm për shkak të fluksit të madh, por edhe për shkak të neglizhencës së policisë dhe shërbimeve doganore. Ndër maltretimet më të shpeshta që pësojnë është edhe aplikimi për të marrë dokumentet identifikuese. Kështu “shpërblehen” ata që e shpëtojnë nga bankroti Maqedoninë dhe nuk ka asnjë shenjë përmirësimi, përkundrazi edhe më tej vazhdon shpërfillja e tyre.

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *