Home / Lajme / Maqedoni / Shtatë shkolla do të punojnë me tre ndërrime

Shtatë shkolla do të punojnë me tre ndërrime

13 gusht-“Nuk kemi informacion se ka shkolla që punojnë me tre ndërrime”, thotë zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski. Të kundërtën e tregon gjendja në terren. Madje, edhe Enti Republikan i Statistikave (ERS) ka evidentuar se tre shkolla katërvjeçare dhe shtatë shkolla tetëvjeçare kanë punuar me tre ndërrime

Diskriminimi i nxënësve në bazë të përkatësisë etnike në Maqedoni vazhdon të mbetet aktuale edhe sot e kësaj dite. Pavarësisht karakterit multietnik të shtetit dhe numrit të konsiderueshëm të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, ata vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të pabarabartë. Kjo ndjehet në çdo hap, duke filluar që nga ndarja e hapësirave shkollore. Pjesa dërmuese e shkollave që punojnë me tre ndërrime në Maqedoni janë shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Janë të paktën shtatë të tillë të tilla që do ta presin edhe një vit shkollor me regjimin e punës në tre ndërrime, ndërsa dy vite më parë, ky numër shkonte në tetë shkolla shqiptare, një maqedonase dhe një rome. Të gjitha këto shkolla janë në vendbanime shqiptare dhe në të cilat nxënësit që mësojnë aty, janë kryesisht shqiptarë. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencë (MASH) të paktën zyrtarisht nuk kanë informacione që në Maqedoni ka shkolla që punojnë me tre ndërrime.

“Në të gjitha shkollat punohet me një apo dy ndërrime. Nuk kemi informacion se ka ndonjë shkollë ku mësimi të zhvillohet në tre ndërrime”, tha zëdhënësi Goran Galevski. Mirëpo, gjendja në terren tregon të kundërtën. Madje dhe Enti Republikan i Statistikave (ERS) ka evidentuar dukurinë e shkollave që punojnë me nga tre ndërrime, mirëpo pa dhënë hollësi për komunat në të cilat gravitojë ato, apo për përbërjen etnike të nxënësve sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi. ERSHja, në raportin e saj më të fundit për gjendjen e shkollave të fillore dhe të mesme në Maqedoni, tregon se në vitin shkollor 2009/2010, në tre ndërrime punojnë 10 shkolla, prej të cilave shtatë janë tetëvjeçare dhe tri katërvjeçare.

Mirëpo, zëdhënësi i MASH-it, Galevski nuk din gjë për këtë. “Zyrtarisht, pra sipas informacioneve tona, në të gjitha shkollat e Maqedonisë punohet në një dhe dy ndërrime. Ka shkolla që në periudhën e dimrit, që të mos harxhojnë ngrohje gjithë ditën, organizojnë mësim ne vetëm njëri ndërrim. Kjo për shkak të menaxhimit të mirë të hapësirave shkollore nga ana e drejtorëve dhe përfaqësueseve komunal”, shprehet ai. Nëse ka shkolla që organizojnë mësim në tre ndërrime, do të thotë se nuk menaxhojnë mirë me hapësirën, vlerëson Galevski, ndërsa nuk pranon se në Maqedoni ka ende shkolla, të cilat kanë trefish më pak klasë së sa numri i paraleleve.

Vetëm në kryeqytet janë tre shkolla të tilla – SHF “Skënderbeu”, SHF “26 Korriku” dhe SHF “Vëllezërit Ramiz e Hamdi”. Këta dy të fundit gravitojnë në Komunën e Shutkës, kurse njëra është me nxënës kryesisht shqiptarë e tjera me nxënës kryesish romë. “Skënderbeu” që gjendet në Haraçinë është vetëm me nxënës shqiptarë. Deri para një viti, listës së shkollave që punojnë me tre ndërrime u shtoheshin edhe SHF “Sande Shtejrovski” në Kërçovë, SHM “8 Shtatori” – Tetovë, SHF “Bashkimi” dhe SHF “Goce Dellçev” në Gostivar, si dhe SHF “Dituria” në Saraj, duke e çuar kështu në tetë numrin e përgjithshëm të shkollave që punojnë ne tre ndërrime. Në raportin e ERSsë jepen të dhëna edhe për numrin e paraleleve dhe nxënësve që janë të përfshirë në këto shkolla. 2.005 nxënës (103 në shkolla katërvjeçare) dhe 1.902 mësojnë në tre ndërrime, thuhet në këtë raport. Mirëpo, ky numër nuk mund të konsiderohet i saktë për dy arsye themelore. E para, numri përfshin vetëm filloristët, por jo edhe nxënësit e shollës së mesme “8 Shtatori” dhe, e dyta – vetëm SHF “26 Korriku” në Shutkë numëron 2.280 nxënës.

Kjo shkollë, e cila llogaritet nga Sektori për arsim fillor në MASH si shkollë që punon me tre ndërrime, ka pasur raste kur ka punuar edhe me katër turne, apo me “dy të rregullta dhe dy të ndërmjetme”. Drejtori Halit Sejdiu ka shpjeguar më herët për se, që të sigurohet arsim për mbi 2.000 nxënësit e SHF “26 Korrikut”, punohet 12 orë pa ndalë, nga 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës. Në 18 klasë punohet në dy ndërrime, kurse në 10 klasë ndërrimet e paraleleve bëhen katër herë në ditë. Kur në orën 10 mbarojnë orët e disa lëndëve për paralelet e ciklit të lartë (nga V deri VIII), mësonjëtoret u lirohen 10 paraleleve të para të ciklit të ulët (të klasave I dhe një pjesë e të klasave II), të cilat mësojnë këtu deri në orën 13 e 30 minuta.

Kur këto mbarojnë mësimin, vijnë 10 paralelet tjera, gjithashtu të klasave II dhe III, të cilat i shfrytëzojnë mësonjëtoret deri në orën 16. Pas kësaj, klasat shfrytëzohet nga paralelet e ciklit të lartë, deri në orën 19 e 20 minuta, për lëndë të caktuara mësimore në turnin e pasdites.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *