Home / Lajme / Maqedoni / Shteti të kuptojë konceptin e MO-së

Shteti të kuptojë konceptin e MO-së

11 gusht–Analistët mendojnë se ndryshimet e fundit ligjore, që erdhën si pasojë e paktit mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës VMRO-BDI, siç ishte zgjidhja e rasteve të Hagës, ndryshimet në Ligjin për gjuhën dhe flamurin, ndikuan për t’i lëvizur nga “pika e vdekur” tre prej çështjeve më të ndjeshme që lidheshin si kryesoret e implementimit të dokumentit

Propagandë verbale apo implementim i vërtetë? Marrëveshja e Ohrit edhe në vigjilje të shënimit të 10 vjetorit të nënshkrimit vazhdon të shënjestrohet nga të pakënaqurit dhe pesimistët, nga implementuesit dhe aktorët e nënshkrimit të saj. Të ndarë në fronte të ndryshme, akuzat artikulohen në forma që nuk i përjashtojnë as qëndrimet radikale, sensin autokritik, por edhe kënaqësinë për implementim e saj gradual, edhe pse me vonesë. I klasifikuar si mekanizëm që do të vendoste ekuilibrin multietnik, duke garantuar të drejtat e të gjithë shtetasve, pa dallim kombësie e besimi fetar, akuzat për diskriminim ekonomik, fetar dhe etnik drejtuar Qeverisë, janë artikuluar vazhdimisht nga subjekte, politike opozitare, shoqata civile, fetare e të tjera, duke konstatuar jo pa dhimbje se Marrëveshja e Ohrit është shkelur në formën më flagrante, duke rrezikuar edhe stabilitetin e brishtë etnik të vendit, qoftë me ligje, projekte e të tjera nisma. Por, analistët mendojnë se ndryshimet e fundit ligjore, që erdhën si pasojë e paktit mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës VMRO-BDI, siç ishte zgjidhja e rasteve të Hagës, ndryshimet në Ligjin për gjuhën dhe flamurin, apo edhe premisat për zgjidhjen përfundimtare të statusit të ish luftëtarëve të UÇK dhe familjeve të dëshmorëve, ndikuan për t’i lëvizur nga “pika e vdekur” tre prej çështjeve më të ndjeshme që lidheshin si kryesoret e implementimit të dokumentit.

Por edhe pse në formën e saj, me ritme të ngadalta, me ngecje të herëpashershme dhe kritika nga jashtë, Marrëveshja e Ohrit po gjen zbatim, edhe pse shteti nuk e respekton siç duhet frymën e saj, pohojnë analistët. “Nuk është përmbushur aneksi C, që lidhet me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë, po ashtu si edhe rehabilitimi i viseve të dëmtuara gjatë konfliktit të 2001 e shumë çështje të tjera. Por ajo që është më esenciale, ka të bëjë me atë se shteti nuk po frymon si duhet sipas kësaj marrëveshje, që do të thotë se shteti nuk po funksionon në bazë të kësaj marrëveshje, e cila nënkuptonte që të ndërpritej diskriminimi i shqiptarëve dhe i qytetarëve të tjerë që nuk i përkasin komunitetit shumicë”, thotë Naser Zyberi, pjesë e ekipit shqiptar të bisedimeve për hartimin e MO. Marrëveshja e Ohrit nuk është një listë detyrash që duhen përmbushur, por qëllimi i saj është ndryshimi i konceptit të mendësisë së funksionarëve të aparatit shtetëror, shprehet analisti.

Duke iu referuar deklarimeve që vijnë nga dy partitë më të mëdha shqiptare, ai thotë se ato janë kontradiktore, varësisht momentit kur janë në pushtet ose opozitë. “Harrojnë se në periudha të ndryshme gjatë këtyre 10 viteve, ata kanë qenë të detyruar për ta zbatuar atë, ndërsa nga idetë që dëgjojmë kohët e fundit, se kjo marrë veshje ka vdekur e të tjera, më shumë janë të karakterit propagandistik, sesa mund të merren si të vërteta. Për aq kohë sa të mos kemi një marrëveshje tjetër më të mirë, jemi të detyruar që ta zbatojmë këtë që kemi”, thotë analisti Zyberi. Ndërkohë, Vllado Popovski, ish-këshilltari i presidentit tanimë të ndjerë, Boris Trajkovski, ka thënë se me miratimin e tri ligjeve të propozuara nga BDI, mund të thuhet se Qeveria ka bërë hapa të rinj për polarizimin e mëtejshëm të kësaj marrëveshje, “por në asnjë moment nuk duhet të perceptohet si një kosh, i cili duhet mbushur me të drejta, por si një kornizë e funksionimit të shoqërisë multietnike”.

“Të krijohet përshtypja nga deklarimet publike se të dy partnerët e konceptojnë këtë marrëveshje si një lloj koshi, një kuantitet të drejtash që mund të realizohen sesa si një kornizë dhe koncept mbi të cilin duhet të funksionojë një shoqëri multietnike dhe të zhvillohet një dialog, i cili do të jetë në frymën e kësaj marrëveshje”, thotë Popovski. Zëvendëskryeministri për Implementimin e MO, Musa Xhaferi në një prononcim të disa ditëve më parë, ka thënë ndër të tjera se mund të jenë kritikë ndaj faktit sesa mund të jenë të kënaqur me dinamikën e implementimit të saj, por sipas tij mund të konstatohet se MO ka ndikuar që shqiptarët të jenë besnikë ndaj institucioneve të shtetit, sepse janë bërë bartës dhe udhëheqës kryesor në më shumë institucione.

“BDI duke qenë pjesë e qeverisë gjer në këtë volum, ka arritur të garantojë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, cilado qofshin ato. Faktikisht, aq sa është avancuar edhe në aspektin global, marrëveshja politike e Ohrit edhe në temat konkrete siç është përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, është BDI që i ka zbërthyer ato programe politike të Marrëveshjes së Ohrit nga kushtetuta, i ka implementuar dhe BDI është autore, nuk e them sa për egoizëm politik, por është realitet gjatë këtyre 10 viteve”, thotë Xhaferi.

Të pakonfirmuarit

Listës së VIP-ve që nuk do të marrin pjesë gjatë këtij manifestimi, përveç kryeministrit Nikolla Gruevski, ish-kryeministrit Lubço Georgievski, apo edhe ish-liderit të PDSH-së, Arbën Xhaferi, i janë shtuar edhe Piter Feit, përfaqësuesi special i BE dhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar i Kosovës, të cilët figurojnë si pjesëmarrës me ftesa të pakonfirmuara. Kryeministri Gruevski nuk ka marrë pjesë në asnjë prej shënimeve të viteve të mëparshme, ndërsa prezantimi i subjektit të tij politik gjithnjë ka qenë e përfaqësuar në nivelin më të ulët, me përfaqësuesit e grupit koordinator. Niveli më i lartë i prezantimit është ai i Presidentit dhe kreut të Parlamentit. Ceremonia zhvillohet nga datat 12 dhe13 gusht në Ohër.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *