Home / Lajme / Maqedoni / TANJA FAJON: Kur shqiptarët më ngacmonin rrugëve të Ljubjanës

TANJA FAJON: Kur shqiptarët më ngacmonin rrugëve të Ljubjanës

1 gusht-Unë kam jetuar në një lagje të Ljubjanës, në të cilën gjithashtu jetonin shumë shqiptarë. Nuk është se isha shumë entuziaste në atë kohë, veçanërisht kur ata më ngacmonin mua, si një vajzë e re që isha. Por edhe sot e kësaj dite them se akullorja më e mirë që kam ngrënë ka qenë ajo e shqiptarëve dhe sërish vazhdon të jetë akullorja më e mirë.

Edhe pse emri i saj është i dashur për shqiptarët, shumë pak e njohin atë përtej politikanes që loboi fort në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “MAPO”, eurodeputetja Tanja Fajon vjen përmes një rrëfimi personal mbi kujtimet e puthjes së parë, fëmijërisë së kaluar si një vajzë e llastuar, karrierës si gazetare dhe kapërcimin në politikë, si një mundësi për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Në këtë rrëfim ndryshe, Fajon tregon dhe për kontaktin e parë që ka pasur me shqiptarët. “Unë kam jetuar në një lagje të Ljubjanës, në të cilën gjithashtu jetonin shumë shqiptarë. Nuk është se isha shumë entuziaste në atë kohë, veçanërisht kur ata më ngacmonin mua, si një vajzë e re që isha”, shprehet eurodeputetja. Gjithashtu Tanja Fajon shpreh vlerësimin dhe për akulloret e prodhuara nga shqiptarët e Sllovenisë, duke i cilësuar ato si më të mirat që ka provuar ndonjëherë. Eurodeputetja sllovene nuk kursen kritikat për klasën politike shqiptare, duke i etiketuar ata si persona që në vend të parë venë interesat personale e më pas ato të popullit.

Zonja Fajon, siç edhe mund ta dini, në Shqipëri jeni një personazh i njohur dhe i dashur. Por jo të gjithë njerëzit e dinë se kush është Tanja Fajon jashtë jetës politike…

Unë jam pak a shumë si gjithë të tjerët, me anët e mia të mira dhe të këqija. Fatmirësisht, jam një natyrë optimiste. Përpiqem ta shijoj jetën edhe kur gjërat shkojnë keq. Jam kurioze, më pëlqen të mësoj, por shpesh i bëj edhe autokritikë vetes. Jeta nuk është e lehtë dhe na duhet të bëjmë disa përpjekje. Më pëlqejnë njerëzit e ndershëm dhe të drejtë dhe besoj se unë nuk pasqyroj një politikane tipike, nëse në të vërtetë ekziston një e tillë.

Një pjesë e madhe e jetës suaj është e lidhur me gazetarinë. Çfarë mendimi keni për median sot?

Më vjen keq tek shoh se cilësia e medias sa vjen dhe zhduket, sidomos në këtë pjesë të Evropës. Krizat financiare i kanë detyruar shumë media që të falimentojnë, duke shkaktuar konfuzion dhe varësi tek gazetarët. Media luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë, publiku ka nevojë për informacion të besueshëm, të balancuar dhe të drejtë. Ne duhet që të luftojmë për lirinë e shtypit dhe pluralizmin e medias. Unë jam shumë e shqetësuar për situatën e medias në Shqipëri.

Cila ishte arsyeja që ju vendosët të merreshit me politikë?

Fillimisht më ftuan për të kandiduar për Socialdemokratët, në zgjedhjet e fundit evropiane. Kam punuar si korrespondente në Bruksel dhe jam marrë me politikën evropiane për disa vjet. Në një farë mënyre, ishte një hap që dihej. Pasi kisha arritur majën në fushën e gazetarisë, doja të bëja një hap më përpara. Doja të bëhesha krijuesja e politikës sonë, si dhe të kem një rol në marrjen e vendimeve për të ardhmen tonë. Tashmë ju jeni një nga anëtaret e Parlamentit Evropian, por nëse ju do të ktheheshit mbrapa në kohë, cilën do të zgjidhnit politikën apo gazetarinë?

Do të bëja të njëjtën zgjedhje. Kam një respekt të madh për median, dhe gazetaria vazhdon të jetë pasioni im. Është një profesion shumë i bukur. Por politika është më e nevojshme. Më shumë se kurrë, kemi nevojë për dinamizëm të ri dhe ide të reja. Është përgjegjësia e të dyja palëve për të përmirësuar jetën tonë. Që të dyja profesionet në një farë mënyre janë të lidhura me njëra-tjetrën, në të dyja rastet duhet të komunikojmë me publikun. Nuk jam penduar kurrë për vendimin që kam marrë.

Tani që i keni provuar të dyja profesionet, kush është më e vështirë politika apo gazetaria?

Nuk mund t’i krahasosh. Tek të dyja të duhet shumë autokritikë, vendosmëri, vigjilencë, si dhe aftësi. Personalisht, mendoj se mjedisi politik është më jomiqësor, më konkurrues dhe më pak i ndershëm. Mendoj se është e vështirë që t’i balancosh gjërat në këtë botë si “xhungël”, por mendoj se kur bën diçka me zemër, asnjë sfidë nuk të duket e vështirë.

A mund të na e përshkruani jetën mes Francës, Belgjikës dhe Sllovenisë?

Sllovenia ka një cilësi të mirë të jetës. Brukseli është një qytet kaotik dhe shumë stresues. Strasburgu është kryeqyteti i këndshëm i Alsasës, por asnjëherë nuk ke kohë të mjaftueshme për ta vizituar atë. Më pëlqen puna plot dinamizëm në Bruksel, më pëlqen shumëllojshmëria e kulturave e ngjyrave dhe e gjuhëve në këtë qytet, por në fund të javës më pëlqen të shlodhem në rrethinat e maleve dhe në natyrën e bukur të vendit tim. Asgjë nuk mund të krahasohet me të.

Le të kthehemi pas në kohë. Si ishte fëmijëria juaj?

Kam kujtime shumë të bukura. Prindërit e mi kujdeseshin shumë për mua, duke qenë se isha një fëmijë i llastuar edhe pse shpesh herë, nuk e kishin mundësinë të mi plotësonin të gjitha. Lumturia mbizotëronte në familjen time, babi im gjithmonë krijonte situata konkurruese dhe sfiduese. Mamaja ime është ende sot shoqja ime më e mirë dhe do të dëshiroja që edhe me fëmijët e mi të kisha të njëjtën marrëdhënie.

A e mbani mend puthjen tuaj të parë?

Oh, po. Prindërit e mi më thanë se puthja e parë asnjëherë nuk harrohet. Dhe është e vërtetë, më shumë kujtoj atmosferën në fakt sesa puthjen. Ka ndodhur në një natë me shi, buzë një trotuari, ishte një histori e bukur adoleshenteje.

A mendoni se një grua beqare ka më shumë sukses sesa një e martuar?

Nuk mendoj se të qenit beqare, apo të pasurit një partner apo familje, ka të bëjë me suksesin. Sigurisht, gratë nëna kanë më pak kohë se ato beqare. Por edhe jeta ime private ka në disa raste ulje dhe ngritje, duke qenë se unë jam shpesh larg shtëpisë. Por fatmirësisht, partneri im është shumë i kuptueshëm dhe më mbështet gjithnjë. Pa të, shumë gjëra nuk do të kishin kuptim.

Kush ishte politikani që ju frymëzoi dhe rrugën e të cilit do të donit të ndiqnit?

Nuk mund të përcaktoj vetëm një person. Në fakt më shumë ishin bindjet e mia, që më shtynë t’i futesha politikës. Sigurisht, edhe familja ime pati një ndikim të caktuar. Ata ishin të gjithë entuziastë në lidhje me politikën. Politika e majtë, progresiste, e hapur, demokrate dhe sociale. Sot, e gjej frymëzimin në shumë njerëz, dhe jo domosdoshmërisht politikanë, por mbi të gjitha ndjek rrugën time.

Nga gjërat që jeni privuar pasi u bëtë politikane, cila ju mungon më shumë?

Më mungon jeta ime shoqërore dhe relaksuese. Ndihem shumë në presion dhe në konkurrencë në mjedisin e politikës, i cili ndonjëherë është edhe i dëmshëm për shoqërinë. Nuk kam më kohë për të dalë, të pi diçka me shoqërinë time pas një dite të lodhshme apo dhe të kem pak privatësi. Por kohën e humbur arrij ta kompensoj gjatë pushimeve. Por në fund të fundit, çdo profesion ka anët e mira dhe të këqija.

A e konsideroni veten si një njeri të përmbushur?

Pak a shumë ne të gjithë kemi ëndrrat tona, të cilat na përkasin vetëm ne. Në njëfarë mënyre jemi ata që e krijojmë jetën tonë dhe jemi përgjegjës për të. Sigurisht që ka shumë gjëra, të cilat nuk mund t’i arrijmë. Por edhe atëherë varet nga ne, nëse do të luftojmë për të mirën tonë apo do të dorëzohemi dhe të presim se çfarë fati do të sjellë për ne. Kam luftuar për shumë gjëra gjatë gjithë jetës sime dhe kjo gjë më ka bërë shumë të fortë.

Si do e përshkruanit suksesin me fjalë? A mendoni se keni arritur kulmin në politikë?

Sinqerisht, mendoj se jam në hapat e para nëfushën e politikës duke qenë se e fillova këtë rrugë vetëm dy vjet më parë. Nëse ky do të ishte kulmi i karrierës sime në politikë, atëherë do të isha shumë e zhgënjyer. Shpresoj që karriera ime si politikane të mos jetë e shkurtër, pasi tani kam shijuar vetëm një pjesë të vogël të saj. Mendoj se ka akoma shumë gjëra për të zbuluar, por nuk më pëlqen që të bëjë plane afatgjata. Do të shoh se deri ku do të më shtyjë kurioziteti.

Duket se ju keni simpati për Shqipërinë. A keni takuar ndonjëherë shqiptarë, përveç politikanëve dhe çfarë mendimi keni në përgjithësi për këtë vend?

Kam takuar më shumë qytetarë shqiptarë, sesa politikanë shqiptarë dhe sinqerisht kam mbetur e befasuar. Më shumë me qytetarët. Akoma edhe sot ekzistojnë shumë paragjykime për shqiptarët dhe kjo është për të ardhur keq, pasi kam takuar shumë të rinj inteligjentë. Jam shumë e lumtur që liberalizimi i vizave doli me sukses. Është shumë e rëndësishme për të dyja palët, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Evropën.

Gjatë udhëtimeve tuaja zyrtare nëpër Evropë, cili është suveniri më i bukur që keni marrë?

Suveniri më i bukur? Nuk e kam menduar ndonjëherë. Nuk punoj për të marrë suvenire apo çmime, më fal më shumë kënaqësi tek shoh suksesin dhe lumturinë në fytyrën e njerëzve. Shumë njerëz më përmendim emrin e një lokali në Tiranë që quhet “Fajon”, sinqerisht prekem nga kjo gjë. Normalisht, nuk para na pëlqen të shohim veten në fotografi dhe aty u ndjeva pak në siklet. Por gjithsesi është një kënaqësi tek sheh që njerëzit të vlerësojnë për diçka që t’i ke bërë. Ky ishte një suvenir i bukur, nëse mund të quhet i tillë.

Si është marrëdhënia juaj me politikanët shqiptarë? Nuk flas nga ana zyrtare, por nga ana personale?

Kam më shumë marrëdhënie me studentë, me të rinj, sesa me politikanë. Pas paqëndrueshmërisë së gjatë politike në vendin tuaj, kam humbur besimin në shumë politikanë shqiptarë. Kam përshtypjen se politikanët nga të gjitha anët kujdesen më shumë për interesat e tyre, sesa për ato të qytetarëve. Dhe më vjen keq për këtë, pasi do të dëshiroja që më në fund Shqipëria të gjente rrugën drejt Bashkimit Evropian. Qytetarët meritojnë politikanë që të kujdesen për ta. Është koha që Shqipëria të vazhdojë përpara.

Kur ka qenë hera e parë që keni dëgjuar për Shqipërinë?

Unë kam jetuar në një lagje të Ljubjanës, në të cilën gjithashtu jetonin shumë shqiptarë. Nuk është se isha shumë entuziaste në atë kohë, veçanërisht kur ata më ngacmonin mua, si një vajzë e re që isha. Por edhe sot e kësaj dite them se akullorja më e mirë që kam ngrënë ka qenë ajo e shqiptarëve dhe sërish vazhdon të jetë akullorja më e mirë. Sot, unë sigurisht di më shumë gjëra për vendin tuaj dhe e dua atë akoma e më shumë. Uroj që politikanët do t’i japin Shqipërisë një shans për progres. Shqipëria është pjesë e Evropës, ajo ka qenë gjithë e tillë dhe shpresoj që një ditë të bëhet anëtare BE-së. Unë kam shumë besim tek rinia shqiptare.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *