Home / Lajme / Maqedoni / USHT më i disperzuari, UKM më i mbylluri

USHT më i disperzuari, UKM më i mbylluri

16 gusht-Mbi 35 për qind e vendeve të lejuara për regjistrimin në USHT janë për programe të disperzuara. Në UKM kjo përqindje nuk është më e lartë se 4.6 për qind. Në Shkup është simbolik edhe numri i studimeve në gjuhën shqipe, konkretisht 2.9 për qind. Ndërkohë, entuziast për interesimin e kandidatëve shprehen në Universitetin e Evropës juglindore

Në të gjitha universitetet publike dhe private në Maqedoni hapet sot gara për indeks. 29 154 vende janë ndarë vetëm në pesë universitetet shtetërore, ndërsa janë në dispozicion edhe disa mijëra vende të tjera në universitete dhe kolegjet private. Më tepër vende për studentët, si zakonisht ka në Universitetin “Shën Kirili dhe Medodi” në Shkup, ku studimet në gjuhën shqipe vazhdojnë të jenë të limituara. Në Konkursin e sivjetmë të regjistrimit të universiteteve publike bie në sy shkurtimi programeve shqip në UKM dhe disperzimi në masë të madhe i USHT-së. Në 23 fakultetet e këtij universiteti, programe në gjuhën shqipe hapen vetëm në fakultetet e pedagogjisë, filologjisë dhe arteve, edhe atë më një numër tejet të kufizuar vendesh. Në “Bllazhe Koneski” janë lejuar 1360 vende, prej të cilave vetëm 45 për shqiptarë, në FPSH 539 vende prej të cilave 314 me mësim në gjuhën shqipe. Në fakultetet e arteve ndërkaq, për vitin 2011/2012 janë lejuar 237 dhe vetëm 6 vende për studime në gjuhën shqipe, edhe atë në grupin dramaturgjik. Kur janë, kur janë në pyetje maqedonasit gjërat shkojnë ndryshe. Universiteti i Manastirit, për shembull, prej këtij shtatori, planifikon të hapë në Dibër dy programe studimore, kuptohet në gjuhën maqedonase. Në Dibër para një viti u disperzuan tre programe studimore të USHT-së, drejtimi fizioterapeut, anglishtja dhe gjermanishtja, ndërsa këtë vit në plan është edhe frëngjishtja.
Për sa i përket disperzimit të universiteteve, USHT-ja karakterizohet me numrin më të lartë të programeve të këtilla. Mbi 1200 vendeve, apo mbi 35 për qind të vendeve të lejuara janë caktuar të jenë për programet e disperzuara në qytete tjera. Kryeson Shkupi me 505 vende të shpërndara në programet studimore të jurisprondencës, gazetarisë, shkencave politike, biznes administratës, anglishtes dhe gjermanishtes. Në Kërçovë do të ketë 270 vende për katër programet e disperzuara të USHT-së, Dibra 260 vende, Struga 160 dhe Kumanova me 60 vende të disperzuara. Mirëpo, në këtë qytet është edhe Fakulteti për Biznes dhe Administrim (FBA) i cili do të regjistron 625 studentë, prej të cilëve 350 në Kumanovë.
Universiteti ku më së tepërmi bëhet kujdes të mos jetë i shpërndarë, është ai i Shkupit. Nga 12715 vende të lejuara për vitin 2011/2012 vetëm 590 vende janë për programet e disperzuara në Kriva Pallankë, Kërçovë, Kavadar, Strumicë, Veles, Gjevgjeli dhe Prilep. E shprehur me përqindje disperzimi nuk është aspak më i lartë se 4.6 për qind e vendeve të lejuara në UKM-së. Programet në gjuhën shqipe, ndërkaq (47 në filologji, 314 në pedagogji dhe 6 në dramaturgji) përbëjnë vetëm 2.9 për qind të gjitha vendeve të lejuara me konkurs. Universiteti i Ohrit nuk është i shpërndarë me asnjë program, ndërsa universitet tjera maqedonase, ai i Manastirit dhe Shtipit në shikim të parë duket se janë të disperzuara tepër. Mirëpo në fakt fakultete që përbëjnë bërthamën e atyre universiteteve, nuk janë të shpërndara më tepër se 12 për qind, respektivisht 17 për qind.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, me 11 fakultete dhe 93 programe studimore afron numrin më të madh të studimeve në gjuhën shqipe. Do të ketë 5340 vende për vitin akademik 2011/2012, bën të ditur zëdhënësi Selam Sulejmani. “Të drejtë konkurrimi kanë kandidatët që kanë kaluar me suksese maturën shtetërore”, nënvizon ai, ndërsa tregon se nga 5 340 vendet e lejuara me Konkursin e sivjetmë, 3 486 vende janë me kuotën shtetërore, 1 375 me kuotën e vetëfinancimin dhe 480 me korrespondencë. Me gjithë pritjet për zgjerimin e USHT-së, me programe të reja, Selami thotë nuk ka ende një gjë të këtillë, të paktën për afatin e parë të regjistrimit të studentëve. Në muajin maj, nga prorektorët e USHT-së ishte bërë e ditur ky universitet ka aplikuar në Këshillin për akreditim me kërkesën për hapeje programeve të reja, mesin e të cilëve u përfol edhe drejtimi për kriminalistikë. “Neve vazhdimisht kemi bërë përpjekje për hapjen e programeve të reja studimore, por në konkursin e këtij viti janë programet të cilat kanë qenë edhe vitin e kaluar. Shpresojmë të kemi programe të reja në afatin e dytë, të treta apo dhe të katërtin, sepse vjet organizuam katër afate regjistrimi dhe kishim disa programe të reja”, shprehet zëdhënësi Selami.
Entuziast për interesimin e kandidatëve shprehen në Universitetin e Evropës juglindore. Zëdhënësi Demsuh Bajrami, tregon se pa filluar regjistrimi vetëm se janë evidentuar 300 kandidatë të mundshëm. “Në bazë të mundësive shtesë që UEJL dhe disa universitete u kanë dhanë kandidatëve, ata kanë pasur mundësi që paraprakisht t’i rezervojnë vendet e tyre. Kështu që para se të fillon zyrtarisht regjistrimi, Statistikat e zyrës për regjistrim tregojnë se janë diku rreth 300 studentë që kanë aplikuar të regjistrohen në UEJL”, thotë Bajrami Në UEJL, është planifikuar të regjistrohen 1 300 studentë me programe deri diplomike në Tetovë dhe Shkup, ndërsa për vitin akademik 2011/2012 do të zgjerohen me programe të reja, sikurse janë: ekonomi, agrobiznes, turizëm dhe lidership për punë rini dhe shoqërim. USHT-ja nga ana tjetër, për këtë vit do të zgjerohet me hapësira të reja. Do të ketë në pronësi objektin në Kërçovë, kurse paralajmërohet dhe inaugurimi i dy objekteve të reja në Tetovë.

UEJL pret 1300 studentë

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL) bazuar në konkursin e shpallur për vitin e parë të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë, në vitin akademik pret që të regjistrojë 1300 studentë. “Statistikat e Zyrës së regjistrit në UEJL flasin se ende pa filluar afati i parë i regjistrimit vendet e tyre i kanë rezervuar tashmë mbi 300 kandidatë, të cilët dëshirojnë të fitojnë statusin e studentit në universitetin tonë”, thonë në Zyrën për marrëdhënie me publikun dhe komunikim. Edhe në këtë Universitet pritet që më 16 dhe 17 gusht të fillojë regjistrimi i studentëve. Ndërkohë që udhëheqësia më e lartë e këtij universiteti shprehet se studentët e rinj i pret një e ardhme më e mirë pas përfundimit të studimeve në UEJL.“Duke qenë universiteti i vetëm me statusin privat-publik jofitimprurës, mundësojmë që të realizojmë misionin tonë duke këmbëngulur në krijimin e kuadrove të aftë, të cilët janë të çmuar nga punëdhënësit, shoqëria dhe që janë konkurrues në tregun global. Këta të rinj, sot, njëkohësisht janë edhe qytetarë të denjë të Evropës së bashkuar. Pra, nga rreth 1300 studentë që do të regjistrohen në vitin akademik 2011-2012, 412 prej tyre do të mësojnë në programet studimore në gjuhën angleze. Plan-programet tona ndjekin traditat më të mira të studimit të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve. Tani, duke qenë universiteti i vetëm me statusin privat-publik jofitimprurës, jemi në një fazë të përkrahjes edhe më të fuqishme të vlerës publike që e krijon Universiteti ynë. Këtë vit, për herë të parë UEJL zgjeron ofertën edhe me 4 programe të reja studimore: Ekonomik, Agrobiznes, Turizëm, Lidership dhe punë me rininë në shoqëri. Ky universitet po zbaton një metodologji ndryshe nga universitetet tjera, duke ia përshtatur atë profilit të ri studentor”, thotë rektori i këtij universiteti, Zamir Dika. Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë këtë vit ndan rreth 162 bursa, mbi bazën e kritereve të caktuara. Të gjithë ata që do të jenë përfitues të kësaj burse do t’i nënshtrohen provimeve kualifikuese nga lëndë të caktuara, varësisht nga fakulteti i zgjedhur, sidomos nga gjuha angleze. Bursa për studentët, këtë vit, ndanë edhe komuniteti i biznesit, kurse bankat më të njohura në vend si NLB “Tutunska Banka” dhe “Stopanska Banka”, në marrëveshje me Universitetin do t’iu mundësojnë studentëve kredi studentore.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *