Home / Lajme / Maqedoni / Varreza masive në Butel, s’ka përgjigje

Varreza masive në Butel, s’ka përgjigje

3 gusht-Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar të Kosovës për të pagjeturit, thotë se kjo çështje tanimë është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai thotë se të gjitha informacionet që i kanë, sa i përket kësaj varreze, ia kanë përcjellë MPJ-së, e cila është duke u marrë me përgatitjet e mëtutjeshme të grupeve të përbashkëta punuese.

Për më shumë se një vit kërkesa zyrtare e autoriteteve të Qeverisë së Kosovës drejtuar Qeverisë së Maqedonisë për të lejuar fillimin e hulumtimit të një varreze masive në Shkup, ku mund të jenë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, ka hasur në vesh të shurdhër.

Derisa vitin e kaluar fajësohej qeveria e kaluar maqedonase, përkatësisht ish-ministri i Drejtësisë se po e zvarrit me qëllim dhënien e lejes për hulumtimin e kësaj varreze, mbajtja e zgjedhjeve në Maqedoni para pak kohësh dhe konstituimi i kabinetit të ri qeveritar duket se ka prolonguar deri tani këtë çështje, shkruan “Zëri”.

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës i kishte bërë zyrtarisht një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për të lejuar hulumtimin e një lokacioni të dyshimtë në varrezat e Butelit në Shkup, por nuk kishte marrë përgjigje. Ndërkaq, si rezultat i kontakteve të zyrtarëve të lartë qeveritar dy palët ishin dakorduar për formimin e grupeve punuese të përbashkëta për hulumtimin e kësaj varreze.

Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar të Kosovës për të pagjeturit, thotë se kjo çështje tanimë është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai thotë se të gjitha informacionet që i kanë, sa i përket kësaj varreze, ia kanë përcjellë MPJ-së, e cila është duke u marrë me përgatitjet e mëtutjeshme të grupeve të përbashkëta punuese.

Sipas tij, nisja e hulumtimit të kësaj varreze ka mundur të vonohet për shkak të zgjedhjeve në Maqedoni.

“Do të kërkoj që sa më shpejt të iniciohet hulumtimi i varrezës masive në Butel të Shkupit”, ka thënë Gjetaj optimist se pas konstituimit të Qeverisë së re në Maqedoni do të nis të punohet diçka në atë drejtim.

Ndërkaq, Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe në MPJ, thotë se kanë pritur formimin e Qeverisë së re në Maqedoni për të intensifikuar angazhimin për sa i përket hulumtimit të varrezës masive në Shkup.

“Më herët i kemi dërguar dy nota verbale Qeverisë maqedonase për këtë çështje”, ka sqaruar Jakupi. Ai thotë se do të pritet edhe pak kohë reagimi i qeverisë së re në Maqedoni, ndërsa pas pak kohësh është planifikuar edhe një vizitë e zëvendësministrit të jashtëm, Ibrahim Gashit, ku do të ngritet edhe çështja e hulumtimit të varrezës së Butelit.

Derisa bazuar në informatat që ka dhënë pala kosovare nuk flitet për ndonjë numër të caktuar të mbetjeve mortore, që mund të jenë varrosur në varrezat e Butelit në Shkup, sipas këtyre informacioneve dyshohet që trupat e pajetë janë bartur nëpërmes lumit Lepenc në drejtim të Maqedonisë dhe më pas janë varrosur në Butel, shkruan “Zëri”.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *